SUBVENCIONIMI I PAGAVE 2024 | Mjetet akoma askund

    Qeveria në kuadër të pakos së nëntë të masave kundër krizës vendosi se do të subvencionojë sektori privat, me mundësi për rritje të pagave nga 3.000 në 10.000 denarë. Për dallim nga zgjidhja e mëparshme ligjore, me të cilen ka pasur mundësi që pagat në sektorin privat të rriten nga 600 në 6.000 denarë, masa e re ka disa kufizime, por me mundësi të rritjes së pagave nga 3.000 në 10.000 denarë. Për shumën e rritur, punëdhënësi do të paguajë vetëm tatimin mbi të ardhurat personale mbi pagën dhe do të përjashtohet nga pagesa e kontributeve. Mirëpo, këto mjete akoma nuk janë lëshuar për biznesin, ndërsa më i rrezikuari është sektori i tekstilit që me vite përballet me mbijetesë dhe po pret lëvrimin e tyre.

    Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve thotë se veçmë tre muaj privati po pret këtë masë që ishte paralajmëruar që në muajin nëntor të vitit të kaluar. Ai shton se kjo zgjidhje ligjore ka kaluar vetëm leximin e parë në Parlament.

    Dimitrov thekson se punëdhënësit nuk e dinë dhe nuk kanë informacione se pse kjo masë ka ngecur në Parlament, e cila realisht do t’i ndihmojë sektorit të biznesit, por edhe punëtorëve, punëdhënësit e të cilëve do të kenë mundësi t’ua rrisin pagat. Ai shton se në këtë sektor gjendja me kompanitë më të vogla është serioze, pasi disa nga partnerët evropianë tashmë janë larguar dhe i kanë ridrejtuar porositë në Bangladesh apo Vietnam.

    “Na janë larguar një numër i madh kompanish. Kompanitë më të vogla mezi po mbijetojnë. Ata kanë probleme, sidomos ato në Makedonska Kamenicë dhe Shtip. Ata nuk e dinë se si do të vazhdojnë. Ata shpresojnë të gjejnë klientë të rinj, por është shumë e vështirë. Të huajt janë të vetëdijshëm se nuk kemi fuqi punëtore të re, prandaj në afat të gjatë po humbasin interesin për të punuar në Maqedoni”, thekson Dimitrov.

    Nga ana tjetër, ekzekutivi nuk i dëgjoi shoqatat e biznesit dhe sindikatat dhe do të përdorë paratë e shtetit për të paguar kontribute për punëtorët vetëm në tre sektorë, punëdhënësit e të cilëve do t’i rrisin pagat nga tre në nëntë mijë denarë. Ministri i Financave, Fatmir Besimi, thekson se masa nuk është vetëm për rritjen e pagave, por edhe për uljen e punës së paligjshme, e cila është më e përfaqësuar pikërisht në sektorët që qeveria ka vendosur t’i mbështesë financiarisht, përkatësisht hotelierinë, ndërtimtarinë dhe industrinë e tekstilit. Nëse masa jep efekt, atëherë mund të zgjerohet mbulimi i sektorëve, shton ai.

    “Në negociatat me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku u diskutua paketën e masave kundër krizës dhe në këtë fazë masat e synuara duhet të alokohen vetëm aty ku pritet efekti më i madh andaj janë zgjedhur vetëm këta tre sektorë”, thotë Besimi.

    Punëdhënësit kishin kritikuar jo vetëm selektivitetin që qeveria planifikon të zbatojë me këtë masë të subvencionimit të pagave, por edhe disa pika të tjera të diskutueshme për përjashtimin nga pagesa e kontributeve.

    Ankesat janë se ligji nuk parashikon subvencione për punëtorët e rinj, përderisa pakënaqësi është shprehur edhe me afatin e subvencionimit prej vetëm një viti, ku vlerësohet se efektet nuk do të jenë të mëdha ndaj rritjes së produktivitetin në mënyrë drastike, dhe në mënyrë që pas një viti të mbahet rritja e pagave pa lirim tatimor.

    Edhe reagimi i sindikatave ishte se nuk duhet të ketë selektivitet në lidhje me ndihmën shtetërore për punëtorët dhe ekonominë. “Ne presim që Qeveria të mundësojmë që kjo masë të zbatohet në të gjithë sektorët dhe aktivitetet për të gjithë punëtorët paga e të cilëve është deri në nivelin e pagës mesatare mujore në nivel vendi dhe për këtë japim mbështetjen tonë për zbatimin e kësaj mase sidomos për shkak se subvencionet do të jenë për një periudhë njëvjeçare, kurse pagat e punëtorëve do të mbeten të rritura edhe pas përfundimit të periudhës së njëjtë”, thonë nga Lidhja e Sindikatave.

    Kjo masë do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e ekonomisë informale dhe është pjesë e aktiviteteve të strategjisë së ekonomisë informale.

    Kufizimi është që këtë masë mund ta përdorin të gjithë punonjësit në sektorët përkatës që kanë pagë deri në një pagë mesatare të paguar për tre muajt e fundit. Kjo do të thotë se nëse në muajin dhjetor, nëntor dhe tetor, paga mesatare e paguar për një punonjës nuk është më e madhe se paga mesatare një e gjysmë, masën mund ta shfrytëzojnë në 12 muajt e ardhshëm për rritje prej 3.000 deri në 10.000 denarë, e cila do të bihet dakord me punëdhënësin. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    ZGJEDHJET PRESIDENCIALE / Edhe kandidatë, edhe funksionarë!

    Lajmi i rradhës

    Sela: ndjehem i tradhtuar nga Arben Taravari

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë