Talat Xhaferi akuzon Musa Xhaferin se nuk i di procedurat ligjore dhe kushtetuese

    Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi akuzon Musa Xhaferin se nuk i di procedurat ligjore dhe kushtetuese dhe akuzon pa bazë se si i pari i Kuvendit nuk mund të ketë funksion partiak.

    Xhaferi i kërkoi të gjithë atyre që kanë dilema të drejtohen në Gjykatën Kushtetuese. Ai shtoi se të drejtën e vendimmarrjes në parti e ka vënë në pushim.

    “Nëse bashkë partiaku im nuk mund ta bëjë këtë dallim, të paktën ju duhet ta bëni një dallim të tillë. Anëtarësimin në cilido qoftë organ partiak nuk mund të ma pengojë asnjë Kushtetutë. Talat Xhaferi është deklaruar edhe në organet partiake edhe këtu publikisht, nga fillimi i funksionit kryetar i Parlamentit, të drejtën e vendimmarrjes në organet partiake e vë në pushim. Urdhëroni, keni gjyq kushtetues, shpresoj që ende nuk i ka kaluar mandati anëtarëve që duhet punojnë atje. Atje. Këtu nuk e keni ju të drejtën të vendosni nëse unë kam ose jo të drejtë”, tha Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.

    Në mungesë të deputetëve të BDI-së, Xhaferit i dolën në mbështetje deputetët e LSDM-së. Jovan Mitrevski tha se derisa është ashtu siç thotë kryetari i Kuvendit, në të vërtetë nuk ka pengesa kushtetuese.

    “Nuk e di se si e kanë të rregulluar BDI këtë çështje me statut, çfarë funksione kanë por nëse funksioni nënkupton vetëm pjesëmarrje dhe jo vendimmarrje, nuk shoh ndonjë problem kushtetuese. Nëse ka ndonjë funksion tjetër, është problem tjetër. Sipas asaj që tha Xhaferi, nuk ka pengesa kushtetuese për një gjë të tillë”, u shpreh Jovan Mitrevski, Deputet i LSDM-së.

    Kushtetuta sanksionon funksionin partiak ose publik, por jo edhe anëtarësimin e thjeshtë. Të shtunën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm në Tetovë, Xhaferi lëshoi mbledhjen për dy arsye: e para se nuk u pajtua me formatin e nënkryetarëve të partisë dhe e dyta, siç deklaroi edhe vetë ai, nuk kishte të drejtë vote në parti duke qenë se është kryetar i Kuvendit.

    Pjesëmarrja e Xhaferit në kryesi do të jetë çështje shqyrtimi e Këshillit Mbikëqyrës brenda BDI-së. Këtë e paralajmëroi anëtari i këtij organi, Musa Xhaferi. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “RMV ka mbështetjen që deri në vitin 2030 të bëhet anëtare e plotë e BE-së”

    Lajmi i rradhës

    Viktima më e re e trafikimit me njerëz në Maqedoni është një vajzë 10 vjeçe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë