SUBVENCIONET PËR RRITJEN E PAGAVE / Kujdes me “zhvlerësimin”

    Mbështetja qeveritare e suksesshme në periudhën shtator 2019 deri më tetor 2022, e rritjes së pagave, pritet të vazhdohet. Me fjalë të tjera, sektori privat që kishte rritur pagat në këtë periudhë nuk paguante kontribute që ishin në ngarkesë të shtetit, por vetëm tatimet përkatëse për pagën.

    Edhe pse punëdhënësit kërkuan që kjo masë të vazhdohet në kushte të krizës, ajo nuk u zgjat edhe për një vit apo 2022-2023. Sivjet në kuadër të pakos së nëntë të masave kundër krizës do të subvencionohet sektori privat, me mundësi për rritje të pagave nga 3.000 e tutje.

    Zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, thotë se për dallim nga zgjidhja e mëparshme ligjore me të cilën ka pasur mundësi për rritjen e pagave në sektorin privat nga 600 në 6.000 denarë, shprehet se masa e re ka disa kufizime, por me mundësi të rritjes së pagave nga 3.000 në 10.000 denarë, ku për shumën e shtuar punëdhënësi do të paguajë vetëm tatimin mbi të ardhurat personale mbi pagën dhe do të përjashtohet nga pagesa e kontributeve. Bytyqi beson se kjo masë do të ndikojë drejtpërdrejt në zvogëlimin e ekonomisë joformale dhe siç tha ai, është pjesë e aktiviteteve të strategjisë së ekonomisë joformale.

    “Kufizimi është se kjo masë mund të përdoret nga të gjithë punonjësit që kanë pagë deri në një pagë e gjysmë mesatare të paguar për tre muajt e fundit. Kjo do të thotë se nëse në muajin dhjetor, nëntor dhe tetor, paga mesatare e paguar për një punonjës nuk është më e madhe se paga mesatare një e gjysmë, masën mund ta shfrytëzojnë në 12 muajt e ardhshëm për rritje prej 3.000 deri në 10.000 denarë, për të cilën do të pajtohen me punëdhënësin. Njëkohësisht ata marrin lirimin në të njëjtën periudhë në vijim”, shprehet ai.

    Nga ana tjetër, ekspertët ekonomik thonë se një masë e tillë ku shteti paguante kontributet, ishte e suksesshme në vitet e kaluara. Pavle Gacov thotë se një masë e tillë do të jetë “vullnerabël”, në rast se kompanitë si shfrytëzues potencial do të kenë mundësinë të ndikojnë në plotësimin e kushteve për subvencion të kontributeve në pjesën e pagës së rritur.

    Sipas tij, në opinion ishte bërë e ditur se masa do të zbatohet për të punësuarit në sektorin privat, dhe do të aplikohet nga janari i vitit 2024 për 12 muajt e ardhshëm, ku rritja e pagës do të përcaktohet në raport me pagën mesatare të secilit punonjës individualisht për periudhën tetor – dhjetor 2023. Gacov bën vërejtje për mospërputhjen e masës, ku sipas tij në momentin e shpalljes duhet të anulohet ndikimi subjektiv i përdoruesve të mundshëm në përmbushjen e kushteve për përdorimin e masës.

    “Për të qenë të qartë, zhvlerësimet në të kaluarën shpalleshin gjithmonë një natë përpara aktit aktual të zhvlerësimit, për të eliminuar mundësinë e përfitimeve spekulative nga ndryshimi i kursit të këmbimit që do të pasonte. Duke qenë se pagat për muajin nëntor dhe dhjetor 2023 tek pritet të paguhen dhe që sipas deklarimit në media, pagat e tremujorit të fundit do të jenë pikë referimi nga ku do të bëhen kushtet për subvencionimin e kontributeve për pjesën e pagave të rritura, presim që në muajt nëntor dhe dhjetor 2023, kompanitë e interesuara të ulin pagat e punonjësve për të fituar një pozicion më të mirë në raport me masën e shpallur”, thotë Gacov.

    Ai shprehet se masa do të jetë e paanshme dhe e “padëmtuar” nëse paga mesatare e muajve gusht, shtator dhe tetor 2023 përdoret si pagë referuese për krahasim.

    ”Dhe së dyti, që është edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh se masa inkurajon rritjen e pagave, është e rëndësishme që ajo të vlejë për të gjithë të punësuarit, për të gjitha pagat dhe për të gjitha kompanitë, gjegjësisht të mos kufizohet vetëm për ata me paga më të ulëta. Gjegjësisht, të matur në përqindje, ata me paga më të larta do të marrin më pak subvencione (regresivitet)”, konstaton Gacov.

    Nga ana tjetër, në vitin 2020, afër 22 mijë kompani në Maqedoni e shfrytëzuan masën e subvencionimit të kontributeve në rast të rritjes së pagave . Analizat e Drejtorisë për të Ardhura Publike tregojnë se në Shkup ka apsur 8.860 punëdhënës për 51.760 punëtorë, në rajonin e Manastirit 4.230 punëdhënës për 23.239 punëtorë, në rajonin e Prilepit 2.825 punëdhënës për 14.890 punëtorë, në Strumicë 2.696 punëdhënës për 13.651 punëtorë, në rajonin e Tetovës 3.043 punëdhënës për 10.498 punëtorë dhe në rajonin e Shtipit 4.151 punëdhënës për 26.844 punëtorë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Prindërit në RMV nuk ndërgjegjësohen për vaksinimin e fëmijëve

    Lajmi i rradhës

    Ahmeti: po u anëtarësuam në BE, mund t’i kthejmë të rinjtë në vend

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë