Stoltenberg: Nuk mund ta marrim paqen dhe sigurinë si të garantuar

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u ka thënë gazetarëve të enjten, 17 mars se, “lufta e presidentit (rus, Vladimir) Putin ka shkundur paqen dhe ka shokuar botën”.

    Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media me kancelarin gjerman, Olaf Scholz në Berlin.

    Shefi i NATO-s ka lavdëruar forcat e Kievit dhe është zotuar se do të vazhdojë mbështetja për to, “në mënyrë që të shfrytëzojnë të drejtën për vetëmbrojtje, siç e parasheh Karta e Kombeve të Bashkuara”.

    Ai ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen ushtarake dhe atë humanitare për Ukrainën dhe ka thënë se “NATO-ja ka përgjegjësi për të parandaluar këtë luftë nga përshkallëzimi i mëtejmë”, si dhe ka paralajmëruar vendet anëtare të bllokut të sigurisë se “ne nuk mund të marrim si të garantuar paqen dhe sigurinë”.

    “Dje, ministrat e Mbrojtjes kanë nisur të shqyrtojnë se çfarë duhet të bëjmë për të rritur mbrojtjen tonë në periudhë afatgjatë. Kjo gjë do të kërkojë rritje të madhe të investimeve në mbrojtje”, ka thënë Stoltenberg.

    Ndërkohë, Scholz ka thënë se Gjermania ka rritur fondet për forcat e armatosura të saj, për të siguruar se “NATO është e gatshme të përmbushë detyrat dhe mandatin që ka”.

    Më shumë se tre milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

    Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

    Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Reagon ASh: Tito Petkovski të mos akuzojë BE-në për dështimet e vendit në procesin integrues

    Lajmi i rradhës

    Banka Popullore: Denari është stabil

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë