Subvencionet që nuk u bëjnë punë bujqve në RMV!

    Foto Ilustruese

    Edhe derdhja e shumave të mëdha të subvencioneve bujqësore nuk ka përmirësuar ndjeshëm situatën në bujqësinë vendore. Vlera e eksportit të ushqimit në vitin e kaluar kapte vlerën prej 363 milionë euro karshi gati dyfishit të importit me vlerë prej 671 milionë euro. Të dhënat statistikor tregojnë nga ana tjetër, në periudhën gjashtë vjeçare shënohet përkeqësim i shifrave të këmbimit tregtar të vendit lidhur me prodhimtarinë e ushqimit. Edhe përkundër rritjes së eksportit nga viti 2015 kur ai kishte vlerën prej 306 milionë euro në 363 milionë euro, megjithatë po rritet në të njëjtën kohë me të madhe edhe importi i ushqimit që në vitin 2015 kishte vlerën prej 554 milionë euro në 671 milionë euro në vitin 2021. Njëherësh një pjesë e konsiderueshme e bujqve të anketuar vlerësojnë se janë në zgrip të ekzistencës. Bujqësia nuk sjell të ardhura të mjaftueshme për amvisëritë, ndërsa edhe punësimet e tjera të paguara janë gjithashtu me të ardhura të ulëta. Këtë e tregojnë analizat Federatës së Fermerëve. Për më tepër, një pjesë më e madhe e popullsisë së re në zonat rurale nuk ka motivim për të marrë përsipër ekonominë bujqësore nga prindërit e tyre dhe vazhdojnë bujqësinë. Shpesh, disa nga këta njerëz janë të përfshirë si në bujqësi ashtu edhe në të punësuar në industri dhe biznese lokale.

    Çmime të ulëta të grumbullimit, energji elektrike e shtrenjtë, naftë e shtrenjtë. Janë të shumta problemet për të çilat ankohen fermerët në Maqedoninë e Veriut. Pakënaqësia po rritet në kushtet kur shteti shpenzon qindra 200 milionë euro në vit në baza të ndryshme për të mbështetur bujqësinë, ku më shumë se gjysma e të cilave janë subvencione direkte. Fermerët ankohen se vetëm subvencionet janë të pamjaftueshme. Kërkojnë një strategji dhe zgjidhje konkrete për problemet, mbi të gjitha ato me çmimet e blerjes, që janë dhimbja më e madhe.

    Pandemia vetëm ka nxjerrë në sipërfaqe të gjitha dobësitë dhe problemet që janë grumbulluar prej dekadash. Jemi duke u bërë të varur nga importet për ushqime, ende nuk është krijuar një sistem stabil prodhimi me kontratë dhe nuk janë zgjidhur problemet me blerjen dhe plasmanin e sigurt, thonë nga Federata e Fermerëve.

    “Çmimet e prodhimit të produkteve bujqësore janë në rritje, ndërsa çmimet e blerjes janë në rënie. Nga ana tjetër, fermerët janë të ekspozuar ndaj ndikimeve negative të ndryshimeve klimatike të çilat shkaktojnë dëme të mëdha. Ajo që prek më shumë fermerin vendor janë çmimet e ulëta të blerjes dhe ky trend është i dukshëm në dhjetë vitet e fundit. Kjo i vendos prodhuesit parësorë bujqësorë në një pozitë të cenueshme për sa i përket aktiviteteve ekonomike dhe biznesore, si dhe standardit të tyre të jetesës. Ato që mund të përkufizohen si probleme dhe sfida të rëndësishme në plasman janë çmimet e ulëta të blerjes, mos organizimi i fermerëve, konkurrenca e pandershme që ka monopolin në tregun e blerjes, mungesa e prodhimit me kontratë”, shtojnë nga Federata e Fermerëve.

    Ekspertët e bujqësisë thonë se prodhimtaria bujqësore në vend ka problem të mëdha edhe me konkurrencën e saj karshi shteteve të rajonit dhe më gjerë.

    “Maqedonia e ka të pamundur të prodhojë edhe artikujt themelor ushqimor me sasi të mjaftueshme. Bile ndër të fundit në Evropë jemi me rendimentet e grurit dhe misrit, mirëpo mund të prodhojmë lloje të tjera të prodhimeve bujqësore që kanë vleftë më të mëdha në raport me këto, dhe të blejmë tepricat në tregje , thotë profesori i bujqësisë Ordan Çukaliev.

    “Kemi probleme me vaditjen, me tokat jo pjellore, me një klimë shumë të nxehtë që thjeshtë nuk është e përshtatshme. Në vendin tonë, gruri ul aktivitetin e tij në 30 gradë. Njëherësh ne kemi qenë gjithmonë të kufizuar në kapacitetin e prodhimit. Fermerët tanë janë jashtëzakonisht të vegjël. Dy hektarë është sipërfaqja mesatare e një ferme në Maqedoni. Me atë fermë mund të jeni vetëm fermerë plotësues , për shkak se duhet të ketë mjete themelore të burimit për të kompensuar këtë . Pra , jemi shumë të vegjël si nga përmasat fizike ashtu edhe nga ato ekonomike”, shton Çukaliev.

    Sipas tij, ne nuk furnizohemi me ushqimin në tregjet e mëdha botërore, por nga shtetet fqinje, duke qenë blerës të rregullt të atyre sasive. Andaj po, besoj se do të arrijmë sërish deri tek sasitë që na duhen për të kompensuar mungesën e ushqimit vendor. Çukaliev vlerëson se ne vazhdimisht kemi importuar ushqime dhe kjo nuk është problem, pasi gjithsesi nuk kemi as burime për të prodhuar ushqim të mjaftueshëm.

    “Kur flasim për ushqimin, tani e kam fjalën për ato produkte bazë që përfaqësojnë ushqimin. Nuk e kam fjalën për prodhimin e perimeve, nuk po flas për prodhimeve e pemëve dhe nuk po flas as për vreshtarinë. Ushqimi juaj është grurë dhe nisheste, sheqer dhe vaj. Këta janë faktorët bazë. Por ne nuk kemi panxhar sheqeri për 20 vjet. Fabrika jonë e sheqerit nuk funksionon. Tani shtrohet pyetja a është kjo rezultat i politikës apo i çmimeve, sepse ushqimi është treg, këto janë prodhime të bursave . Pse duhet ta prodhoj nëse mund ta marr më lirë dhe me cilësi më të mirë. Këto janë çështje të vendimeve politike. Dhe a mund t’i kthejmë ato kultura? Ne mundemi, por kurrë nuk do t’i kthejmë ato që na nevojiten, sepse kur prodhonim më së shumti nuk i kishim të gjitha sasitë që na nevojiteshin”, konstaton Çukaliev.

    Ndryshe, një nga zgjidhjet e prodhimtarisë moderne bujqësore në vend është ajo përmes kooperativave në vitet e ardhshme që duhet zbusë edhe problemin që për çdo vit e kanë bujqit në Maqedoni, të shitjes së sigurt të prodhimeve të tyre bujqësore, si dhe të zbusë koston e lartë të punës që shpesh nuk i mbulon as harxhimet, çmimet e ulëta të grumbullimit që diktohen nga tregtarët, mosrespektimin e kontratave për shitblerje, si dhe vonesat në pagesa të pemë-perimeve të grumbulluar. Mirëpo, një organizim i tillë po ngec dhe nuk po shënon përparim. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Grubi flet për drejtësinë: Në Maqedoni kemi drejtësi selektive

    Lajmi i rradhës

    Bllaca, pika kufitare që keqtrajton udhëtarët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë