Shtrenjtohen banesat në Maqedoni për 16.5 për qind

    Në tremujorin e dytë të këtij viti, banesat janë shtrenjtuar për 16.5%, që sipas të dhënave të Bankës Popullore të RMV-së, është rritja më e madhe deri më tani. Kjo rritje çmimesh vjen për shkak të shtrenjtimit të materialit ndërtimor, shpjegon Andrea Serafimovski nga Shoqata e Ndërtimtarisë pranë Odës Ekonomike. Shton se nuk mund të presim të ulet çmimi i banesave, por mund të ketë vetëm stabilizim të çmimit i cili do të jetë real dhe do ta reflektojë atë që mund ta paguajnë qytetarët për t’i mbuluar shpenzimet dhe për të përfituar investitorët.

    “Tendenca e rritjes së çmimeve dhe kostos për ndërtim vazhdon të rritet. Materialet e nevojshme për ndërtim kanë shënuar rritje tepër të madhe. Çmimi i materialit, druri është dyfishuar, kompensata njësoj, betoni është për 50% më i shtrenjtë për shkak të rritjes së çmimit të çimentos, e mos të flasim për konstruksionet prej çeliku. Profilet e çelikut janë shtrenjtuar trefish, çmimi i çelikut të zakonshëm është rritur për dyfish”, tha Andrea Serafimovski, kryetar i shoqatës së ndërtimtarisë.

    Po nga ana tjetër, edhe përkundër fuqisë së reduktuar blerëse të qytetarëve, krizës ekonomike dhe paralajmërimeve për rritjen e normave të interesit, interesi për blerjen e apartamenteve nuk ka të ndalur, por shtohet gjithnjë e më shumë, thonë nga agjencitë për patundshmëri. Sipas tyre, problemi është oferta. S’ka banesa të mjaftueshme për shitje, prandaj Shkupi s’mund t’i kënaqë nevojat e qytetarëve për blerje të apartamenteve.

    Çmimi i banesave në Shkup:

    Komuna Qendër – nga 1.500 deri në 2.100 euro

    Karposhi – nga 1.350 deri në 1600 euro

    Aerodromi – nga 1.300 deri në 1.500 euro

    Kisella Vodë – nga 1.250 deri në 1.400 euro

    Gjorçe Petrovi – nga 950 deri në 1.100 euro

    Çairi – nga 950 deri në 1.100 euro

    “Oferta është katastrofë. Kjo për shkak të disa faktorëve që u shfaqën në Shkup. Komuna Qendër kishte një moratorium për 4-5 vjet. PDU-ja në Karposh ra, 4-5 vjet me radhë nuk u votua PDU-ja e re. Automatikisht, lagjet në të cilat ka kërkesë më të madhe për banesa, nuk kanë banesa. Aerodromi kishte apartamente, por të gjithë ata që nuk arritën të gjejnë, u riorientuan këtu dhe nuk ka apartamente. Nuk ka ofertë, kurse kërkesa është tejet e madhe”, pohoi Dejan Hriston, pronar i një Agjencie për Patundshmëri.

    Apartamentet në lagjet më tërheqëse siç janë Aerodromi, Qendra dhe Karposhi nuk presin për t’u shitur as dy ditë, tregon Hristovi. Sipas regjistrimit të Entit Shtetëror për Statistikë, prej gjithsej 839.174 banesa, 63,4% tashmë janë të banuara, kurse 307,187 ose 36,6 % janë të pabanuara./TV21/

    Lajmi Paraprak

    Vazhdon emigrimi në vendet e BE-së | 100 mijë leje qëndrimi për pesë vjet

    Lajmi i rradhës

    21 vjet nga masakra e Lubotenit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë