Sindikatat në RMV: Kërkojmë rritje pagash sikurse të politikanëve

    Punonjësit e NPK Tetovë në grevë / Fotografia: Tetovoinfo

    Sindikatat në Maqedoninë e Veriut kërkojnë rritje të pagave sikurse për funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar, të cilët nga muaji prill nisën t’i marrin ato me rritje prej 78 për qind, ose nga 1.000 deri më 1.200 euro.

    Bëhet fjalë për rreth një mijë funksionarë të lartë dhe rreth një mijë gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi ngrirjen e një neni në Ligjin e Pagave, ku llogaritet koeficienti në varësi të pozicionit.

    Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pranoi se paga e tij është rritur për 1.200 euro, pra nga 1.500 euro (93 mijë denarë) në 2.700 euro (165 mijë denarë).

    Kreu i shtetit është zyrtari i vetëm që ka folur publikisht për rritjen e pagës, por edhe që ka kërkuar ndryshimin e koeficientit për uljen e saj.

    “Mendoj se është e papëlqyeshme ngritja e pagave nga buxheti i shtetit në kohë të krizës ekonomike”, ka deklaruar ai, në një prononcim për agjencinë e lajmeve AIM.

    Darko Dimovski, kryetar Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut, thotë se “rritja marramendëse” e pagave të zyrtarëve është “e dhimbshme” për gjithë ata qytetarë që nuk po arrijnë të sigurojnë as gjërat më elementare për jetë.

    Paga minimale në Maqedoninë e Veriut, me rritjen e fundit prej 35 eurove arrin në 320 euro, ndërsa ajo mesatare sillet rreth 530 euro.

    Dimovski thotë se “rritja prej 35 eurove për punëtorët dhe prej më shumë se një mijë euro për funksionarët flet qartë se për kë kujdesen ata në këtë shtet”.

    “Me 35 euro (dy mijë denarë) punëtori nuk mund ta përballojë muajin. Zyrtarët u kujdesen për veten e tyre duke rritur pagat me 78 për qind”.

    “Ne nuk dorëzohemi, kërkojmë gjithashtu rritje të pagave, ose ata le t’i ulin në nivelin e mëparshëm. Ata përveç se rritën pagat vazhdojnë edhe të na gënjejnë se gjoja po ulin çmimet, por të gjithë ne jemi dëshmitarë se si po e kalojmë muajin”, thotë ai.

    Sipas sindikatës, për dallimin e madh të pagave flet edhe fakti se për pagën e presidentit një punëtori me pagë minimale i duhet të punojë tetë muaj.

    Tafa Ameti, nënkryetar i Sindikatës së Arsimit, kujton përpjekjet e shumta të kësaj sindikate për një rritje simbolike të pagave të punonjësve të arsimit.

    Ai thotë se zyrtarët rritën pagat në heshtje, ndërkohë që për pagat e mësimdhënësve kishte protesta, bojkote, e kërcënime për largime nga puna.

    Pagat e mësimdhënësve në Maqedoninë e Veriut janë rritur në tetor të vitit të kaluar për 15 për qind, apo mes 25 dhe 35 euro.

    Sipas tij, edhe mësimdhënësit duhet ta kenë të rregulluar çështjen e pagave, apo rritjen e tyre bazuar në parametrat e pagës minimale.

    “Jo vetëm ne, por të gjithë janë të revoltuar. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk bëjnë punë për atë rrogë në këtë shtet me ekonomi të rënduar”.

    “Ata e shumëzojnë koeficientin me rrogën mesatare sepse s’ka rrogë minimale për zyrtarët, andaj edhe kanë këtë rritje. Me rritjen e rrogës minimale ne prisnin që të kemi një rritje për shkak se kërkesa jonë është që koeficientin e pagave tona ta lidhim me pagën minimale në shtet, por kjo nuk u pranua nga Ministria e Arsimit. Ne presim që të kemi një rritje në të ardhmen, sidomos në shtator dhe janar”, thotë ai.

    Rritje më të madhe të pagës në shtet, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e ka Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, i cili nga 1.500 euro, tani do të paguhet 2.750 euro në muaj – pra, 1.250 euro më shumë.

    Kryeministri nga 1.300 euro, tani do të paguhet 2450 euro në muaj.

    Pagë prej 2.000 deri 2.500 euro do të marrin zëvendëskryeministrat dhe ministrat, të cilët më herët paguheshin rreth 1.200 euro në muaj.

    Ndërsa paga e deputetëve është rritur për afër 900 euro, duke e çuar në rreth 1.800 euro, pa shtesat për mëditje, rrugë dhe pagesa tjera për udhëtime jashtë vendit.

    Rritja e pagave të zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar në masën e 78 për qind ndodhi përkundër vërejtjes së Bankës Botërore se “një rritje e tillë në kushte të krizës ekonomike nuk është mënyra më e mirë për rritje e pagave të funksionarëve”.

    “Rritja e këtillë do t’i kushtoj buxhetit të shtetit të paktën dy milion euro në muaj, para këto që do të paguhen nga taksapaguesit e këtij shteti. Sa më shumë që të vonohet miratimi i Ligjit për Paga, aq më shumë para nga buxheti i shtetit do të derdhen në kontot të zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar”, thuhet në reagimin e Bankës Botërore. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Estetika si vlerë në komunikim

    Lajmi i rradhës

    Veterineri Selmani: Tash për tash qentë endacakë në Tetovë janë një rrezik potencial – nuk janë të vaksinuar edhe trajtuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë