Specialja liron nga burgu Nasim Haradinajn

    Dhomat e Specializuara në Hagë më 14 dhjetor kanë modifikuar dënimin ndaj ish-nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj.

    Modifikimi i mundëson Haradinajt lirimin nga burgu, nën disa kushte, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Në maj të vitit 2022, Haradinaj, së bashku me kryetarin e atëhershëm të OVL-UÇK, Hysni Gucati, u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të drejtësisë.

    Më pas, Apeli ua uli dënimet për tre muaj.

    Gucatit iu modifikua dënimi më 17 tetor, që i mundësoi lirimin nga burgu, me kushte.

    Haradinaj e Gucati ishin arrestuar më 5 shtator të vitit 2020, për t’u dërguar në Hagë.

    Sipas njoftimit, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, konstatoi se “Haradinaj pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit”.

    “Në bazë të raportit ai kishte respektuar rregullat e objektit të paraburgimit gjatë muajve të fundit”, thuhet në njoftim.

    Trendafilova, po ashtu, “mori parasysh pendesën e z. Haradinaj dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”, vijon njoftimi.

    Nëse “Haradinaj nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet”, thekson njoftimi. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Serbia shpreh rezerva në Bruksel për obligimet nga Marrëveshja e Ohrit

    Lajmi i rradhës

    Parkinsonin, sëmundja që mposht njeriun

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë