Taravari dhe Osmani me kulturë politike, te kandidatët e tjerë nuk mungon fushata e zezë dhe ofendimet

    Si nisi fushata e kandidatëve për president? A do ta ruajnë nivelin e komunikimit deri në zgjedhje apo dalëngadalë po hyjmë në një fushatë të zezë me kritika të drejtpërdrejta e të ndërsjella dhe gjuhë urrejtjeje. Për këtë ka folur edhe Imer Selmani, ish-kandidati për president, i cili duke analizuar sjelljen e kandidatëve të BDI-së dhe VLEN-it, Bujar Osmani dhe Arben Taravari, ka thënë se ata kanë një kulturë sjelljeje deri më tani, por se “nxitësit” kryesorë janë selitë e partive politike.

    “I njoh që të dy, nëse mbeten ata dy pa ndikuar shumë shtabet e tyre, pa ndikim nga rrethi i tyre, e dini që kur udhëtoni nëpër debate dhe mitingje secili diçka ju pëshpërit, pse si thatë kështu, ta kapnit ngushtë, mendoj se deri në fund të fushatës, së paku mes dy kandidatëve Arbenit dhe Bujarit do të mbetet në nivel”, tha Imer Selmani, analist politik.

    Por çfarë po ndodh me kandidatët e tjerë, kryesisht në terren. Kundërshtarët e drejtpërdrejtë, kandidatët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova dhe Stevo Pendarovski, edhe pse u zotuan se nuk do të sulmojnë drejtpërdrejt dhe personalisht njëri-tjetrin, megjithatë në këto pak tubime që patën, nuk munguan të kritikojnë e ndërsjella.

    “Bile mendoj se qëllimisht po stimulojnë ekzodusin për shkak se nëse ndokush është i mençur dhe i aftë këtu, kjo gjë i nevrikos ato për shkak se i rikujton se janë nën mesataren, të frustruar, të kompleksuar. Andaj përderisa ne flasim për program, unë, kryetari, deputetët, ata merren me fushat të zezë. Po e shihni çfarë paradoksi, turp më vjen ta them, por dikush do të thotë se ky është proces i debilizimit”, pohoi Gordana Siljanovska, kandidate për president.

    “Ata janë njerëz pa fytyrë, që nuk kanë virtyte për të kërkuar falje për aktin më të turpshëm në historinë e shtetit maqedonas – 27 prillin e vitit 2027, kur organizuan rebelim të dhunshëm vetëm që të mos i’a dorëzojnë pushtetin atyre që e fituan besimin e qytetarëve. Në vend që të kërkojnë falje për programin e tyre zgjedhor dhe për deklaratat e tyre politike, paralajmërojnë amnisti për ata që deshën të vrasin deputetë”, tha Stevo Pendarovski, kandidat për president.

    Ngjashëm është edhe te kandidatët e tjerë. Stevçe Jakimovski drejtpërdrejtë e sulmoi Maksim DImitrievskin.

    “Tani është parë që z. Maksim Dimitrievski është në koalicion me VMRO-DPMNE-në dhe nuk është rastësi që thashë edhe më herët kur Mickoski tha se unë dhe zonja Vankovska ishim opozita e opozitës, e çka ndodhi me atë kandidatin e tretë, ja ku qenka fshehur lepuri”, deklaroi Stevçe Jakimovski, kandidat për president.

    Disa nga ekspertët theksojnë se beteja kryesore në fushatën e zezë do të bëhet në rrjetet sociale dhe tashmë në billborde dhe në media vërehet denigrimi i ndërsjellë i kundërshtarëve. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Nuk ka arsimtarë të shkencave ekzakte, shkollat i zëvendësojnë me kuadër jo adekuat

    Lajmi i rradhës

    Përdorimet interesante të sapunit të enëve jashtë kuzhinës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë