Si e shohin liderët e partive shqiptare në RMV nismën “Ballkan i hapur” pa Kosovën

    Si e shohin liderët e partive shqiptare në vend, nismën “Ballkan i hapur” pa Kosovën e inkuadruar në të? Për kreun e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, “Open Balkan” është nismë që le anash Kosovën dhe në mënyrë indirekte anashkalohet edhe njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.

    “Keni parasysh një fakt, ish kancelarja gjermane, Angela Merkel çdo herë kur u hapën negociatat e Serbisë me BE-në e ka bërë fare të qartë që fundi i këtij procesi është njohja e pavarësisë së Kosovës. Çdo iniciativë që nuk e ka brenda Kosovën është vetëm tendencë e Serbisë dhe Vuçiqit  për të anashkaluar, për t’i bërë by pass njohjes së pavarësisë së Kosovës”, tha Ziadin Sela, kryetar i ASh-së.

    Për liderin e integristëve, Ali Ahmeti, nga “Open Balkan” më së shumti do të përfitojnë qytetarët e Ballkanit, ndërsa sipas tij kjo nismë është lehtësim i rrugës drejt anëtarësimin drejt BE.

    “Aktualisht kjo është një nismë vullnetare që përfaqësohet nga tre shtete, Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia, me të drejtë që t’i bashkëngjiten edhe të tjerët. Me tema shumë pragmatike, të prekshme, lehtësira nëpër kufij, lehtësira për tregti dhe mallra që kanë afat skadence, d.m.th. që janë marrëveshje shumë të leverdishme për njerëzit dhe iniciativë e paimponueshme por vullnetare”, pohoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

    Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami vlerëson se iniciativa është për thellimin e bashkëpunimit rajonal, por kërkon pjesëmarrje të barabartë të gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimorë.

    “Jemi dhe do të jemi për thellimin e bashkëpunimit rajonal, por mendojmë se çdo nismë duhet t’i shërbejë përshpejtimit të rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut dhe të vendeve tjera drejt Bashkimit Evropian, thënë më qartë Lëvizja BESA është pro nismave që garanton pjesëmarrje të barabartë për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

    Kreu i Alternativës, Afrim Gashi,  thotë se “Ballkan i hapur” duhet parë si një mundësi që Kosova të ulet në një tavolinë me Serbinë dhe të jetë një njohje de facto e cila do të çonte deri te njohja de jure e Kosovës nga ana e Serbisë.  

    “Në fakt, sipas meje, pyetja e vërtetë është pse Kosova e Shqipëria nuk janë në një tavolinë dhe nuk janë bashkë në këtë iniciativë e jo çka mendojnë liderët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Sidoqoftë, unë uroj dhe bëj thirrje që të analizohen iniciativat nga më shumë dimensione dhe natyrisht që në fund duhet të respektojmë vendimet e shteteve sovrane, çfarëdo qofshin ato, por dëshira dhe angazhimi im është në drejtimin që i tërë rajoni të jetë sa më shpejtë dhe bashkërisht të jetë pjesë integrale e BE-së se përndryshe asnjë iniciativë qëllimmirë nuk do ishte funksionale”, pohoi Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

    Të gjithë liderët politik pikë të përbashkët të mendimit kanë që as kjo iniciativë dhe as çfarëdolloj nisme tjetër të mos jetë zëvendësim për procesin e integrimit të rajonit në BE. Nisma rajonale për bashkëpunim “Ballkani i hapur”, ku janë të përfshira Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve mes këtyre tri vendeve./tv21/

    Lajmi Paraprak

    A do të përfshihen në Kushtetutë bullgarët që jetojnë në Maqedoni?

    Lajmi i rradhës

    Dendias: Greqia ndjen “një detyrë të madhe morale për të ndihmuar të gjithë rajonin t’i bashkohet Europës”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë