Struga shtrenjton faturat e ujit / Qytetarët: paguajmë për punësime partiake!

    Në Strugë janë rritur faturat e ujit. Për qytetarët janë më të larta për 35 për qind, ndërsa për kompanitë 57 për qind. Poashtu çmimi për pranimin dhe derdhjen e ujërave të zeza për amvisëritë është rritur për 80 për qind, ndërsa për kompanitë 90 për qind. Pro këtij vendimi votuan këshilltarët e LSDM-së dhe BDI-së. Qytetarët janë të revoltuar. Thonë se kjo është goditje tjetër në xhepat e tyre dhe dyshojnë se në fakt po paguajnë për punësime partiake në ndërmarrje.

    “Kush po i pyet qytetarët, dihet – askush, asgjë. Kush bën çfarë të dojë. Është shumë për kushtet e sotme, është e tepërt”, u shpreh një qytetar.

    “Struga ta bëjë këtë! E kuptoj po ta bënte Berova ku nuk ka ujë, por Struga!, nuk e di. Me këtë financojmë punësimet partiake, me çmimin e ujit, mbeturinave”, tha një tjetër qytetar.

    Në reagimin e Aleancës për Shqiptarët në Strugë thonë se edhe pse çmimet e faturave janë në rritje, nuk ka shërbime më të mira për qytetarët.

    “Ka amortizim ekstrem të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit. Në disa pjesë ka ende tuba azbestçimentoje. Rrjeti i ujësjellësit ka shpesh probleme në funksionim. Lagje të tëra nuk kanë ujë dhe ka probleme me pastërtinë dhe cilësinë e ujit”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

    Drejtori i Ndërmarrjes Publike të Ujësjellësit, Dashmir Nasufi, thotë se çmimin e ujit nuk e përcakton komuna, por Komisioni Rregullator në bazë të të dhënave dhe kostove që i ka paraqitur pushteti lokal. Përkundër çmimeve më të larta të faturave, ndërmarrja ende po grumbullon borxhe. Aktualisht borxhi arrin në 3 milionë euro. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Akullnajat zvicerane do të përgjysmohen deri në 2050-n

    Lajmi i rradhës

    O’Brien kritikon VMRO-në: e kaluara politike nuk tregoi interes t’i bashkohet Unionit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë