Frika nga hakmarrja është shkaku kryesor që rastet e denoncimeve nga studentët në Maqedoni të jenë të rralla, edhe pse kërkimi i ryshfetit, imponimi për të blerë librin e një profesori… listohen si ndër problemet kryesore të tyre. Këto janë disa nga rezultatet e anketës së realizuar (gjatë periudhës 2023-2024) nga Instituti për Kërkime Strategjike dhe Edukim (ISIE Shkup) Instituti për Kërkime Zhvillimore dhe Alternativa (IDRA Tiranë) dhe Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CESID Beograd), si pjesë e një projektit “Universitete pa Korrupsion në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi”. Ky dokument politikash paraqet rezultatet kryesore nga anketa e perceptimeve të studentëve të kryer në të tre vendet, shkruan gazeta Koha.
Ndërsa një e pesta e të anketuarve (20%) nga Maqedonia e Veriut (dhe Shqipëria) mendojnë se korrupsioni është shumë ose jashtëzakonisht i zakonshëm në fakultetet e tyre. Pothuajse një e katërta e të anketuarve nga Serbia (24%) e panë korrupsionin në fakultetet e tyre si shumë ose jashtëzakonisht të zakonshëm. Shumica e studentëve nga vendi, për dallim nga Serbia dhe Shqipëria, u shprehën se ose nuk dinë se si të përgjigjen ose mendojnë se nuk ka një zyrë në fakultet të dedikuar për raportimin e korrupsionit.
Por, cila është arsyeja kryesore e nivelit të ulët të raportimit të korrupsionit? Për studentët në Maqedoni (33%) është hakmarrja ndaj atyre që raportojnë si shkaku kryesor, studentët në Shqipëri frenohen nga procedurat e paqarta, ndërsa në Serbi dekurajohen nga interesi i vogël për eliminimin e korrupsionit
“Sjelljet e padëshirueshme më të shpeshta në fakultete janë mashtrimi i studentëve në provime Maqedonia e Veriut (dhe Serbia), profesorët që kushtëzojnë studentët për të blerë librin e tij/saj për të kaluar provimin ose për të marrë një notë më të mirë (Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut) dhe dhënia e parave profesorëve për nota më të larta (Shqipëria dhe Serbia)… Të anketuarit nga Maqedonia e Veriut gjithashtu deklaruan se u është kërkuar nga profesorët të japin ryshfet relativisht më shumë 9 për qind”, thuhet në anketë.
E para e këtij lloji, kjo anketë është kryer në mbi 10 qytete duke përdorur teknikën intervistave ballë për ballë me 943 studentë nga të tre vendet së bashku. Projekti synon forcimin e kapaciteteve të universiteteve, organizatave studentore dhe studentëve për parandalimin e korrupsionit në institucionet e arsimit të lartë në tre vendet.
Në zërin për Maqedoninë, disa nga rekomandimet janë Hartimi i Manualit për Parandalimin e Korrupsionit në Arsimin e Lartë, trajnimi për studentët, punonjësit dhe organizatat studentore mbi mënyrën se si të raportojnë korrupsionin, krijimi i një skedë të veçantë në faqen e fakultetit e cila do të përmbajë të gjitha informacionet dhe dokumentet e hartuara me qëllim parandalimin e korrupsionit, dallimi midis raporteve të korrupsionit dhe raporteve sinjalizuese nga persona të tjerë.