Për jetë modeste në RMV duhen 950 euro në muaj

    Rritje për gati 10 euro ka shënuar shporta konsumatore duke arritur në afër 930 euro. Me fjalë tjera, vlera e shportës minimale sindikaliste për muajin e parë të vitit është 57.163 denarë, dhe në raport me dhjetorin është shtrenjtuar për 641 denarë. Në muajin më të shtrenjtë të vitit, ushqimi dhe pijet kapin vlerën 21.007 denarë, për veshmbathje 4.803 denarë, për ujë, rrymë dhe ngrohje 6.014 denarë, për higjienën personale dhe ruajtjen e higjienës në shtëpi 1.797 denarë, për shëndetësi 1.115 denarë, për transport 4.759 denarë, për komunikim 2.709 denarë, për rekreacion dhe kulturë 4.205 denarë etj. Në rast se në këtë shportë përllogaritet edhe pagesa e qirasë për një banesë me 60 metra katror, në atë rast shporta minimale për muajin janar arrin vlerën e 72.538 denarë.

    Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se sivjet edhe përllogaritja e re e shportës konsumatore është një argument shtesë për rritjen e pagave të punonjësve. Kreu i LSM, Slobodan Trendafillov thotë se nëse analizohet periudha 2020 e këndej, po vërehet se ka një rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës. Kështu, nëse në dhjetor 2020 një familjeje i nevojiteshin 33.696 denarë, në dhjetor 2021 për të njëjtin qëllim i nevojiteshin 35.042 denarë, ndërsa në vitin 2022 duhej 43.163 denarë. Për më tepër, metodologjia e re për llogaritjen e shportës së konsumit sindikal, që u shpalos në fund të vitit të kaluar, tregoi se dy paga minimale nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet minimale të një familjeje katër anëtarëshe. Bile në situatë më të vështirë janë familjte që paguajnë qira për shkak të harxhimeve të banimit së bashku me ujin, rrymë n dhe ngrohjen. Rritje e harxhimeve shënohet edhe së fundmi edhe nëse krahasohen harxhimet në muajin dhjetor dhe janar. Edhe me harmonizimin e pagës minimale në muajin mars të këtij viti që do të arrijë në 22.500 denarë sërish edhe me dy paga nuk mbulohet shporta sindikale minimale.

    Njëherë shporta do të jetë edhe baza kryesore ku do të mbështeten sindikalistët për rritjen e mëtejshme të pagave këtë vit. Sipas metodologjisë së re në kontratën e përgjithshme kolektive, në shtator të këtij viti duhet të ketë rritje të re pagash për të punësuarit në sektorin publik në përputhje me dispozitën e kontratës së përgjithshme kolektive. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se nënshkrimi i marrëveshjes së përgjithshme kolektive ishte vendosja e një metodologjie të re ku 10 përqindshin në shtator 2023 e morën të gjithë punonjësit e sektorit publik, ndërsa në shtator 2024 pritet një harmonizim tjetër pagash dhe në mars 2025 do të fillojë me kalkulimin e ri të pagës, apo koeficientin shumëzuar me pagën mesatare. Kohë më parë pë rflitej për një rritje të mundshme pagash në mars në sektorin publik në përputhje me rritjen e paralajmëruar të pagës minimale, mirëpo vështirë se një hap i tillë do të realizohet, andaj rritja e pagave do të presë shtatorin.

    Në propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm parashikohen para për rritjen e pagës minimale. Rreth 50.000 administratorë do të marrin rritje prej 2.325 denarë. Pjesa tjetër e punonjësve në sektorin publik do të marrë harmonizimin e pagave në shtator.

    Nga ana tjetër, Lidhja e Sindikatave thotë se angazhohet edhe për rritjen e pagave në sektorin privat.

    Ivan Peshevski nga LSM thotë se ai e mbush buxhetin e shtetit dhe prej tij varen edhe pagat në sektorin publik. “Ne do të luftojmë që rritja e pagave të jetë në përputhje me inflacionin dhe jo të shohim kush merr 50, 60, 70 mijë paga. Nuk duhet parë më shumën e pagës, por çfarë mund të blihet për atë rrogë. Është e rëndësishme që të ruhet fuqia blerëse e punëtorëve”, thekson Ivan Peshevski.

    “Përskaj rritjes së pagës minimale, e cila sipas paralajmërimeve të qeverisë do të shkojë në 22.500 denarë në muajin mars, duhet të rriten në përqindje edhe pagat e tjera. Aty ku ka marrëveshje kolektive, të gjitha pagat duhet të rriten gradualisht, jo vetëm paga minimale. Mirëpo, punëdhënësit nuk e bëjnë këtë, ata mendojnë se duhet të rritet vetëm paga minimale, e jo pjesa tjetër e pagave”, shton Peshevski.

    Nga Sindikata e administratës së fundmi kishin shprehur frikën se Qeveria nuk do t’ua paguajë rritjen e pritshme të pagave në përputhje me rritjen e paralajmëruar të pagës minimale. “Pas këtij informacioni të ri që kemi marrë, mendoj se politika, pra plani i Qeverisë është në muajin mars, kur do të rritet paga minimale, që asnjë nga të punësuarit në sektorin publik të mos marrë një harmonizim të tillë. Sindikata druhet se pa u konsultuar me sindikatat do të bëhen ligje dhe do të përcaktohen koeficientët e kompleksitetit dhe ajo që parashikohet në marrëveshjen e përgjithshme kolektive thjesht nuk do të hyjë në fuqi nga viti 2025″, thonë nga Sindikata e Adminisrtratës.

    Rrogat e të punësuarve në sektorin publik do të përcaktohen përmes Ligjit të Pagave, ku në të ardhmen në bazë të tij, do të përcaktohen rregullat sipas së cilave do të rregullohen pagat në institucionet publike, si dhe Marrëveshjes së përgjithshme kolektive, që do të përmbajë metodologjinë për zgjidhje sistemike të dinamikës së rritjes së pagave të të punësuarve në sektorin publik. Pritet që rritja e pagave në sektorin publik të përfshijë metodologjinë e rë për rritjen e pagave që do të varet nga rritja e kostos së jetesës, nga rritja e pagës mesatare dhe nga rritja e performancës së punëtorëve. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Rusët mund të votojnë në Shkup e Tiranë, në Kosovë ka gjasa për votim online

    Lajmi i rradhës

    Shumë aksidente në punë  

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë