SHTRENJTOHET PARAJA! Kamatat prekin biznesin, më pak qytetarët

    Të dhënat e fundit të Bankës Popullore tregojnë rritje të butë të kamatave të kredive. Në muajin tetor të këtij viti, është shënuar rritje e normës së interesit të totalit të kredive të reja në 4.44 për qind në raport me 3.94 për qind në të njëjtën periudhe të vitit të kaluar. Rritje më e madhe në mesatare shënohet për biznesin nga 3.39 në 4.36 për qind, ndërsa rritja ka qenë shumë më e vogël për amvisëritë dhe atë prej 4.54 në 4.58 për qind. Banka Popullore me qëllim të zbutjes së inflacionin, që nga fillimi i vitit,ka korrigjuar disa herë normën e interesit për bonot e thesarit. Qëllimi është që bankat të mbajnë mjetet e tyre financiare e tyre likuide pranë Bankës Qendrore, në vend që t’i investojnë ato në kredi. Me fjalë të tjera, Banka Popullore që nga muaji mars ka rritur normat bazë të interesit për disa herë duke arritur në 4.25 për qind si asnjëherë deri tani në 14 vitet e fundit. Për të luftuar inflacionin, i cili arriti pothuajse 20 për qind. Banka qendrore, përskaj normës së interesit, po përdorin edhe instrumentet e tjera të politikës monetare, ku në fund të vitit të kaluar kanë tërhequr denarë nga qarkullimi, ndërsa ka pasur ndryshime edhe në rezervën obligative.

    Lëvizjet e tilla pritet që gradualisht të pasqyrohet edhe ndaj politikës afariste të bankave ,sidomos pas vitit të ri. “Të gjitha zhvillimet ekonomike tregojnë se vitin e ardhshëm do të ketë recesion dhe do të ketë rritje të ndjeshme të interesit dhe e gjithë kjo do të ndikojë në anën e kredisë. Pritjet janë që edhe Banka Qendrore Evropiane t’i rrisë normat dhe kjo të transferohet edhe përmes bankës sonë”, thotë Nina Nedanovska, zëvendës kryetare e Bordit Drejtues të Bankës “Sparkasse”.

    Në ndërkohë, të gjitha bankat në botë po rrisin normat e interesit për të frenuar inflacionin, pra rritjen e çmimeve.

    Pothuajse asnjë nga bankat qendrore, të paktën në Evropë, nuk po hezitojnë të rrisin çmimin e parasë në treg. Banka Qendrore Evropiane (BQE) njoftoi nga Frankfurti se, për të luftuar inflacionin, e rriti me tej normën e interesit. Presidentja e kësaj banke, Christine Lagarde theksoi vendosmërinë e Bankës Qendrore në luftën kundër inflacionit të lartë. “Ne do të bëjmë atë që duhet të bëjmë. Kjo do të thotë të rrisim normat e interesit në takimet e ardhshme. Në qoftë se BQE nuk do përmbush mandatin e saj për të garantuar stabilitetin e çmimeve, do të dëmtonte shumë më tepër ekonominë”, tha Lagarde.

    Për herë të parë pas 11 vitesh, pas shumë hezitimesh, Këshilli Drejtues i BQE rriti normat e interesit në eurozonë në 21 korrik të këtij viti me 0.5 për qind. Rritja e dytë pasoi më 8 shtator ku për herë të parë në historinë e bankës qendrore me 0.75 për qind. Për një kohë të gjatë, BQE e kishte interpretuar inflacionin e lartë si të përkohshëm prandaj filloi rritjen e normës së interesit më vonë se Rezerva Federale e SHBA. Në tetor, për herë të tretë brenda 3 muajsh, BQE rriti përsëri normën bazë të interesit me 0.75 për qind duke e shpënë atë nivelin 2 për qind.

    Me rritjen e normave të interesit, kjo bankë synon të shtrenjtojë kreditë dhe të frenojë kërkesën për to, si përgjigje ndaj inflacionit, i cili arriti një nivel rekord në tetor, si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, çmimet e konsumit në eurozonë janë dyshifrore. Sipas ekspertëve të fushës, politika shtrënguese e bankave qendrore, përfshirë edhe Bankën Maqedonisë së Veriut , synon uljen e inflacionit, që megjithatë, do kërkojë kohë të japë rezultat, ndërsa do ketë ndikim të menjëhershëm te depozituesit dhe huamarrësit.

    Ndikimi pozitiv i rritjes së interesave të depozitave, do shoqërohet me ndikim negativ për huamarrësit. Huamarrësit që kanë marrë kredi me norma të ndryshueshme kredie, janë veçanërisht të prekur nga masat shtrënguese të Bankës Qendrore Evropiane, të cilat janë ndjekur edhe nga Banka e Maqedonisë. Pritet që rritja e normës bazë të interesit nga bankat qendrore të ndikojë negativisht te kreditorët, që u nevojiten kredi për vazhdimin e aktivitetit ekonomik, dhe ndoshta edhe për ato që ndërtojnë dhe blejnë shtëpi. Interesat e larta te kredive priten të sjellin edhe uljen e kreditimit, duke ngadalësuar rritjen ekonomike. Mirëpo këto pasqyrime do të jenë të ndryshme në shtete të ndryshme.

    Ndryshe, politika shtrënguese monetare dhe rritja e çmimit të parasë ende nuk po reflektohet në uljen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, duke shtrenjtuar jetesën për njerëzit kudo në botë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    KAFE, TYM E GJOBA! Përdorim masiv i duhanit në objektet e mbyllura

    Lajmi i rradhës

    Ruzhin: Në Maqedoni duhet diplomaci e shtuar ndërkombëtare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë