Në 35-vjetorin e nisjes së lëvizjes për pajtimin e gjaqeve janë transmetuar rrëfime të katër aktivistëve, të cilët ishin angazhuar në vitet e ’90 bashkë me shumë të tjerë për pajtimin e gjaqeve.
Murteza Kurti, kameraman dhe aktivist, Shqipe Bytyçi, aktivist, Ilir Bytyçi, aktivist dhe Arben Hoxha, aktivist, kanë rrëfyer në emisionin “Kallxo Përnime” se si nisi lëvizja për pajtimin e gjaqeve.
“Të rinjtë të cilët kanë ra në burg dhe kanë vuajtë me tortura të mëdha por aty e kanë pa rëndësinë e faljes së gjaqeve. Tjetra arsye është sepse të rinjtë kanë qenë vizionarë që për arritjen e lirisë duhet bashkimi kombëtar”, thot Ilir Bytyçi, aktivist.
Arben Hoxha tregon se si të rinjtë ishin orientuar nga profesori Zekeria Cana tek Anton Çetta dhe se pse Çetta ishte personi i duhur për këtë lëvizje.
“Konteksti ka qenë sepse Cana ka qenë një ndër aktivistët më të fuqishëm gjatë viteve ’80 dhe ata kanë pasur besim në atë. Cana më pas i orienton tek Anton Çetta. Ideja ka qenë shumë e qëlluar dhe e saktë. Anton Çetta është një nga njohësit më të mirë të zonave etnokulturore të Kosovës dhe një aksion i tillë kaq i madh kërkon një njëri që ka njohje. Çetta është themelues i folkloristikës kosovare. Pajtimi i gjaqeve e ka kërkuar një njëri të tillë”, tha ai.
Aktivistja Shqipe Bytyçi rrëfen rolin e gruas në pajtimin e gjaqeve dhe mënyrën se si ajo bashkë me aktivistë të tjerë i janë qasur atyre.
“Në prapaskenë gratë e kanë pasë fjalën shumë. Gruaja e ka përjetu dhimbjen (për humbjen) e djalit, vëllait, babait, në forma të ndryshme. Atë dhimbje ajo e ka bartë. Në Kanun thuhet që “nana i ka mbajtë teshat e gjakosura të djalit të vrarë”. Ka bërë presion te të tjerët sepse dhimbja ka qenë e madhe. Ka bo presion me marrë kryesisht gjakun. Prandaj ka qenë nëna ajo që e ka pasë dhimbjen e madhe. Burrat nuk kanë pasë guxim pa e marrë miratimin e gruas në prapaskenë me e fal gjakun”, thotë ajo.
Bytyçi thot se ka qenë shumë e rëndësishme gjatë takimeve me familjet për faljen e gjaqeve të identifikohen personat të cilët po e pengojnë procesin dhe të flitet me ta.
Aktivisti dhe kameramani në atë kohë, Murteza Kurti, thotº se ideja për xhirimin e këtyre takimeve nuk ka qenë publiciteti por ruajtja e tyre për më vonë.
“Unë kam vepru ashtu që jam ulë si pjesë e grupit dhe kamerën jo me u ekspozu por ulur. Unë nuk jam pa. Lëvizja ka qenë shumë e ngadalshme dhe e paparë. Për Zekeria Cana ka qenë i interesuar, Lorik Cana, për me bë një dokumentar. Këto materiale i kam të digjitalizuar falë tij”, tha Kurti.
Kurti tregon se si u përfshi në lëvizjen e pajtimit të gjaqeve ndërsa rrëfen rolin e profesor Anton Çettës në atë periudhë.
“Unë falë Ilir Bytyçit, ky më ka thirrë dhe kam vendos ta bëj këtë xhirim. Nuk kam mendu që do të emetohen ndonjëherë sepse nuk e dinim si do të shkonte puna. Rolin kryesor e ka luajtur profesor Anton Çetta në pajtimin e gjaqeve, sepse veç ai që e ka falë e di se çfarë do të thotë. Për mua Anton Çetta ka qenë një engjëll, sa herë kam qenë afër tij jam ndjerë i sigurt”, tha ai.
Në vitin 1990 kishte nisur në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.
Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që ka hyrë në histori si vit i bashkimit dhe i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë. /Kallxo.com/