Shumë pak mbeturina u selektuan në vitin 2022, pjesa më e madhe përfundoi në deponi

    Selektimi i mbeturinave mbetet problem madhor për shoqërinë në Maqedoninë e Veriut. Vitin që shkoi selektimit primar apo sekondar i janë nënshtruar vetëm 18,3 përqind e mbeturinave komunale në Maqedoni, gjë që mundësoi trajtimin e duhur të këtyre mbeturinave nëpërmjet reciklimit. Por, për dallim nga kjo, mbi 80 përqind e sasisë së përgjithshme të mbeturinave komunale të grumbulluara në vitin 2022 përfunduan në deponitë komunale, shkruan Meta.mk.

    Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës për vitin 2022 tregojnë se 81.7 përqind e sasisë së përgjithshme të mbeturinave në vend është grumbulluar nga ndërmarrjet publike si mbeturina komunale të përziera. Vitin e kaluar në deponitë komunale kanë përfunduar 494.693 ton mbeturina.

    Për dallim nga kjo, të dhënat statistikore paralajmërojnë se selektimi i mbeturinave mbetet një praktikë jo e preferuar, si për qytetarët, ashtu edhe për ndërmarrjet publike. Vitin e kaluar kemi selektuar 40.259 ton mbeturina organike (ushqime, gjethe dhe mbeturina të tjera), 13.063 ton plastikë, 12.178 ton të mbeturinave të selektuara kanë qenë letër. Në vitin 2022 kemi selektuar 8.373 ton tekstil, 3.754 ton qelq, 2302 ton metal dhe 1487 ton gomë.

    Krahasuar me vitin 2021, në vitin 2022 sasia e mbeturinave të përziera komunale që përfunduan në deponi është zvogëluar minimalisht. Pra, në vitin 2021, 82.7 përqind e mbeturinave të grumbulluara nga ndërmarrjet komunale janë hedhur në deponitë komunale. Megjithatë, në të dhënat statistikore nuk mund të vihen re ndryshime drastike në rritjen e sasisë së mbeturinave të selektuara në vitin 2022, krahasuar me atë të një viti më parë.

    MMJPH: Këtë vit do të punohet në një rregullore të re për tarifimin e pagesës për mbeturinat

    Faturat aktuale për mbeturinat të cilat paguhen nga qytetarët dhe kompanitë në vend nuk stimulojnë selektimin e mbeturinave, por vetëm kontribuojnë në mirëmbajtjen financiare të ndërmarrjeve publike, të cilat mbeturinat e grumbulluara i hedhin në deponitë komunale.

    Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, tashmë ka bërë të ditur se do të ketë një metodologji të re për qytetarët dhe kompanitë, me të cilën çmimi i shërbimit për mënjanimin e mbeturinave do të paguhet në bazë të sasisë së mbeturinave të prodhuara prej tyre, dhe jo siç është paguar më parë, në bazë të sipërfaqes së banesës. Në këtë mënyrë, qytetarët e Maqedonisë në të ardhmen do të jenë më të motivuar për selektimin e mbeturinave pikërisht përmes faturave mujore për mbeturina, të cilat do të zvogëlohen në raport të drejtë me rritjen e sasisë së mbeturinave të selektuara.

    Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për Meta.mk sqarojnë se në kuadër të projektit për ndërtimin e deponive rajonale, i cili financohet me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, janë paraparë mjete për zhvillimin e një metodologjie adekuate dhe për përgatitjen e Rregullores së re.

    “Pritet që kjo rregullore të hartohet brenda një viti”, sqarojnë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

    Përndryshe, nga kjo ministri sqarojnë se sipas Ligjit për menaxhimin e mbeturinave, për kryerjen e shërbimit komunal për menaxhimin e mbeturinave, ofruesi i shërbimit ka të drejtë të vendosë çmim për shërbimin e ofruar për menaxhimin e mbeturinave komunale, i cili përfshin grumbullimin dhe transportin, por dhe selektimin dhe trajtimin e mbeturinave komunale.

    Lartësia e tarifës për shërbimin për menaxhimin e mbeturinave komunale varet nga shpenzimet që i bën ofruesi i shërbimit gjatë realizimit të shërbimit, e cila përllogaritet në përputhje me Rregulloren për përcaktimin e tarifës për shërbimin komunal për menaxhimin e mbeturinave. Në përllogaritjen e tarifës për mbeturinat përfshihen shpenzimet e kryera për shërbimin dhe shërbimet për mbështetje, të cilat bazohen kryesisht në shpenzimet operative dhe për mirëmbajtje dhe shpenzimet për investime kapitale.

    “Tarifa për mbeturinave caktohet në bazë të sasisë dhe llojit të mbeturinave dhe mund të përcaktohet sipas njësisë matëse, gjegjësisht një denar për metër kub, një denar për metër katror për hapësira banesore, gjegjësisht sipërfaqe të oborrit ose një denar për kilogram në përputhje me Rregulloret për tarifat për mbeturinat”, sqarojnë nga Ministria e Mjedisit Jetësor.

    Tarifa për mbeturinat përcaktohet për secilin rajon në veçanti, ndërsa Rregullorja për tarifën për mbeturinat miratohet nga Komisioni Rregullator për Energji dhe Shërbime të Ujit.

    Kushte për selektimin e mbeturinave ka vetëm në mjediset urbane

    Meta.mk deri më tani shumë herë ka shkruar për projektet për selektimin e mbeturinave në vend, por të krijohet përshtypja se shanse më të mëdha për t’u përfshirë në projekte të tilla kanë qytetarët në pjesët e urbanizuara të qyteteve më të mëdha në Maqedoni.

    Një nga projektet më të mëdha është ai i “Pakomak” për vendosjen e makinerive vending në nëpër markete në Shkup, Tetovë, Shtip dhe Berovë. Këtë vit ata do vendosin gjithsej 55 makineri të reja për selektimin e mbeturinave dhe deri më tani interesimi i qytetarëve të kryeqytetit për shfrytëzimin e tyre është shumë i madh.

    Qytetarët e komunës Qendër të Shkupit kanë mundësi të bëjnë selektimin e mbeturinave nëpërmjet Ndërmarrjes Publike “Parkingjet e Komunës Qendër”, e cila nga nëntori i vitit 2020 i prezantoi makineritë vending për selektimin e kanaçeve dhe shisheve të plastikës. Gjithashtu, në fund të vitit 2021, ndërmarrja sociale “REDI Reciklimi” filloi projektin e tyre për selektimin primar të mbeturinave nga objektet e banimit në Shkup.

    Në nivel të komunave, Prilepi për vite me radhë është lider në mesin e njësive lokale në vend, ku përqindja e mbeturinave të selektuara është më e larta nga sasia e përgjithshme e mbeturinave të krijuara nga qytetarët dhe kompanitë.

    Lajmi Paraprak

    Gardhet që ndajnë Europën

    Lajmi i rradhës

    RROGAT E ZYRTARËVE | Qytetarët: Ata mendojnë vetëm për vete

    Lajme tjera

    Moti sot në Maqedoni

    Moti sot do të jetë kryesisht me vranësira, ndërsa në pjesën jugperëndimore të vendit do të ketë kushte…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë