Qeveria, në seancën e sotme, vendosi të revokojë licencat për kultivimin e marijuanës për qëllime mjekësore të gjashtë kompanive, te të cilat komisioni i formuar nga Ministria e Shëndetësisë konstatoi mangësi në veprimtarinë e tyre, përcjell Nistori.
Vendimi u njoftua në një konferencë për shtyp nga ministri përkatës, Azir Aliu, i cili gjatë prezantimit dhe në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve tha se këto janë gjashtë kompanitë e para të cilave u janë revokuar licencat, nga gjithsej 43 kompani që do t’i nënshtrohen inspektimit.
“Deri më tani janë kryer 13 inspektime në subjektet juridike të licencuara, ndërsa parregullsi janë identifikuar në gjashtë prej tyre, në përputhje me Ligjin për Kontrollin e Drogave Narkotike dhe Substancave Psikotrope. Prandaj, Qeveria në seancën e sotme vendosi të revokojë miratimin për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore për këto gjashtë subjekte juridike”, tha Aliu.
Si përkujtesë, Ministria e Shëndetësisë e formoi komisionin pas sekuestrimit të 40 tonëve marijuanë në vend nga disa kompani. Ky veprim pasoi zbulimin e pesë tonëve marijuanë në Serbi, për të cilën autoritetet atje njoftuan se kanabisi kishte origjinë nga Maqedonia.
Prokuroria për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OJO GOKK) hapi hetim ndaj gjashtë personave të dyshuar për përfshirje ose lidhje me kontrabandën e marijuanës nga Maqedonia në Serbi.
Siç bëri të ditur Aliu, licencat e kompanive “Alfafarm”, “Greenlife”, “CBD Medplant”, “Lifeplant”, “Atafarm” dhe “Cannabidois” janë revokuar.
Disa prej tyre, konkretisht kompania “Alfafarm”, përmenden në hetimin e Prokurorisë Serbe për Krimin e Organizuar lidhur me zbulimin e pesë tonëve marijuanë në afërsi të Krushevcit, për të cilin dyshohet edhe njëri nga katër bashkëpronarët e saj.
Gjatë inspektimeve, sipas Aliut, janë konstatuar parregullsi në aspekte administrative, infrastrukturore dhe teknologjike, si dhe mungesë e burimeve njerëzore.
“Vendimet e Qeverisë bazohen në gjetjet nga inspektimet e kryera, të cilat evidentuan: magazinim të papërshtatshëm të luleve të thata, të gjetura të hapura dhe pa u vulosur siç duhet, të ruajtura në kuti kartoni në kundërshtim me Ligjin; mosparaqitje të njoftimeve në Komision për prodhimin, korrjen, blerjen dhe shitjen e luleve të thata; mungesë të dokumentacionit dhe kontratave që lidhen me shitjen dhe transferimin e tyre; mospërputhje ndërmjet sasive të regjistruara dhe atyre faktike të gjetura në dhomat e sigurta; si dhe mungesë të njoftimeve brenda tre ditëve për ndryshimet, sipas detyrimeve ligjore”, deklaroi ministri.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai shtoi se disa kompani nuk kishin kamera mbikëqyrjeje, disa nuk kishin staf të mjaftueshëm, ndërsa të tjera nuk kishin masa të mjaftueshme sigurie.
Sipas Aliut, sektori i kultivimit të kanabisit mjekësor duhet të funksionojë në mënyrë strikte ligjore, transparente dhe pa zona gri apo privilegje të mbrojtura.
Procesi i kontrollit, theksoi ai, ka zbuluar gjithashtu dobësi sistemike dhe boshllëqe institucionale në rregullore, të cilat mund të shfrytëzohen për abuzime.
Prandaj, pasi të përfundojnë kontrollet e të gjitha 43 subjekteve juridike dhe të identifikohen plotësisht anomalitë në sistem, do të nisë hartimi i rregulloreve të reja dhe më të forta për kultivimin e kanabisit mjekësor.
“Si Qeveri, jemi të vendosur të mos lejojmë asnjë mundësi të ardhshme për manipulim apo abuzim në këtë sektor”, tha Aliu.
I pyetur pse kontrolle të tilla nuk janë kryer më herët dhe nëse do të ketë përgjegjësi për komisionet përkatëse, Aliu u shpreh se disa nga mangësitë lidhen me mungesën e burimeve njerëzore, çka mund të ketë ndikuar në moskryerjen e kontrolleve të rregullta në të kaluarën.
“Jemi të vetëdijshëm se kapacitetet njerëzore janë të kufizuara dhe për këtë arsye mund të mos jenë kryer kontrolle të rregullta. Sidoqoftë, fillimisht do të përfundojmë procesin me të gjitha 43 kompanitë dhe më pas, bazuar në gjetjet, do të ndryshojmë rregulloren dhe do të forcojmë kapacitetet infrastrukturore”, tha ai.
Ministri theksoi se në këtë fazë nuk mund të konfirmojë nëse bëhet fjalë për revokim të përhershëm të licencave apo nëse kompanitë do të kenë mundësi të aplikojnë sërish në të ardhmen.






