Gastronomët në Strugë dhe Ohër mezi mund të gjejnë punëtorë. Më vështirë është të gjendet staf profesional. Ndërkohë, më shumë se 15,000 qytetarë, shumë prej të cilëve me përvojë, janë larguar për të punuar në Kroaci.
Igor Peshevski, i cili punon si kuzhinier në hotel në Zadar të Kroacisë, vendosi të ndërmarrë këtë hap për shkak të kushteve më të mira të punës dhe jetesës. Ai thotë se pagat janë dyfish më të larta kurse për disa pozicione edhe më shumë, me akomodim të siguruar, dy vakte në ditë dhe leje pune.
“Nëse në Maqedoni për pozicion të caktuar paga është 30,000 denarë, këtu për të njëjtin pozicion paguhet 1200 euro. Përqindja e të rinjve që punojnë në industrinë e gastronomisë dhe turizmit në Maqedoni dhe kanë ardhur në Kroaci për të punuar është e madhe, sepse këtu u sigurohet sigurim shëndetësor dhe pensional, pagë solide, të cilat mund të jenë pak më të ulëta se vitet e kaluara, por janë prapë solide dhe më të mira se në Maqedoni”, tha Igor Peshevski – kuzhinier në Kroaci.
Vetëm në hotelin ku punon Igori, punonin rreth pesëdhjetë persona nga Maqedonia. Ai thotë se ka shumë arsye pse pronarët e restoranteve në Maqedoni nuk mund të mbajnë stafin.
“Kushtet e punës këtu janë mjaft të mjerueshme për këdo që të qëndrojë dhe të punojë. Sidomos punëdhënësit që nuk ofrojnë sigurim dhe që kërkojnë të gjejnë një lloj rruge të shkurtër për të ulur shpenzimet”, u shpreh Igor Peshevski-kuzhinier në Kroaci.
Gastronomët këtë verë mungesën do ta plotësojnë me nxënës të shkollave të mesme dhe pensionistë, ose me disa punëtorë të huaj nga Nepali dhe Filipinet.
“Këtë vit filluam me punëtorë nga Nepali për herë të parë këtë sezon. Ne jemi përpjekur në vitet e kaluara të luftojmë këtë mungesë stafi. Fatkeqësisht, largimi i stafit vazhdon, në destinacione të tjera ata kanë paga më të larta, megjithëse këtë vit ne si destinacion po luftojmë kemi rritur pagat për të mbajtur punonjësit këtu”, theksoi Ana Jançeva – menaxhere hoteli.
Ajo megjithatë thotë se nuk heqin dorë nga punëtorët vendor, të cilët sipas tyre janë e ardhmja e gastronomisë. /Alsat/