Si po planifikon Britania t’i ndalojë emigrantët nga Shqipëria?

    Emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve dhe frenimi i këtij fenomeni ka qenë kryetemë e mediave dhe e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar përgjatë muajve të fundit.

    Pavarësisht numrit të papërfillshëm të atyre që kalonin kanalin e La Manshit, Londra e shndërroi “shpimin” e gomoneve në prioritetin kryesor të saj, shpesh herë duke përdorur dhe një gjuhë denigruese ndaj shqiptarëve.

    “Jam këtu për të vëzhguar dëbimin e emigrantëve shqiptarë. Kujdestarët sapo u larguan. Janë rrugës për në aeroport dhe në mëngjes do të jenë në Tiranë. Jam takuar me stafin e shkëlqyer që punon pa pushim për t’i gjetur shqiptarët dhe ndaluar ata”, deklaroi ministri për Emigracionin Robert Jenrick, në 13 janar 2023.

    Sipas të dhënave zyrtare, gati 13,000 shqiptarë arritën në Britani nga Franca vitin e kaluar, ndërsa numri total i emigrantëve të paligjshëm në varka të vogla ishte 45 mijë, sa numri vjetor i pasagjerëve në linjën më pak të përdorur të një metroje në Londër. Por si u krijua “problemi shqiptar” në opinionin publik të Mbretërisë së Bashkuar? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje duhet risjellë në vëmendje kriza politike, fillimisht me dorëheqjen e kryeministrit, Boris Johnson, më pas të Liz Truss, njëri për skandale me festa dhe tjetra për pamundësi për të mbajtur premtimin për rimëkëmbje ekonomike, transmeton A2.

    Pasuesi i tyre është Rishi Sunak, i cili sipas analistëve të shumtë në Britani dhe jashtë saj, largoi vëmendjen nga problemi kryesor, kriza politike dhe ekonomike, duke kërkuar një “varkë” shpëtimi tek emigracioni i paligjshëm. Në ndihmë të tij erdhën një sërë shkrimesh nga mediat britanike, që portretizuan jo pak herë shqiptarët si kriminelë që kanë mbushur burgjet, edhe pse në shifra zyrtare është një numër tepër i vogël krahasuar me vendasit. Kjo bëri që mijëra shqiptarë të manifestonin paqësisht në kryeqytetin britanik. Megjithatë, ajo çfarë flitej në gazeta “detyroi” qeverinë e Sunak, djalë i prindërve emigrantë, të merrte masa për të mbyllur kufijtë për “pushtuesit” ilegalë shqiptarë.

    “Asnjë shqiptar i vetëm nuk duhet të pranohet si refugjat. Shqipëria nuk është një vend i shkatërruar nga lufta dhe është shumë e vështirë të argumentohet se kërkesat për azil janë legjitime. Ekziston një problem i veçantë me burrat shqiptarë që kalojnë kanalin ilegalisht ose për të gjetur punë për rreth nëntë muaj ose për të punuar me kriminelë që kërkohen ndërkombëtarisht”, u shpreh sekretarja e brendshme britanike Suella Braverman në 1 nëntor 2022.

    Përgjigje i ktheu kryeministri Rama duke i tërhequr vërejtje për gjuhën e përdorur dhe sugjeruar që Britania të veprojë si Gjermania për shqyrtimin e azilkërkuesve shqiptarë.

    “Nuk ka të bëjë më një person, por me klimën që është krijuara; me faktin se po kërkohen koka turku dhe po fajësohen të tjerët. Nuk ka të bëjë me shqiptarët apo alienët apo gangsterët, por me politikat e dështuara mbi kufijtë dhe krimin. Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program e as vizion. Ajo nxit ksenofobi duke shënjestruar dhe veçuar vetëm një komunitet. Unë vlerësoj gjithçka që përfaqëson politika Britanike, por jam vërteti neveritur lidhur me këtë lloj politike e cila në fund është e destinuar të dështojë”, deklaroi kryeministri Edi Rama më 3 nëntor 2022.

    Fillimisht u prezantua një skemë për dëbimin e shpejtë të shqiptarëve nga Britania, më pas një marrëveshje prej 72 milionë eurosh me Francën për të shtuar patrullimet në brigjet pranë La Manshit, një tjetër ujdi me qeverinë e Tiranës për patrullim të oficerëve anglezë në aeroportin e Rinasit me detyrën për të zbuluar emigrantët potencialë, e deri tek ashpërsimi i ligjit për azilkërkuesit, I cili u kritikua ashpër nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Përfaqësuesja e UNHCR-së, Vicky Tennant, tha se një masë e tillë do të përbënte shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe nuk ishte e nevojshme për të ndalur hyrjet në kanalin e La Manshit.

    Qeveria e Sunak jo vetëm që nuk është tërhequr por nuk është ndalur me kaq. Këtë muaj, kryeministri britanik pranoi të paguante një faturë të majme mbi 500 milionë euro presidentit francez për të ngritur një qendër paraburgimi në Francën veriore për të futur aty emigrantët e paligjshëm që do të tentojnë të kalojnë me gomone. Në marrëveshje përfshihej dhe angazhimi i qindra policëve nga të dyja vendet dhe pajisjeve high-tech të survejimit nga lart. Edhe ky plan u has me kritika të forta nga organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kryqin e Kuq. Nëse shqiptarët ishin vërtet kriza e kësaj dekade për Britaninë siç ata pretendojnë, një përgjigje i jep vetë qeveria e këtij vendi, përmes konfirmimit se gjatë këtij viti i duhen 1 milionë emigrantë për të bërë punët e rëndomta që anglezët nuk preferojnë t’i bëjnë.

    Lajmi Paraprak

    Fëmijët të cilët ndihmojnë në punët e shtëpisë janë më të suksesshëm

    Lajmi i rradhës

    Produktet natyrale të pastrimit që nuk duhet të mungojnë në shtëpi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë