A do të miratohet këtë vit ligji për veprimin klimatik në RMV?

    Shtyrje e re e miratimit të Ligjit për veprim klimatik në vend. Në fillim të vitit, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor premtoi se zgjidhja ligjore do të hyjë në procedurë qeveritare për miratim deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2022, e pastaj do të dërgohet për votim në Kuvend, shkruan Meta.mk.

    Mirëpo, nga ministria tani thonë se Ligji për Veprim Klimatik nuk do të miratohet këtë vit, kurse në agjendën e punës legjislative të Qeverisë parashihet që drafti i ligjit të jetë në seancë deri në dhjetor të vitit 2022, që pastaj propozimi të shkojë në procedurë parlamentare.

    “Ligji për veprimin klimatik është në fazën e rishikimit dhe komenteve nga Sekretariati i Komunitetit Energjetik, me qëllim harmonizimin e tij me Udhërrëfyesin për de-karbonizimin e Komunitetit Energjetik, sipas të cilit duhet të transponohen disa kërkesa nga e ashtuquajtura Rregullore për Menaxhim me Unionin Energjetik dhe Veprim Klimatik”, sqarojnë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

    Është një rregullore evropiane që është miratuar në nivel të BE-së pas mbylljes së projektit për hartimin e ligjit në Maqedoni, i cili financiarisht është mbështetur nga BE-ja nëpërmjet instrumentit IPA, informojnë nga kjo ministri.

    Ndryshe, draft-versioni ekzistues i Ligjit për Veprim Klimatik përmban disa dispozita të tjera të BE-së, të cilat do të transponohen në legjislacionin e Maqedonisë. Kjo e përfshin Direktivën 2003/87/KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të 13 tetorit 2013, e cila vendos një sistem për tregtimin e kuotave të emetimit të gazeve serrë brenda Unionit.

    Ligji i ardhshëm do të mbulojë edhe Rregulloren (EU) 525/2013 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit Evropian të datës 11 maj 2013 për një mekanizëm për monitorimin dhe raportimin e emetimeve të gazrave serrë dhe raportimin e informacioneve të tjera në nivel kombëtar dhe të Unionit në lidhje me ndryshimet klimatike, si dhe Rregullorja (EU) 2018/1999 e Parlamentit të Bashkimit Evropian dhe e Këshillit Evropian e datës 11 dhjetor 2018 për menaxhimin e Unionit Energjetik dhe për Veprimin Klimatik.

    ESHR: Kuadri ligjor për veprim të koordinuar klimatik është tre vjet vonë

    Ndërsa nga ministria kompetente arsyetohen se miratimi i ligjit vonohet për shkak të ndryshimeve të fundit të rregullores në nivel të BE-së, nga Enti Shtetëror i Revizionit (Auditimit) kritikojnë se zhvillimi i kornizës ligjore dhe strategjike për veprim të koordinuar klimatik në vend po zhvillohet dhe ka një vonesë prej tre vjetësh. Ata theksojnë se Ligji për Veprim Klimatik nuk është miratuar deri më sot.

    “Kuadri ligjor dhe institucional i vendosur në Maqedoninë e Veriut nuk i siguron të gjitha kushtet e nevojshme për zbatim dhe monitorim efikas dhe efektiv të masave dhe politikave të miratuara për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe është e nevojshme të ndërmerren veprime në nivel kombëtar dhe lokal për tejkalimin e situatës”, thuhet në Raportin përfundimtar për auditimin e suksesit të performancës “Masat dhe politikat e ndërmarra nga RMV/autoritetet kompetente për të zbutur ndryshimet klimatike”.

    Krahas zvarritjes së zgjidhjes së re ligjore, auditorët e shtetit në Raport theksojnë se disa nga dispozitat e Ligjit për Mjedisin Jetësor, të cilat i kanë të bëjnë me veprimin e koordinuar klimatik, nuk janë në përdorim dhe nuk janë ndërmarrë veprime as për ndryshime të Ligjit për Mjedisin Jetësor.

    Mos miratimi i Ligjit për Veprim Klimatik është faktor kufizues për realizimin e qëllimeve të përcaktuara me Strategjinë Afatgjate për Veprimin Klimatik, thonë auditorët.

    “Mungon mekanizmi për monitorimin e zbatimit të aktiviteteve të përcaktuara në dokumentet strategjike të miratuara nga institucionet në lidhje me emetimet e gazeve serrë. Nuk janë miratuar akte nënligjore të rëndësishme që kanë të bëjnë me realizimin e objektivave të efikasitetit energjetik, ndërsa Plani Kombëtar dhe i Veprimit për Ndryshimet Klimatike nuk janë përditësuar, për këtë arsye nuk janë krijuar kushte për zbutjen e ndryshimeve klimatike”, thuhet në Raport.

    BE-ja do të na kritikojë edhe këtë vit për ligjin e pa miratuar

    Në Raportin e vitit të kaluar për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut për vitin 2021, në seksionin për ndryshimet klimatike, Komisioni Evropian dërgoi një mesazh të qartë se vendi ynë duhet të miratojë Ligjin për Veprimin Klimatik, por edhe të bëjë më shumë përpjekje për të zbatuar atë që kemi premtuar në lidhje me Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike, që u nënshkrua në vitin 2016.

    Në pjesën e ndryshimeve klimatike, Komisioni Evropian në raportin e vitit të kaluar kritikoi se harmonizimi i kuadrit ligjor të vendit me legjislacionin e BE-së mbetet i ulët, ndërsa burimet njerëzore dhe financiare janë shumë të kufizuara. Vendi vitin e kaluar mori lëvdata për miratimin e Strategjisë për Veprim Klimatik dhe për përmirësimin e kontributit kombëtar ndaj ndryshimeve klimatike, por realizimi i tyre varet nga ekzistenca e ligjit.

    Për shkak të mos miratimit të Ligjit për Veprim Klimatik, tashmë është e sigurt se Komisioni Evropian do të kritikojë autoritetet shtetërore të Maqedonisë në Raportin e këtij vitit të progresit të reformës për shkak të shtyrjes së afatit për miratimin e zgjidhjes ligjore.

    Lajmi Paraprak

    Shtrenjtohen për 15 për qind aranzhmanet në Ohër dhe Strugë

    Lajmi i rradhës

    SPB Tetovë mohon akuzat e Komunës së Tetovës për mosdhënie të lejes për realizimin e “Shëtitorja e diasporës” (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë