Estetika si vlerë në komunikim

    Qëndresa Prapashtica

    Ekziston një qëndrim ambivalent, i parë në ndërveprimet e jetës së përditshme, ndaj njerëzve që “flasin bukur”. Në kontekstin shqiptar prej historikut të ndarjes së dialekteve dhe promovimit të njërit mbi tjetrin duke pasuar mëpastaj persekutimin e përdorimit të gjuhës shqipe, ne kemi trashëguar një version gjuhe të folur me ndërprerje të paqarta të diskursit. Prandaj në shoqëritë e vogla kolektiviste e gjenë edhe një komunikim më të thjeshtësuar – një trajtë të ‘përjetshme’ të diskursit të shabllonizuar prej të cilit ata që tentojnë të distancohen do t’iu duhet një energji më e madhe e ballafaqimit kundrejt trendit.

    Gjuha si mjet komunikimi bartë një fond të gjërë dhe të thellë të relacioneve ndërnjerëzore dhe shënon të dokumentuar vetë eksperiencën e të qenit gjallë. Kur e përshëndesim dikë, përveç momentit të zbërthimit të raportit me atë person, në kemi përçuar edhe një sinjal jete – të aktivitetit kognitiv, emocional dhe psikomotorik në atë moment.

    Mbi të gjitha, sipas përshkrimit të studimit të psikotraumatologjisë sot, kur flasim është e vetmja mënyra t’i përcjellin dhe përshkruajmë emocionet tona dhe duhet ta bëjmë parasë të jetë vonë sepse studimet më të fundit raportojnë që problemi themelor që sjellë zhvillimin e sëmundjeve auto-imune nuk është stresi i jashtëm sikur përshembull ngjarjet jetësore por një pafuqishmëri e kushtëzuar nga ambienti që nuk lejon asnjë nga përgjigjët normale ndaj stresit – ikjen apo luftimin. Represioni i emocioneve negative, shtypja e tyre i çon në një vend të padukshëm brenda nesh, duke na bërë të pavetëdijshëm që kemi në fakt bartje të stresit “për së rëndi” çdo ditë duke na bërë të pavëmendshëm ndaj nevojave tona dhe zhvillojmë sjellje apo shprehi që na largojnë çdo ditë e më shumë nga zgjidhja e këtyre konflikteve të brendshme. Heshtja kundrejt asaj që na shqetëson bëhet një vezë e ngjizur brenda që një ditë mbase mund të shpërthejë në lindjen e një dragoi që sulmon vet qelizat tona të shëndetshme dhe në këtë fazë në vend të gjuhës verbale kumbon joverbalisht nga trupi ynë një “Jo” thumbuese të cilën ne vet e kemi shmangur gjatë. Gabor Mate flet më në detaje për këtë fenomen. Krahas shkrirjes së Antarktikut në valët e ngrohjes globale, këto sinjale të kohës sonë flasin më një zë të butë që do të rritet e burrërohet me hulumtimet e reja nga shkenca mjekësore dhe të psikologjisë, që zbehin thelbin e dualizmit kartezian “mendje-trup” duke i sjellë këto dyja si një njësi të vetme që e ndikojnë njëra-tjetrën po aq me shpejtësi dhe sinkronizim sikur partnerët e një tangoje. Nëse e imagjinojmë sot një botë ku është pranuar ndikimi i stresit të patrajtuar në shëndetit fizik, çfarë stili të jetës do të bënim? Po të mos e kishim gjuhën dhe nivelet e saj komplekse si do të flisnim për këto fenomene? Prandaj ky shkrim bazohet në premisën që duhet ta përdorim gjuhën në nivelet më të avancuara të saj që të arrijmë trajta të reja të ideve poashtu dhe të lehtësimit emocional.

    E dijmë që Ajnjshajni ka pasë thënë që nëse nuk arrijmë t’ia përcjellim dikujt njohuritë tona me nivelin e gjuhës së të kuptuarit të një 6 vjeçari, atëherë s’e kemi kuptuar as ne – kjo përbënë një filozofi interesante. Gjuha e thjeshtë dhe direkte –  si është e mundur të barttë mesazhe komplekse? Mbase kur ia shpjegojmë një fëmiu të kësaj moshe një fenomen që ende i duhet kohë ta përjetojë, përdorim krahasime dhe metafora për t’ia sjellë më afër në kognicionin e tij/saj. Një krahasim të tillë të reduktuar që përdoret si simbolikë në arte dhe ka qenë pjesë e përhershme e letërsisë gojore shqiptare e përjcellur edhe në poezitë lirike disa prej të cilave i dëgjojmë në formë të këngës. E tillë si “faqet e kuqe si molla”, një shprehje që nixtë imazhin e supozimit të shëndetit dhe mirëqenies por mbase dhe të freskisë rinore. Prandaj metafora si vegël për përkthimin e mesazheve më komplekse në mënyrë më të thjeshtëzuar ka dhe një funksion tjetër në aspektin neuro-fiziologjik. Metafora ka fuqinë të shndërrojë fjalën në nxitje të zonave të kujtesës fotografike në sistemet tona nervore ku asocohet fjala me një imazh të njohur duke e nxitur përkujtimin fotografik të saj, mandje mund të nxisë përkujtimin e përjetimeve, spektrit të aromave, imazheve etj., të cilat i sjellim si memorie të fragmentuar në mendjen tonë mandej reagojmë emocionalisht ndaj këtij përkujtimi – nëse është e këndshme, buzëqeshim dhe e përjetojmë mbase edhe në reduktimin e stresit dhe rregullimi të homeostazës duke e përkthyer një bisedë të këndshme në një përjetim të këndshëm. Kështu, kjo magji e metaforës na ndihmon të përjetojmë fjalët më një efekt të gjallë përmes imazheve direkte na bën poashtu të kuptojmë më shpejtë materialin që prezantohet duke i internalizuar konceptet komplekse në mënyrë efektive dhe kreative. Ngjashëm edhe fëmiu gjashtë vjeçar do ta ketë përjetësisht të ngulitur kuptimin e diçkaje që i është prezentuar mbi bazën e këtij komunikimi.

    Metafora tradicionialisht i është atribuuar letërsisë si mënyrë e të shprehurit duke qenë se forma të tilla të krijimit të artit letrat siç është poezia barttë me vete këtë formë komunikimi.

    Por, të nderuar, metafora i takon vetë jetës.

    Nëse flasim për pemët dhe stinët, kur ndryshojnë moshë, plaken dhe rigjenerohen – ne kemi folur për fenomenin e ciklit të jetës, vdekjes dhe ringjenerimit. Përdorimi i saj ka forcë të nxisë emocione të fuqishme dhe përodret si mjet në komunikime mediale, marketing, fjalime frymëzuese, në botën e biznesit dhe në botën e religjionit. Madje diskursi religjioz është i pasur më përshkrime krahasuese, që nxisin imagjinatën dhe përdorin metaforën për të sjellë më afër përjetime që përndryshe kanë ndodhur mijëra vite më parë. Falë gjuhës dhe kësaj metode të interpretimit të saj në komunikojmë më të kaluarën, të tashmen dhe projektojmë të ardhmën.

    Në fund të fundit, metafora ka edhe një funksion estetik në gjuhë. Përdorimi i saj ndonjëherë ka funksion lozonjar dhe zbukurues. Në situata romantike është lavdëruar përdorimi i saj në letërsi por dhe në jetën e përditshme përmbanë potencialin e nxitjes së emocioneve dhe afekteve më komplekse. Në fushën e sjelljes përdorimi i saj përdoret për të nxitur akte më fisnike të sjelljes apo për të përshkruar sjellje specifike, si përshembull në rastin e heronjëve kombëtar. Në përgjithësi gjuha figurative e bën komunikimin më të pasur në shprehje dhe me efektiv në zbërthimin e mesazhit.

    Kur jemi te estetika dhe zbërthimin e principeve të së bukurës, gjuha mund të ketë funksion estetik në komunikim atëherë kur e ndjejmë se na ka sjellë një shije të kënaqësisë dhe ngjanë me një efekt anti-stresues. E marrim shembull një situtatë të përditshme kur dikush ju shërben me një kafe dhe ju e falënderoni. Mbase i thoni që kafja ishte shumë e mirë. Apo mund t’i thoni që kafja kishte shijen e mjaltit. Me një ndryshim të vogël në fjalë, vëmë bast që personi tjetër do ta mbajë mend më gjatë komplimentin tuaj dhe mund të jetë duke u ndjerë mirë me një efekt më të gjatë në ato momente. Apo ndoshta tërë atë ditë. Përshtatjet e tilla fine në komunikim, jo vetëm që ndihmojnë në zhvillimin e një stili të komunikimit unik por ju rrisin gjasat të jeni edhe më prezent në aspektin social meqë njerëzit gravitojnë më tepër drejt atyre që i kanë “fjalët e ëmbla”, apo janë “fjalë-sheqer”…

    Por fundja pse është kjo e rëndësishme? Duke qenë se e nisëm këtë bisedë me një përshkrim të shkurtër mbi ndikimin e stresit, e kundërta e estetikës ngjallë ngatërresa dhe lodhje te njerëzit. E mendoni vet se si ndjeheni kur kaloni një ditë pasi keni dëgjuar një diskurs jo të këndshëm diskutimi apo dikush ka përdorur fjalë të rënda në përshkrimin e diçkaje. E njëjta metodë krahasimi mund të përdorët kur ecni pas punës në një lagje të ngarkuar me ndërtesa të parregullta, gjëra të hudhura gjithandej dhe mbase dhe rruga nuk është e shtruar mirë – dhe si ndjeheni kur ecni në një rrugë më kalldrëm, më ndërtesa të vjetra por të rregullta, më qoshe të pastërta dhe kur diku nga ende nuk e dini se ku – endet një arome e bukëve të pjekura në furrë… po ngjashëm kur kaloni në një gumëzhimë njerëzish dhe padashje merrni me vete fjalët e dikujt… nëse ishin të mira do të ndjeheni edhe ju mirë… nëse s’ishin do të ndjeheni ashtu siç ishin… edhepse asgjë nga këto nuk është personale për ju…

    Njerëzimi ka kërkuar gjithmonë vlerën estetike për t’ia përshtatur një gjendjeje më të mirë, një ndjesie më të lartë të mirëqenies. Në arkitekturë përshembull kur përshkruhen me lavd tempujt e Solomonit, përveç ndërtimit unik të tyre dhe bukurisë që e përcjellnin të vëzhguesit ato bartnin edhe thënie brenda mureve që supozohej që vizitori do t’i lexonte dhe përjetonte si një akt sublim i përmendjes së emrit të Zotit. Kështu njeriu, ky dimension i tretë ku jetojmë dhe aspekti metafizik takohen.

    A ia vlenë të investojmë në nivelin estetik të përdorimit të gjuhës? Në nivelin shëndetësor po, do të ndjehemi më mirë, do të uleshin nivelet e stresit, do të përjetojmë më shumë kënaqësi. Është një thënie e bukur e sufistëve që më kujtohet shpesh: Parase të thuash diçka sigurohu të përgjigjesh brenda vetes në këto tri pyetje – a është e vërtetë?; a është e domosdoshme?; a është e mirë?.

    Estetika në komunikim është një vlerë e shtuar, një tentim për të hapur më tepër bashkëbisedime që nxisin përjetime kongnitive, emocionale dhe rrjedhimisht përkthehen në sjellje më të rafinuara. Sepse njeriu i frymëzuar nga fjalët inkurajuese dhe të përshtatshme mund të besoj për një çast që nëse është e nevojshme “i kapërcen malet”, për t’iu rikthyer një kuptimi të ri më të bukur të jetës së saj dhe të tij. Të tyre, të neve.

    Gjuha si arma më e mprehtë që e posedojmë, pavarësisht se jetojmë në kohën e armëve bërthamore, ka fuqinë paradoksale të ngjallë dhe ripërtrijë. Të shërojë dhe qetësojë. Të aktivizojë sinjale estetike. Të zbukurojë… dhe kush nuk e pëlqen të bukurën?

    Lajmi Paraprak

    Komuna e Tetovës: Qeveria nuk e pranon kërkesën tonë për dëmshpërblimin e dëmeve të shkaktuara gjatë vërshimeve

    Lajmi i rradhës

    Sindikatat në RMV: Kërkojmë rritje pagash sikurse të politikanëve

    Lajme tjera

    Non paper non grata

    Dy dokumente joformale (non paper) e kanë tronditur Ballkanin. Cilat janë implikimet e këtyre dokumenteve dhe si mund…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë