SPB Kumanovë ngriti kallëzim penal kundër F.A. nga Kumanova për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar” sipas nenit 353 paragrafi 4, në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal.
“I pandehuri – si drejtor i Institucionit Publik Shëndetësor “Shtëpia e Shëndetit” Kumanovë, në periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2024, ka lidhur kontrata të paligjshme pune dhe ka punësuar persona në institucion pa miratimin paraprak nga Ministria e Shëndetësisë, dhe më pas, pa marrë pëlqimin nga Ministria e Financave, ka punësuar në mënyrë të paligjshme gjithsej 127 persona, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës dhe në kundërshtim me Ligjin për transformim në punësim të rregullt të konstatuara nga Inspektorati Shtetëror i Punës”, njofton MPB.
Atyre personave, i akuzuari u ka paguar në mënyrë të paligjshme paga në shumën totale prej 21.594.510 denarësh dhe po aq e kanë dëmtuar buxhetin e Institucionit Publik Shëndetësor “Shtëpia e Shëndetit” Kumanovë.