Shtrenjtimi rrit prodhimin e energjisë së gjelbër në RMV

    Maqedonia nga viti në vit po rrit prodhimtarinë e rrymës nga burimet e rinovueshme të energjisë elektrike. Vetëm në vitin e kaluar janë lëshuar 267 licenca për prodhimin e energjisë nga era, dielli. Kjo nënkupton se në shfrytëzimin e energjisë së rinovueshme dominojnë me kapacitetet të instaluara, ajo e diellit me kapacitete prej 106.5 megavat, e pasuar nga era me 36 megavat, 7.2 megavat të hidrocentraleve të vogla dhe 2.5 megavat të termocentraleve me biogas që shfrytëzojnë mbetjet nga kafshët.

    RRITEN KAPACITETET

    Me fjalë të tjera në raport me vitin 2021, në vitin e kaluar është rritur për shtatë për qind kapaciteti i prodhimtarisë së energjisë elektrike nga burimet e energjisë që nuk shteren si nafta, mazuti apo gazi, por po ripërtërihen. Numri një i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski duke sqaruar rëndësinë e kapaciteteve të reja në shtet për prodhimin e rrymës, thotë se vlera e tyre është e njëjtë me atë të hidrocentraleve të Kozjakut dhe “Sveta Petka” dhe parkun e erës Bogdanci. “Me energjinë elektrike të prodhuar nga elektranat e reja nga burimet e ripërtëritshme mund të furnizohen 65.700 amvisëri të Ohrit, Tetovës, Kratovës, Krushevës, Kriva Pallankës dhe Shën Nikollit”, thotë Bislimovski.

    Sipas tij, viti i kaluar ka shënuar rekordin e vendosjes së centraleve diellore dhe prodhimit të rrymës nga burimet alternative të energjisë, që si trend pritet të vazhdojë edhe këtë vit. Besoj se sivjet do të kemi 250 deri 300 megavat të kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, që do të rrisë edhe më tej pavarësinë energjetike të shtetit, konstaton Bislimovski. Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, thonë se sivjet edhe me ndryshimet e parashikuara ligjore do të mundësohet edhe vendosja e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike me qëllim që të mund të përdoret edhe në periudhat e tjera të ditës.

    MBI 30 PËR QIND ENERGJI E PASTËR

    Të dhënat tregojnë se në vitin 2021, mbi 31 për qind e energjisë në vend ka qenë nga burimet e rinovueshme, që është rritur edhe më shumë në vitin 2022. Në muajin nëntor filloi me punë në Maqedoni edhe elektrana diellore në afërsi të Shën Nikollit prej 31.772 panele diellore në 300 mijë metra katror që duhet të prodhojë 25.000 megavat orë energji diellore dhe të furnizojë mbi 5500 amvisëri, si investim i grupacionit GEN-i. Gjithashtu po punohet që Parku i erës Bogdanci të rrisë kapacitetet e tij prodhuese në 50 Megavat orë dhe prodhim vjetor prej 137 Gigavat orë në vit.

    Në Osllome në Kërçovë në vitin e kaluar u lëshua në përdorim investimi i realizuar me mjete vetanake dhe me një kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku prodhimi vjetor i këtij centrali të ri fotovoltaik është nga 15 deri në 17 gigavat orë, dhe do të furnizojë me energji elektrike 2800 amvisëri.

    Projekti i tranzicionit me të cilin energjia elektrike do të prodhohet nga dielli përmes paneleve të vendosura mbi minierë të vjetër, të shteruar të thëngjillit, vazhdon me centralin fotovoltaik “Oslome 2” prej 10 megavat orë i cili është në proces të përgatitjes së dokumentacionit dhe me punë përgatitore për fillimin e ndërtimit të dy centraleve 50 megavat orë me partneritet publik privat, me kompanitë Solar pro-Bulgari dhe Fortis Enerxhi-Turqi.

    KAPACITET SA TERMOCENTRALI I MANASTIRIT

    Planifikohet të ndërtohet edhe centrale diellore në Manastir me fuqi të instaluar prej 200 deri 300 megavat orë. Në përgatitje e sipër është edhe parku i erës “Virovi” në lokalitetin midis Kumanovës dhe Kriva Pallankës si investim gjerman i kompanisë VPD, prej 500 milionë euro, që duhet të sigurojë energjinë për mbi 290 mijë amvisëri. Investimi duhet të realizohet në tre faza, 2025, 2026 dhe 2027. Bile vlera e tij në aspektin e prodhimit energjetik do të jetë sa dy blloqet e Termocentralit të Manastirit. Pritet të vendosen 69 turbina të erës që është për katër herë në shumë se 16 turbina të vendosura në afërsi me Greqinë apo në Bogdanci. Paralajmërohet edhe investim i madh francez në energjinë e diellit me 400 megavat orë nga kompania AKUO.

    EVROPA REKORD ENERGJI NGA BURIMET E RINOVUESHME

    Bashkimi Evropian nga fillimi luftës të Rusisë ndaj Ukrainës, prodhon energji elektrike nga burime të rinovueshme më shumë se çdo herë tjetër. Sipas të dhënave të publikuara dhe analizat e bëra nga institutet “Ember” dhe “EZG”, në periudhën mars – shtator 2023, 24 për qind e energjisë elektrike në Bashkimin Evropian ka qenë e prodhuar nga centralet diellore dhe të erës. Kjo paraqet një rritje prej tre për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjermania në këtë periudhë ka arritur rekordin e prodhimit me 104 Tera vat orë të energjisë elektrike të prodhuar nga dielli dhe era. Prodhimtari e madhe është shënuar edhe në Francë, Itali, Poloni dhe Spanjë. Me prodhimtarinë kaq të madhe të energjisë së gjelbër është arritur kursimi i 11 miliardë euro të nevojshme për blerjen e tetë miliardë metër kub të gazit natyror. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Cana: Nuk ka hapësirë për shqetësim në lidhje me llojin e virusit “Kraken”

    Lajmi i rradhës

    Mjeku Ismaili: Antibiotikët drejt humbjes së efektit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë