Vazhdon emigrimi në vendet e BE-së | 100 mijë leje qëndrimi për pesë vjet

    Largimi në vendet e Bashkimit Evropian nuk ka të ndalur. Për bashkim familjar, punësim e më pak për studime…, janë dhënë mbi 14 mijë leje qëndrimi për shtetasit e Maqedonisë në vendet e BE vetëm gjatë vitit të kaluar. Ndërsa pesë vitet e fundit numri i lejeve të qëndrimit (llogariten nga Eurostat si emigracion) arrijnë në 100 mijë, të lëshuara gjatë periudhës 2021-2017. Të dhënat e Eurostat të publikuara së fundmi ngrenë shqetësimin se emigracioni është rritur duke u kthyer në shifrat e parapandemisë. Në vitin 2021 u lëshuan pothuajse 3 milionë leje qëndrimi, ose 31 për qind më shumë krahasuar me vitin 2020, duke arritur nivelin para-pandemik të vërejtur në 2019 (2.955.300).

    Sa i takon Maqedonisë, numri më i madh i lejeve është dhënë në vitet 2019 (26.653 leje qëndrimi) dhe 2018 (24.040 leje qëndrimi), ndërsa gjatë 2020-2021 numri i lejeve të dhëna ka pësuar një ulje të vogël, e kundërta e asaj që po ndodh në vendet e rajonit. Shqipëria, Kosova, Bosnja e Hercegovina, kanë shifra të larta sa i takon emigracionit. Sipas Eurostat rritja relative më e madhe në numrin total të lejeve të lëshuara në vitin 2021 është regjistruar në Itali, e pasuar nga Finlanda dhe Polonia. Polonia kryesoi listën e lejeve të lidhura me punësimin (790 100 leje të lëshuara ose 27 për qind të të gjitha lejeve të lëshuara në BE. Franca ka lëshuar më së shumti leje në lidhje me arsimin (90 600 leje, ose 3%). Vendet e BE-së me numrin më të madh të lejeve të lëshuara për arsye familjare në vitin 2021 ishin Spanja, Italia dhe Franca. Nga ana tjetër vende si Gjermania, apo Kroacia përgjysmuan numrin e lejeve të dhëna, krahasuar me vitet e tjera.

    “Arsyet e punësimit përbënin 45 për qind të të gjitha lejeve të para të qëndrimit të lëshuara në vitin 2021, me 1.3 milionë leje, ose një rritje prej 47 për qind krahasuar me vitin 2020. Është gjithashtu numri më i lartë i lejeve të dhëna për arsye punësimi. Arsyet familjare zënë 24 për qind, arsimimi 12 për qind, ndërsa arsyet e tjera, përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, zënë 19 për qind”, thuhet në raportin e Eurostat. Rreth 900 mijë ukrainas morën lejet e qëndrimit në vendet e BE-së në vitin 2021, duke i bërë ata grupin më të madh të shtetësisë midis të gjithë marrësve (nga të cilët 83% u lëshuan nga Polonia). Qytetarët e Marokut (150 100 leje, nga të cilat 50% u lëshuan në Spanjë) dhe Bjellorusisë (149 000, nga të cilët 88% u lëshuan në Poloni). Shtetasit e këtyre vendeve përbënin 40% të të gjitha lejeve të qëndrimit të parë të lëshuara në vitin 2021.

    Punësimi ishte arsyeja kryesore për lejet e lëshuara për ukrainasit (88% e të gjitha lejeve të para të qëndrimit), bjellorusët (47%), indianët (41%) dhe rusët (35%). Familja ishte arsyeja mbizotëruese për lejet e dhëna marokenëve (59%), brazilianëve (41%) dhe turqve (33%) dhe lejet për arsim u jepeshin kryesisht kinezëve (43%) dhe amerikanëve (32%). Arsyet e tjera ishin mbizotëruese për sirianët (74%).

    LEJET E QËNDRIMIT PËR SHTETASIT E RMV NË VENDET E BE-së:

    2021: 14.215 leje qëndrimi

    2020: 16.393 leje qëndrimi

    2019: 26.653 leje qëndrimi

    2018: 24.040 leje qëndrimi

    2017: 16.408 leje qëndrimi

    2016: 13.948 leje qëndrimi

    2015: 11.764 leje qëndrimi /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Maqedoni, gastronomia përballet me fatura të larta të energjisë elektrike

    Lajmi i rradhës

    Shtrenjtohen banesat në Maqedoni për 16.5 për qind

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë