VMRO-ja kërkon miratimin e ligjit për zgjatjen e afatit të pasaportave

    Ndërkohë që vazhdojnë radhët dhe pritjet e gjata të qytetarëve për të aplikuar dhe për t’u pajisur me pasaporta të reja, VMRO-DPMNE-ja kërkon miratimin e ligjit për zgjatjen e afatit. Antonio Milloshoski i bën thirrje pushtetit ta vendosë sa më shpejt në rend dite propozimin e tyre për zgjatjen e afatit të pasaportave me emrin e ri të shtetit deri më 31 dhjetor të këtij viti.

    “650 mijë qytetarë janë të mbyllur në vend pa të drejtë për të dalë jashtë shtetit me çka shkelet neni 27 i Kushtetutës i cili garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve jashtë vendit. Ajo që na është thënë nga Kuvendi është se propozim ligji i VMRO-DPMNE-së përkthehet akoma por na habit se çfarë ka për t’u përkthyer kur ndryshohen vetëm datat”, deklaroi Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

    Shumica parlamentare megjithatë vlerëson se afati për pasaportat nuk mund të zgjatet për shkak se bëhet fjalë për Marrëveshje ndërkombëtare.

    “Këto detyrime për ne qytetarët dalin nga Marrëveshja e Prespës e cila është marrëveshje ndërkombëtare dhe i cili është ratifikuar në përputhje me Kushtetutën dhe nuk mund të ndryshohet me ligj sepse do të ishte në kundërshtim me nenin 118 të Kushtetutës. Ky është vetëm një hutim i qytetarëve se nëse miratohet ligji do të vazhdojnë të vlejnë pasaportat por kjo nuk është e vërtetë”, tha Daniella Markovska, LSDM.

    Propozimi i VMRO-DPMNE-së për zgjatjen e afatit të pasaportave deri në fund të vitit erdhi në të njëjtën ditë kur deputetët miratuan zgjatjen e afatit të lejeve të vozitjes. Lejet e vozitjes që kanë afat por që janë me emrin e vjetër të shtetit, do të jenë të vlefshme deri më 31 dhjetor të këtij viti. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Rrjetet sociale shkaktarë të dhunës në familje”

    Lajmi i rradhës

    Institucionet në RMV nuk kanë vullnet që shqipja të jetë pjesë e tyre

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë