SPB Tetovë mohon akuzat e Komunës së Tetovës për mosdhënie të lejes për realizimin e “Shëtitorja e diasporës” (Video)

    Nuk do të realizohet “Shëtitorja e diasporës” për të cilën Komuna e Tetovës ka bërë kërkesë deri te SPB Tetovë, shëtitore e cila do të mundësonte lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe trafik jo të ngarkuar nga veturat. Sipas Besar Durmishit – Komuna e Tetovës, kjo nuk ka se si të shpjegohet, përveç se vendim me prapavijë politike kundër komunës së Tetovës dhe tetovarëve, që për fat të keq, këtë radhë shënjestër janë edhe mërgimtarët, shkruan Nistori.

    “Kjo shëtitore ishte paraparë në Bulevardin Ilirija, për të cilën Sektori për Veprimtari Komunale kishte hartuar një projekt bazë të trafikut për kufizimin dhe ndalimin e lëvizjes së automjeteve në orët e mbrëmjes duke filluar nga data 01.7.2022 deri më 31.08.2022. Plani për ndryshimin e regjimit të komunikacionit në këtë aks rrugor është përgatitur në projekt dhe i është dërguar SPB-Tetovë në përputhje me nenin 155 dhe 156 të Ligjit për Siguri në komunikacion. Ajo që të habit është fakti se pas gjithë konsultimeve paraprake dhe miratimeve verbale nga ana e përfaqësuesve të MPB-së si dhe detyrimeve ligjore, përgjigja është negative. Kjo e bën të pamundur realizimin e këtij projekti, i cili do të ishte pritur mjaft mirë nga qytetarët dhe veçanërisht nga bizneset e përqendruara në këtë pjesë të qytetit duke e ditur se të hyrat nga ardhja e mërgimtarëve janë tejet të larta dhe shpëtim për bizneset tona.” – deklaroi Durmishi.

    Durmishi tha se edhe pse jemi dëshmitarë se gjatë viteve të kaluara, ka qenë traditë që gjatë verës jo vetëm ky bulevard, por janë mbyllur edhe rrugë të tjera duke bllokuar edhe lagje të tëra dhe asnjëher nuk i ka penguar MPB-së.

    Arsyeja pse SPB Tetovë nuk pajtohet të lëshojë kërkesën – miratim është se, objektet e destinuara për qarkullim (rrugë, rrugë etj.) nuk mund të konvertohen dhe të përdoren për nevoja të tjera

    “Në lidhje me kërkesën e Komunës së Tetovës, për ndryshimin e regjimit të komunikacionit në pjesën e bulevardit M. Tito në Tetovë (kryqëzimet me B. Toska dhe Rr. Jane Sandanski) sipas nenit 155 dhe 156 të ZBSP-së, me me qëllim të themelimit të Shëtitores së diasporës, në periudhën prej datës 01.07 deri më 31.08.2022, nga ora 20:00 deri në ora 01:00, Ministria e Punëve të Brendshme – Departamenti i Punëve të Brendshme, Tetovë, nuk pajtohet që të lëshojë kërkesën – miratim, për arsyet në vijim: sipas nenit 347 paragrafi 1 i Kodit Civil, objektet e destinuara për qarkullim (rrugë, rrugë etj.) nuk mund të konvertohen dhe të përdoren për nevoja të tjera.” – thonë nga SPB Tetovë.

    A kanë qenë të mbyllura ndonjëherë bulevardet e qytetit?

    Një gjë të tillë e mohon për Nistori zëdhënësi i SPB Tetovë Fatmir Rexhepi. Bulevardet kryesore në qytet, asnjëherë nuk kanë qenë të bllokuara, por janë mbyllur për festime të caktuara rrugët anësore të Tetovës.

    “Nuk është mbyllur asnjëherë bulevardi “Iliria” sepse është arterie kryesore e trafikut të qytetit dhe nëse ndodh kjo, paramendoni se çfarë kolapsi do të krijoheshte në qytet. Janë mbyllur vetëm disa rrugë periferike të qytetit, si rruga “Dervish Carra” për “Vera kulturore tetovare” dhe “Boris Kidriç” për të njëjtën arsye”, si dhe sheshi “Iliria”.” – thotë Rexhepi.

    Këtë verë pritet që fluksi i mërgimtarëve të jetë më i madh, dy vite pas pandemisë dhe me ç’rast krijohet ngarkesë trafiku në qytet dhe kjo ishte arsyeja që komuna propozoi “Shëtitorja e diasporës”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    A do të miratohet këtë vit ligji për veprimin klimatik në RMV?

    Lajmi i rradhës

    Protestat në një vend anëtar i NATO-s dhe shërbimet e huaja (ruse)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë