Shumë aksidente në punë  

    Siguria në vendin e punës në aspektin legjislativ në vend rregullohet me anë të 10 ligjeve si: Ligji për sigurinë dhe shëndetin gjatë punës, Ligji për marrëdhëniet e punës, Ligji për mbrojtje shëndetësore, Ligji për sigurim pensional dhe invalidor, Ligji për sigurimin shëndetësor, Ligji për inspektimin e punës, Ligji për inspektimin teknik, Ligji për evidencat nga sfera e punës, Ligji për evidencat nga sfera e shëndetësisë si dhe Ligji për mbrojtje nga shqetësimi në vendin e punës. Megjithatë pasiguria vazhdon të jetë fenomen shqetësues, tashmë e disa vite.

    Se ligji për sigurinë e punëtorëve në vendet e punës nuk po gjen zbatim, e tregojnë edhe statistikat që drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Punës (ISHP), Vesna Tomovska njoftoi dhe tha se vitin e kaluar numri i aksidenteve në punë është rritur, ku gjatë vitit të fundit 17 persona kanë vdekur në vendin e punës.

    Numri i aksidenteve me fatalitet në punë në vitin 2023 është më i lartë se në vitin 2022, ku në punë humbën jetën 12 persona. Por Tomovska thekson se në vitin 2019, 2020 dhe 2021 numri i të vdekurve ka qenë 17, pra i njëjtë me vitin e kaluar.

    “Numri i lëndimeve kolektive në vitin 2022 ishte 15, që është më i lartë se numri i lëndimeve në vitin 2023. Kjo rritje e numrit të aksidenteve me pasoja fatale është rezultat i faktit se ende duhet të punohet për të rritur ndërgjegjësimin e punëtorëve për veshjen e pajisjeve mbrojtëse personale, veçanërisht kur bëhet fjalë për aktivitete të rrezikshme, si ndërtimi, ku shumica e aksidenteve ndodhin me pasoja fatale”, theksoi drejtoresha e ISHP-së.

    Sipas saj, vëmendje duhet t’i kushtohet respektimit dhe zbatimit të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë nga punëdhënësit.

    “Inspektorati është në negociata me Organizatën Ndërkombëtare të Punës, e cila është një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara që merret me çështje që lidhen me çështjet e punës, për të përgatitur një projekt që do të ndërgjegjësojë punëtorët për rëndësinë e veshjes së pajisjeve mbrojtëse personale përmes fushatave. Përveç kësaj, punëdhënësit do të këshillohen të investojnë në sisteme cilësore të shëndetit dhe sigurisë në punë. Mjedisi i sigurt dhe i shëndetshëm i punës çon në produktivitet më të lartë nga ana e punëtorëve”, tha Tomovska.

    Ndërkohë edhe në fillim të këtij viti ndodhi aksidenti i parë dhe i fundit deri më tani në vendin e punës me një përfundim tragjik në një fermë afër fshatit Amzabegovë, Sveti Nikollë.

    Pas rastit, Inspektorët shtetërorë të punës kanë inspektuar ngjarjen dhe pas kontrollit të jashtëzakonshëm kanë konstatuar se nuk janë marrë masat përkatëse në përputhje me rregulloren në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. “Punëdhënësi ka lejuar qasje për punëtorët e punësuar në vendet e punës ku ishin të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze dhe specifike, dhe nuk merrnin udhëzime të posaçme për punë, në vendin e punës nuk vendoseshin shenja rreziku, paralajmërime dhe shenja të sjelljes së detyrueshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.

    Në njoftim thuhet se punëdhënësi nuk ka ofruar trajnime adekuate në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë në bazë të një programi për specifikat e vendeve të punës ndihmëspunëtor dhe punëtor i përgjithshëm. Ndër të tjera, sipas Shoqatës për mbrojtje gjatë punës, 3 në 100.000 të punësuar në Maqedoni e humbin jetën në vendin e punës. Bujqësia dhe ndërtimtaria mbetet fusha më e rrezikshme dhe më vdekjeprurëse për punëtorët. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Për jetë modeste në RMV duhen 950 euro në muaj

    Lajmi i rradhës

    Qeveria teknike me apo pa opozitën?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë