SPASENOVSKI: THIRRJET NACIONALISTE, TË DËMSHME PËR TË GJITHË NE!

    Profesor në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” dhe ish-deputet i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Spasenovski, në një intervistë për gazetën KOHA, flet për ndryshimet kushtetuese, rrugën evropiane të vendit, shumicën e re parlamentare, kombinatorikat dhe kalkulimet, koalicionet dhe pazaret politike… Ai thotë se VMRO-DPMNE është fituesja e padiskutueshme e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ndërsa emri i tij përmendet si kandidat i mundshëm për president i shtetit

    KOHA: Ju konsiderojnë profesor të qetë dhe të arsyeshëm i së Drejtës Kushtetuese dhe Sistemit Politik. Edhe pse keni pikëpamje të djathta, shpesh jeni në gjendje t’u thoni publikisht anëtarëve të partisë se nuk mund të shkoni me kokën drejt murit. I tillë është shembulli me kërkesën për ndryshimet kushtetuese. Ndonëse kjo është e paarsyeshme për shumëkënd, Ju thoni se është teknikisht e mundur që ndryshimet kushtetuese të ndodhin dhe të kenë zbatim të vonuar. Profesor, çfarë do të fitojë Maqedonia me ndryshimet kushtetuese?

    SPASENOVSKI: Republika e Maqedonisë ka qenë jashtë BE-së për një kohë të gjatë dhe kjo ka një ndikim negativ në zhvillimin e përgjithshëm të vendit. Arsyet për këtë janë të shumanshme: nga njëra anë, ekziston mosgatishmëria e disa shteteve anëtare të Unionit për zgjerimin e tij, si dhe abuzimi i shpeshtë i mekanizmave vendimmarrës të BE-së nga shtetet tjera anëtare. Por, nga ana tjetër, është grupi tjetër i arsyeve të brendshme që lidhen me mungesën e reformave dhe praninë e një qëndrimi hipokrit, në të cilin, nën sloganin “tani në BE”, lindi një sistem thelbësisht anti-evropian në të cilin kemi mungesë të zbatimit të parimit të sundimit të ligjit.

    Para fazës së fundit të zhvillimit demokratik të Maqedonisë, fatkeqësisht u penguan kërkesat e Sofjes zyrtare, e cila natyrshëm hasi në rezistencë të madhe nga shumica e qytetarëve e vendit tonë. Të gjitha deklaratat se zgjidhja e kërkesave të shtresuara historikisht të Bullgarisë është “nga cepi”, pra se duhet të bëhen vetëm ndryshimet kushtetuese dhe se gjithçka do të zgjidhet pastaj – janë thjesht – të pasakta. Nga ana tjetër, një qeveri e përgjegjshme duhet të përcaktojë qartë përmasat e kërkesave bullgare ndaj Maqedonisë dhe maqedonasve, gjë që nuk është aspak naive dhe duhet t’i qaset këtij problemi me shumë durim, d.m.th., me filigran, duke u përpjekur ta zgjidhë atë sa më favorizues për vendin.

    Në përgjithësi, lidhur me këtë çështje – në thelb të politikës sonë duhet të jenë pikëpamjet e partnerëve tanë strategjikë si SHBA-ja dhe Gjermania. Përkundër gjithë paarsyeshmërisë së disa aspekteve të politikës së Bullgarisë ndaj Republikës së Maqedonisë, mbështetja e këtyre vendeve aleate në rrugën tonë evropiane është një variabël serioz që është me përfitim të madh për të kapërcyer mosmarrëveshjet me Sofjen zyrtare në një mënyrë që do të mbrojë interesat shtetërore të Maqedonisë, ndërsa dinamika e integrimit evropian të vendit tonë nuk do të rrezikohet.

    KOHA: Çfarë do të ndodhë nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese? Deklaratat politike për këtë çështje ishin aq të errëta sa u përmend edhe një krizë e sigurisë. Sa realistë janë këta skenarë?

    SPASENOVSKI: Është e sigurt që ndryshimet kushtetuese në këtë përbërje parlamentare nuk do të miratohen. Republika e Maqedonisë dalëngadalë po hyn në një periudhë parazgjedhore që do të fillojë joformalisht me zgjedhjen e Qeverisë së re teknike, e cila në mënyrë drastike zvogëlon mundësitë e arritjes së konsensusit ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë si e vetmja mënyrë për të bërë ndryshime kushtetuese. Kjo do të thotë se qytetarët në zgjedhje do të vendosin se cilit nga konceptet e ofruara do t’i japin legjitimitet: atij të koalicionit qeverisës apo atij të opozitës VMRO-DPMNE. Në këtë kuptim, shohim se shqiptarët po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë se partitë për të cilat votojnë rregullisht, janë në një hendek kundërthënës mes deklaratave të deklaruara për anëtarësim në BE dhe veprimeve të tyre konkrete. Pyetja e vërtetë duhet të jetë: sa më mirë jetojnë qytetarët?

    Besoj se të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike, i kanë të njëjtat probleme serioze sepse politikanët që i udhëheqin – janë të fortë në fjalë për arritjen e qëllimeve të mëdha shtetërore, por të dobët në veprime.

    Republika e Maqedonisë bëri hapin demokratik me anëtarësimin në NATO dhe kaloi testin e pjekurisë së saj demokratike në tre dekadat e fundit. Prandaj, këto lloj thirrjesh për gjoja krizë sigurie, më pëlqen të mendoj se kanë të bëjnë më shumë me dëshirën për të fituar pikë politike duke luajtur me kartën e nacionalizmit, që sigurisht është e keqe dhe e dënueshme, sepse një nacionalizëm ushqen një tjetër nacionalizëm dhe shumë pak duhet të lëvizin gjërat për të keq. Megjithatë, këto lloj qëndrimesh konfrontuese mendoj se janë në margjinat e jetës sonë politike dhe jam i bindur se janë të dënuara dhe të ulëta. Në lidhje me këtë temë, si absolutisht dominues duhet theksuar qëndrimi korrekt i shumicës së partive të shqiptarëve në lidhje me frikën e maqedonasve lidhur me qëndrimet e Sofjes zyrtare.

    KOHA: 2024 është një vit zgjedhor. Do të bëhen kombinatorika dhe kalkulime, koalicione dhe pazare politike. Cilat janë bisedat aktuale? A ka mundësi për një Qeveri të gjerë me apo pa BDI-në, një koalicion me opozitën shqiptare apo një koalicion të mundshëm me “Levicën”? A ka VMRO-DPMNE një plan të qartë për linjat e kuqe?

    SPASENOVSKI: Rezultatet e zgjedhjeve dhe afiniteti i programeve politike të partive do ta përcaktojnë karakterin e shumicës së re parlamentare që do të zgjedhë Qeverinë e ardhshme. Të gjitha aleancat e mëparshme do të shpërthejnë si një flluskë sapuni kur të përballen me rezultatin e zgjedhjeve. Më pas do të ndodhë rivendosja e madhe e sistemit, pas së cilës do të fillojnë bisedimet serioze për përbërjen e Qeverisë së ardhshme. VMRO-DPMNE është fituesja e padiskutueshme e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Është fakt tashmë që askush nuk e kundërshton. Ajo që nuk dihet janë përmasat e asaj fitoreje, e cila do të varet nga lëvizjet e radhës në aspektin e koalicioneve. Këtu, nga ana tjetër, dua të theksoj se VMRO-DPMNE gjatë viteve të fundit e ka përmirësuar kapacitetin e koalicionit, imazhin dhe marrëdhëniet me partitë shqiptare.

    Dëshiroj t’i kujtoj lexuesit tuaj dy fakte: së pari, në Kongresin e fundit të vitit 2021, VMRO-DPMNE miratoi një doktrinë të re partiake me të cilën deklaroi qartë se do të ushqejë të ashtuquajturin “patriotizëm i përbashkët”, pra “patriotizëm kushtetues” (dhe jo vetëm patriotizmi etnik), që paraqet një hap serioz demokratik që meriton të përshëndetet. Ky formulim duhet kuptuar si avokim që kjo parti të jetë zgjedhja për të cilën do të vendosin jo vetëm maqedonasit, por edhe shqiptarët, por edhe turqit, vllehët, boshnjakët, romët, serbët e të tjerë. “Patriotizmi i përbashkët” paraqet një lidhje midis të gjithë qytetarëve për çështje të rëndësishme si arsimi, shëndetësia, shkenca, progresi dhe ekonomia, të cilat janë në kontrast të plotë me temat e vjetra që sjellin përçarje dhe keqpërdoren nga palë të ndryshme kur kanë nevojë.

    Dhe, së dyti: ndryshimi i doktrinës në Kongres u paralajmërua nga një tjetër ngjarje e rëndësishme e vitit 2020, kur nën patronazhin e Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer”, VMRO-DPMNE mbajti një konferencë të përbashkët me disa nga partitë shqiptare nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria si një mënyrë për të ndërtuar apo për të forcuar urat e bashkëpunimit të ndërsjellë. Përkundrejt këtij fakti, besoj se edhe VMRO-DPMNE ka një orientim të qartë proevropian që duhet të afirmohet edhe më hapur për të mos lënë vend për akuza të pabaza nga kundërshtarët. Këto dy aspekte që lidhen me doktrinën e re dhe anëtarësimin në BE, mendoj se përcaktojnë shumë qartë llojin e aleatëve të kësaj partie pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare.

    KOHA: Përveç zgjedhjeve parlamentare, do të ketë edhe zgjedhje presidenciale. Emri juaj si kandidat i VMRO-DPMNE-së përmendet në opinion. Keni folur me Mickoskin? Cili është qëndrimi juaj për kandidaturën për president?

    SPASENOVSKI: Nuk kam folur zyrtarisht me kryetarin e partisë për këtë temë. Megjithatë, mund të konfirmoj se emri im para disa muajsh ishte pjesë e sondazheve të bëra në VMRO-DPMNE lidhur me nominimin tim të mundshëm për president. Siç e ka konfirmuar disa herë edhe vetë partia, emri im ishte në listën fillestare prej 20 personash dhe ndërkohë ajo listë është shkurtuar në mënyrë drastike dhe emri im është sërish në të. Ky rezultat përfaqëson kënaqësi në dy pjesë: së pari, ai përfaqëson një vlerësim pozitiv të pikëpamjeve të mia; së dyti, ky rezultat i shkëlqyer u arrit pa asnjë sugjerim prapaskenash, lobim apo ndikim brenda vetë partisë.

    Për mua, Republika e Maqedonisë është më shumë se një shtet. Është vatra ime amtare ajo që përcakton identitetin tim. Në këtë aspekt, nuk ka nder më të madh se mundësia për të punuar për shtetin dhe për të luftuar për atë që përfaqëson interesin dhe qëllimin e të gjithë qytetarëve.

    Për ta përmbledhur: debati i brendshëm partiak po i afrohet finales. Se cilat do të jenë rezultatet e një debati të tillë, nuk mund ta konfirmoj me siguri, por e di që së bashku me ekipin tonë në vazhdimësi afirmojmë me durim pikëpamjen tonë për gjërat dhe besojmë në karakterin e saktë të ideve tona! Sinjalet e qarta të mbështetjes nga “shumica e heshtur” e anëtarëve të partisë janë një konfirmim i bukur i asaj që po them. Krejt në fund, më lejoni të përfundoj: kandidimi i mundshëm për president të vendit do të ishte një kënaqësi, por partia e ka fjalën e fundit dhe unë e respektoj këtë.

    KOHA: Ju ishit aktiv në politik, pastaj u tërhoqët pak dhe si arsye theksuat se një nga karakteristikat kryesore të fushatës zgjedhore është dominimi i një fushate negative, pra sulmi ndaj kundërshtarit në krahasim me fushatën pozitive apo prezantimit të vizioneve dhe angazhimeve të partive. Për momentin, përveç sulmeve agresive, personale dhe të ulëta, nuk ka një atmosferë politike “skandinave”. A mund t’ju ndryshojë mendje kjo nëse do t’ju ofrohet kandidatura?

    SPASENOVSKI: Fushata negative nuk është veçori ekskluzive e fushatave politike në vendin tonë. Megjithatë, ajo që na dallon nga vendet e tjera demokratike është intensiteti dhe shtrirja e pranisë së saj. Besoj se ky lloj i marrëdhënieve agresive mes partive pasqyrohet edhe në raportin mes qytetarëve të radikalizuar politikisht. Kështu, për më shumë se një dekadë ne jemi në një rreth vicioz konfliktesh që dëmtojnë demokracinë. Në të njëjtën kohë, plagët nga revanshizmi i Qeverisë ndaj opozitës nuk janë shëruar dhe nuk jam i sigurt se ka përpjekje serioze për t’i shëruar ato. Në të njëjtën kohë, ndonjëherë krijohet përshtypja se një pjesë e partive në pushtet janë më të shqetësuara për kundërshtarin politik në mungesë të projekteve dhe punëve reale.

    Duke i parë gjërat me optimizëm, i vlerësoj si pozitive disa thirrje për pajtim mes partive të majta dhe të djathta, por mendoj se kësaj duhet t’i paraprijë një pendesë e sinqertë dhe një kërkim-falje e sinqertë. Nga të gjitha anët! Se a do të ndodhë kjo pas zgjedhjeve të ardhshme, nuk mund të them me siguri, por e di se është diçka që në thelb i duhet Republikës së Maqedonisë për t’u përballur me të gjitha sfidat bashkërisht. Pikëpamjet dhe politikat më të mira për këtë vend kanë qenë gjithmonë ato pas të cilave është arritur bashkimi ndërmjet partive të majta dhe të djathta dhe bashkimi ndëretnik mes maqedonasve, shqiptarëve dhe të tjerëve. Le të udhëhiqemi nga këto përvoja dhe të ndikojmë pozitivisht në uljen e tensionit politik në fushata.

    Lajmi Paraprak

    Punimet e dorës mbeten gjithmonë në modë

    Lajmi i rradhës

    Familjet në Gazë në kërkim të pashpresë të ushqimit dhe ujit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë