Prindërit në RMV nuk ndërgjegjësohen për vaksinimin e fëmijëve

    “Vërtetim se fëmija nuk guxon të vaksinohet përndryshe do të gjej pediatër tjetër” është kërcënimi i fundit që prindërit të cilët janë kundër vaksinimit të fëmijëve të tyre po ua bëjnë mjekëve pediatër.

    Frika e tyre është pasojë e mungesës së informacionit për vaksinat, por edhe studimi i një mjeku të palicencuar (Andrew Wakefield) i cili pretendonte se vaksinat shkaktojnë autizëm. Me probleme të llojit të tillë u përball edhe mjekja Liljana Koliq e cila për media u shpreh se ka takuar fëmijë të cilët janë me autizëm por që nuk kanë pranuar vaksina.

    “Zakonisht me një bisedë të argumentuar arrijë që të ndryshoj qëndrimin e prindërve dhe t’u paraqesë atyre aspektet pozitive të vaksinimit të fëmijëve të cilat realisht janë të shumta”, tha Koliq.

    Ndërsa Zllate Mehmedoviq nga Komisioni për Sëmundje Infektive, pajtohet se në mjekësinë e bazuar në fakte nuk ka prova relevante se vaksinat shkaktojnë autizëm, por sipas tij, frika vjen nga mosinformimi.

    Përfaqësuesja e UNICEF Patricia DiXhovani u shpreh se në vendet në të cilat ajo ka jetuar nënat ecin deri në 20 kilometra për të arritur në pikat e vaksinimit, ndërsa në Maqedoninë e Veriut pavarësisht se vaksinat MRP janë të disponueshme, vaksinimi nuk është në nivelin e duhur. Vaksinimi në Kumanovë, siç thotë ajo, është diku 40% që është shumë më poshtë se 95% i dëshiruar.

    “MRP vaksina është një ndër vaksinat më të rëndësishme për imunizim të fëmijës, pasi fruthi është virusi më ngjitës. Vaksinimi duhet të jetë në 95% për të arritur imunizimin kolektiv, kurse në vend shkalla e përqindjes është 70% derisa ka edhe rënie. Në Kumanovë imunizimi është 40% që është shumë më ulët se përqindja e parashikuar”, tha DiXhovani duke shtuar më tej se në rast se fëmijët sëmuren me fruth, ata rrezikohen nga sëmundje më të rënda, fertilitet, madje edhe vdekje.

    “Kjo është arsyeja pse duhet vaksinimi”, potencoi ajo.

    Mjekët shpjegojnë se fruthi është sëmundje respiratore e cila më së shumti shfaqet në fëmijëri, dhe mund të çojë në komplikime të rënda deri në vdekje. Sipas Kristina Stavridis vendi ka imunizim deri në 70% me dozën e parë dhe 89% me dozën e dytë me vaksinën MRP. “Imunizimi me dozën e dytë na tregon se prindërit po e shtyjnë vaksinimin. Si në vendin tonë ashtu edhe në vendet e botës imunizimi në dy vitet e fundit ka qenë i ulët (74%) që nënkupton se po përballemi me një rrezik të shtuar të një epidemie”, tha ajo.

    Prindërit të cilët kanë frikë t’i vaksinojnë fëmijët pasi janë alergjik ndaj vezës duhet të konsultohen me Departamentin e Imunologjisë i cili ndodhet në Klinikën për sëmundje të fëmijëve, pasi mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjet si fruthi, lija, është nëpërmjet vaksinimit me MRP, vaksinë e cila është e sigurt dhe efikase dhe duhen dy doza për të arritur mbrojtjen maksimale.

    Sipas kalendarit të vaksinimit në Maqedoninë e Veriut, doza e parë jepet kur fëmija mbush 1 vjet ndërsa doza e dytë me fillimin e arsimit fillor (6 vjeç). Epidemia e fundit e lisë ishte në vitin 2019 me gjithsej 1901 të infektuar dhe përfundoi si rezultat i një fushate intensive vaksinimi me vaksinën MRP, e cila mbuloi mbi 44 mijë fëmijë nën moshën 14 vjeç. Imunizimi atë vit arriti në 93% si për dozën e parë ashtu edhe për dozën e dytë, por me pandeminë e Kovid19 ai u ul në 63% për dozën e parë dhe 68% për të dytën. Sipas OBSH-së përpara prezantimit të vaksinës në vitin 1963 infektimet e tilla shkaktonin diku rreth 2.6 milionë vdekje në vit, ndërsa vaksinimi parandaloi 56 milionë vdekje në mes viteve 2000-2021. /koha/

    Lajmi Paraprak

    EUROINTEGRIMI / RMV në garë me kohën!

    Lajmi i rradhës

    SUBVENCIONET PËR RRITJEN E PAGAVE / Kujdes me “zhvlerësimin”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë