Tallje me punonjësit që pastrojnë Shkupin!  

    Paga nën minimalen, largimet nga puna të 100 punëtorëve para gjashtë muajsh dhe 100 të tjerëve tani, prej të cilëve kishte punëtorë me mbi njëzet vite përvojë, shumica e të cilëve janë shqiptarë, ishin vetëm disa nga shkaqet që i shtynë punëtorët e NP “Higjiena Komunale” të revoltohen deri në atë pikë ku në shenjë proteste të mos i pastrojnë bërllokun e kontejnerëve të kryeqytetit. E gjithë kjo situatë rezultoi me kaos në rrugët e Shkupit në të cilën u vërejtën kontejnerë të stërmbushur nga të cilët po përhapet erë e keqe, pasi shërbimet e ndërmarrjes së qytetit Higjiena Komunale – Shkup tashmë disa ditë në shenjë proteste refuzuan t’i zbrazin kontejnerët. Disa nga kryetarët e komunave të Shkupit kanë bërë të ditur se janë organizuar për pastrimin e mbeturinave. Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, ka bërë të ditur se vetë shërbimet komunale nga mëngjesi i sotëm do të fillojnë me grumbullimin e mbeturinave. Ai tha se e gjithë makineria e NP “PKQ” do të jetë në terren, si dhe do të ketë pajisje shtesë për grumbullimin e mbeturinave.

    Edhe kryetarët e komunave të Aerodromit dhe Kisella Vodës, Timço Mutsunski dhe Orce Gjorgjievski dje kanë njoftuar se do të fillojnë vetë pastrimin e mbeturinave. Ata mbrëmë kanë tentuar të mbledhin mbeturinat e grumbulluara nga kamionët në deponinë “Drisla” në Shkup, prej nga nuk janë lejuar të hyjnë në deponi. Nga një video e publikuar në rrjetet sociale shihet se si një kamion i mbushur me mbeturina i hedh mbeturinat përballë “Drislës”.

    Dje me një deklaratë për opinionin ka reaguar Deponia Publike “Drisla”, e cila ka bërë të ditur se Komuna Aerodrom dhe Kisella Vodë nuk kanë marrëveshje me ta për deponimin e mbeturinave dhe se ajo ka skaduar në muajin mars. Nga deponia e Shkupit thanë se me hedhjen e mbeturinave para hyrjes së ndërmarrjes, kryetarët Mucunski dhe Gjorgjievski kanë kryer krim kundër mjedisit dhe pyesin se ku i deponojnë këto komuna mbeturinat që pretendojnë se i mbledhin nëse nuk kanë marrëveshje me ta.

    LSDM-ja në pushtet gishtin e drejton direkt kah kryetari i opozitës, Hristijan Miskoski. “Prandaj Mickoski del dhe vepron i shqetësuar, pamja e tij tregon se ai e di, ai është përgjegjës për kaosin me mbeturinat në Shkup. Pushteti jokompetent lokal i DPMNE-së ka krijuar një kaos të paparë, Shkupi me ditë të tëra po mbytet në mbeturina”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

    Në anën tjetër, lideri i opozitës VMRO-DPMNE, Mickoski doli mbrëmë me disa nga kryetarët e komunave të Shkupit nga radhët e kësaj partie të cilët u organizuan për pastrimin e mbeturinave, pas disa ditëve që punëtorët e NP “Higjiena Komunale” protestuan dhe nuk kryen grumbullime të mbeturinave nga rrugët e Shkupit.

    Partia opozitare gjithashtu kërkoi edhe dorëheqjen e kryetares së Shkupit, Arsovskës, të cilën ata e quajnë shkatërruese dhe kriminale deri në kockë. “Në Shkup prej ditësh nuk mblidhen mbeturina për shkak të paaftësisë së Arsovskës dhe pushtetit të qytetit. Dje, gjatë mbrëmjes dhe natës vonë, ekipet e formuara nga kryetarët e VMRO-DPMNE-së me ekipe dhe makineri kanë ndihmuar në pastrimin e një pjese të konsiderueshme të mbeturinave të grumbulluara me ditë të tëra në rrugë. Por paaftësia dhe primitivizmi i Arsovskës nuk ka kufi dhe kjo u pa kur drejtori i saj në JP ‘Drisla’ refuzoi të pranonte mbeturinat që i merrnin kamionët”, thekson VMRO-DPMNE-ja.

    Ata shtojnë se nuk mund t’i ndihmojnë zhgënjimet dhe kushtet e tjera të Arsovskës. “Për këtë ka edhe institucione të tjera, por më së miri është që Shkupi të japë dorëheqje dhe atë sa më parë”, kanë thënë VMRO-DPMNE.

    Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, dje pas mbledhjes së shtabit të krizës së qytetit, ka akuzuar se disa nga punëtorët kanë disa ditë që e kanë bllokuar punën e Higjienës Komunale për interesa personale. Megjithatë, ajo shton se pastrimi i mbeturinave po i kthehet normalitetit. “Dje as institucionet nuk arritën të ndalin bllokimin e paligjshëm të kompanisë. Kjo është një tjetër shenjë se sundimi i ligjit nuk funksionon në Maqedoni. Për këto arsye, menjëherë është vënë në funksion shtabi i krizës nga ndërmarrjet publike të Shkupit, me qëllim të ruajtjes së higjienës në kryeqytet, të cilat janë në terren dhe në mënyrë aktive pastrohen. Ndërmarrja publike Higjiena Komunale tashmë po kthehet në normalitet, ndërrimi është duke punuar, shpresojmë që nga nesër të punojë me kapacitet të plotë”, tha Arsovska.

    Mbrëmjen e kaluar sërish ka pasur protestë përpara objektit të NP “Higjiena Komunale” në Shkup, por kësaj rradhe kishte protestues që u ndaluan nga policia. Në deklaratën e lëshuar nga MPB, thuhet se në mesin e 50 protestuesve ka pasur edhe persona që nuk punojnë në “Higjenën Komunale” dhe të njejtit janë ndaluar nga policia, pasi bashkë me të tjerët penguan daljen e kamionëve në terren për të grumbulluar mbeturinat. “Më datë 09.07.2023 rreth orës 22.00 në Stacionin Policor në Gazi Babë është denoncuar se të punësuarit mbajnë protestë, kurse mes tyre ka edhe persona që nuk janë të punësuar në ndërmarrje. Nëpunësit policorë menjëherë kanë dalë në terren, ku është konstatuar se rreth 50 persona janë duke protestuar dhe pengojnë kryerjen e punës. Me intervenim policor veturat për grumbullimin e mbeturinave, kanë dalë nga kapia, kurse personat të cilët nuk janë të punësuar në ndërmarrje, kurse janë kapur në rrethinën e ndërmarrjes, do të përballen me sanksione të parapara me Ligj”, thanë nga MPB. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Të huajtë ç’kuitojnë për shqipëtarët

    Lajmi i rradhës

    S’ka mana në oborret e dibranëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë