Snopçe: në ASh mund të ketë zëra ndryshe, por në fund do të jemi të unifikuar

    Ndonëse Kryesia qendrore e ASh-së ka marrë vendim që në zgjedhje të shkojnë vet si parti, megjithatë këtë vendim mund ta ndryshojë Kuvendi i partisë. Kështu tha në TV21 deputeti i kësaj partie Halil Snopçe. Sipas tij ende nuk është caktuar datë për mbajtjen e mbledhjes së kuvendit, por shtoi se ndonëse mund të ketë mendime të ndryshme, partia në fund do të jetë me qëndrim të unifikuar, përcjell Nistori.

    “Kryesia qendrore e ASh para disa javëve ka sjellë vendim që ASh të del vet në zgjedhje. Ky është vendim i Kryesisë qendrore të ASh, por ne kemi një organ tjetër që është mbi Kryesinë qendrore dhe ky organ mund të ndryshojë këtë vendim. Me vet faktin që Kuvendi Qendror ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar, nuk ka mbajtur as mbledhje në këtë vakum, prej momentit kur kryesia qendrore e ka marrë këtë vendim, ne i referohemi vendimit të kryesisë qendrore”, deklaroi Halil Snopçe – deputet i ASH-së.

    Kur do të mbajë kuvendi mbledhje, a pritet së shpejti?

    “Nuk kemi caktuar datë. Kështu që ne e dimë që duhet mbahet por datë nuk kemi caktuar. Bile edhe në mbledhjen e kaluar të kryesisë qendrore nuk u caktua data”.

    “Duhet një strategji afatgjate dhe investim në arsim, vetëm kështu do të mund të arrijmë deri në rezultatet që i mori Tajvani pas një investimi miliarda eurosh për disa vite me radhë në arsim, e cila rezultoi në rritjen e GDP-në”.

    Problemin e sheh edhe në politizimin e arsimit.

    “Nuk mund të jemi shoqëri e lirë dhe injorante njëkohësisht”, thotë Snopçe duke shtuar se duhet të krijohen ambiente për të zhvilluar aftësitë nxënësit e Maqedonisë.

    Ai madje shprehet pesimist, pasi siç thotë, edhe përmbajtja e librave krijon gjenerata injorantësh, sepse thuhet se ribotohen libra, ndërkaq u ndërrohen vetëm kopertinat.

    Snopçe flet për “zërat ndryshe” në ASh

    Deputeti i Aleancës ka folur edhe për “zërat ndryshe” në parti, sa i takon asaj se a duhet kjo parti të shkojë në zgjedhje e vetme apo në koalicion.

    Ai tha se zëra ndryshe ka pasur gjithmonë, por historia ka dëshmuar se në fund Aleanca për Shqiptarët ka qenë konsistente në qëndrimet e saja dhe e unifikuar.

    Snopçe thotë se opozita nuk ka të drejtë të kërkojë anëtar në KShZ

    Sipas tij, Lidhja Europiane për Ndryshim nuk ka të drejtë të kërkojë anëtar, pasi sipas tij, që të tre liderët e koalicionit opozitar, Bilall Kasami, Izet Mexhiti dhe Afrim Gashi përfaqësohen në Komisionin Shtetëror Zgjedhor.

    “Besa e ka anëtarin e vet në KShZ, është anëtari i LSDM-së. Izet Mexhiti me partinë e vet e ka anëtarin në KShZ, është anëtari i BDI-së sepse ata kanë qenë në një listë të përbashkët. Edhe Alternativa, ka qenë anëtari i Aleancës për Shqiptarët”, tha Snopçe. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Tarifat e Brexit për automjetet elektrike: pezullim nga BE?

    Lajmi i rradhës

    Çfarë i bën trupit konsumimi i tepërt i sheqerit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë