Objekti i gjimnazit në Dibër, i paregjistruar!

    Objekti modern dhe prestigjioz i shkollës së mesme në Dibër “28 Nëntori”, është një ndër objektet më të mira në vend. Por, ai nuk është i regjistruar, për çka kohëve të fundit realizohen debate si në institucionet lokale ashtu edhe në shoqatat qytetare. Kërkohen shkaqet se përse ky objekt grandioz nuk figuron në listën e objekteve të regjistruara në komunën e Dibrës. Tani për tani informatat që prezantohen nga komuna Dibër, njësia e kadastrës në Dibër por edhe nga shkolla e mesme “28 Nëntori”, flasin se objekti është i paregjistruar por nuk ka të dhëna zyrtare për shkaqet.

    Udhëheqësi i sektorit për urbanizëm pran komunës Dibër Durim Fetahu, duke dhënë sqarime rreth objektit të gjimnazit, para këshilltarëve të komunës Dibër tha se objekti që u ndërtua nga Agjencia për Zhvillim “Tika” i Turqisë nuk është i regjistruar.

    “Gjatë ndërtimit të objektit Tika ka patur edhe organizim mbikëqyrës . Pas ndërtimit të objektit nuk është bë pranim dorëzimi i objektit. Ne nuk kemi informata për shkaqet meqë siç thash organi mbikëqyrës nuk ka qenë i përcaktuar nga komuna Dibër. Por, në Dibër ka disa objekte të cilat nuk janë të regjistruara edhe pse janë objekte publike”, tha Fetahu.

    Në debatin në të cilën u kyçën edhe anëtaret e këshillit Bleta Sela dhe Etlira Lata, përndryshe të punësuara në gjimnazin e Dibrës, poashtu u potencua fakti se për pranim-dorëzim të objektit nuk ka raport edhe pse shkolla si e tillë ka patur edhe elaboratin që i janë dorëzuar organit mbikëqyrës. Në lidhje me problemin nga ana e kryetarit të komunës Dibër Hekuran Duka u janë dhënë detyrime organeve kompetente që të shohin shkaqet se përse objekti i bukur i gjimnazit vazhdon të jetë i paregjistruar në regjistrin e pasurive të patundshme.

    Informatën në lidhje me ndërtimin të objektit të ri të gjimnazit të Dibrës kërkuam edhe nga disa institucione kompetente që funksionojnë në Dibër. Drejtori i njësisë të kadastrës në Dibër Sait Abazoski, tha se objekti i shkollës së mesme komunale në Dibër nuk është i regjistruar. Kjo tregon se edhe pse “Tika” ndërtoi këtë objekt grandioz edhe atë në kohën të ish kryetarit të ndjerë Ruzhdi Lata, objekti mbetet i paregjistruar. Nga pushteti vendor potencojnë se është kërkuar edhe sqarime nga organizata ndërkombëtare turke “Tika”, me qëllim që objekti të regjistrohet. Përndryshe “Tika” paralelisht përveç ndërtimit të objektit të ri të gjimnazit, ndërtoi edhe varrezat e vjetra dibrane nga koha osmane. Përndryshe, “Tika” poashtu pritet që të bëjë rikonstruimin të xhamisë mbretërore “Inqar” në Dibër e cila është një ndër xhamitë më të vjetra që janë ndërtuar në Ballkan. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Rruga Tetovë-Prizren sërish përplas opozitën me pushtetin

    Lajmi i rradhës

    Saliu: etnitë tjera shkruhen si romë për të fituar vende pune

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë