Turistët nga Serbia në Maqedoninë e Veriut mund të shfrytëzojnë disa privilegje gjatë sezonit veror, në shenjë falënderimi për ndihmën e ofruar në vaksinimin e popullatës, përcjell Nistori.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev më herët kishte paralajmëruar që turistët serb do të lirohen nga pagesa rrugore, derisa Qeveria ka vendosur të shfrytëzohen 50 mijë teste PCR falas për turistët e huaj, si një nxitje për ringjalljen e turizmit vendor.
Ndërkohë, REL raportoi që Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Promovimin e Turizmit, i ka propozuar qeverisë së vendit që turistët serbë, të kenë bileta falas për të gjithë muzetë, parkim falas në të gjitha qytetet si dhe zbritje në të gjitha objektet gastronomike dhe ato të akomodimit. Asociacioni i Hotelierëve, në këtë drejtim ka bërë të ditur se është duke shqyrtuar mundësinë për të ofruar pako të ngjashme edhe për mysafirë nga vendet e tjera fqinje, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Bullgaria, duke llogaritur që në Maqedoni e Veriut gjatë muajit shkurt janë regjistruar 11 835 turistë të huaj, shumica prej të cilëve nga Kosova (2 518), Shqipëria (2 185) dhe Serbia (1 891).
“Mendoj se jemi në rrugën e duhur. Na është premtuar se gjatë kësaj jave do të filloi vaksinimi i personelit të sektorit të hotelerisë dhe shpresoj se gjatë muajit maj, do të vaksinohet i gjithë personeli i këtij sektori, kështu që turistëve do të mund tu ofrojmë një destinacon të sigurt, pasi këtë e presin partnerët tonë nga jashtë vendit, se Maqedonia e Veriut paraqet një destinacion të sigurt”, thotë Kërste Bllazhevski, kryetari i Asociacionit të Hotelerive, i cili theksoi që në hotelet me katër yje, një person me mëngjes dhe darkë, do të paguajë vetëm 25 euro.
Vlladimir Gramatikov, kryetari i Odës Turistike dhe Gastronomisë, paralajmëroi që pritet ardhje e turistëve nga Polonia, Izraeli e Hoalnda, por pengesë mund të jetë karantina gjatë kthimit në vendin e tyre.