Autor
Bashkim Iljazi
Mali i Sharrit njihet për bukuritë dhe pamjet mahnitëse që i posedon. Një nga vendet më të veçanta të kësaj zone janë Stanet e Shipkovicës, që ndodhen mbi fshatin Shipkovicë të Komunës së Tetovës, në perëndim të Pollogut. 18 kilometra larg qytetit me lartësi mbidetare 1700 metra, ky vend sa vjen bëhet më i famshëm.
Rruga për te Stanet e Shipkovicës nuk është aq e vështirë. Për të shkuar atje mund të udhëtohet me makinë, por është i qasshëm edhe në këmbë.
Para Staneve të Shipkovicës ndodhet vendi i quajtur Lugina e Ambasadorëve (Guri i Sidollit), i cili përdoret si vend për rekreacion, edhe nga turistët vendor edhe nga të huajt. Njohësit e kësaj zone thonë se pamjet më mahnitëse që i ofron kjo zonë janë pranvera dhe vjeshta.
Banorët e Shipkovicës ende vazhdojnë që stinën e verës ta kalojnë te Stanet, ku merren me bujqësi e blegtori. Nistori bisedoi me një prej tyre, e cila na tha se tashmë shumë vite me radhë verën e kalon në stanin e saj. Ajo gjithashtu tregoi se atje bën mbledhjen e boronicave dhe shitjen e tyre.
Përveç blegtorisë, te Stanet e Shipkovicës mund të gjendet edhe restorant i cili ofron ushqimet tradicionale. Restoranti kishte një emër të veçantë, “Zabeli”. Kishte një hapësirë mahnitëse.
Banorët e Shipkovicës gjithnjë e më shumë vendosin që të ndërtojnë shtëpiza në këtë vend, i cili tashmë po shndërrohet në lokacion për kalimin e fundjavave dhe pushimeve verore e madje edhe dimërore.
Por, përskaj bukurive natyrore që i ofron kjo zonë, ka edhe persona të atillë që e shëmtojnë atë. Nistori hasi në mbeturina të hedhura në vendet jo adekuate, edhe përkundër paralajmërimeve që kjo të mos bëhet.
Gjithashtu, frekuentuesit e kësaj pjese si dukuri negative përmendin edhe ndërtimet e forta që kohën e fundit janë shpeshtuar, si dhe vozitjet e pakontrolluara nga motoçiklistët të cilët dëmtojnë rrugët dhe gjelbërimet.
Ndryshe, në qershor të vitit 2021 me shumicë votash në Kuvend, Mali Sharr u shpall Park Kombëtar. Kjo do të thotë se një pjesë e kësaj zone, përfshirë edhe Stanet e Shipkovicës, janë vendosur nën mbrojtje ligjore dhe me këtë u mundësua krijimi i sistemit për menaxhim të qëndrueshëm të zonës.