Taravari: përveç votave shqiptare, mund të marrim edhe votat e etnive tjera

    Arben Taravari / Fotografia: Kallxo.com

    Rrëfimi i Arben Taravarit për kandidimin për president të Maqedonisë së Veriut

    Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari ka folur rreth kandidaturës së tij për këtë pozitë, në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24.04.2024 dhe 08.05.2024.

    Ai është kandidat i koalicionit të opozitës shqiptare, Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN). Ky koalicion përbëhet nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lidhja Demokratike dhe njëri krah i Aleancës për Shqiptarët (ASH).

    Taravari në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se partitë opozitare shqiptare vazhdimisht kanë marrë më shumë vota se sa partia në pushtet.

    “Pikësynimi i të gjitha partive shqiptare opozitare që e quajtëm VLEN, opozita e bashkuar shqiptare, që të dalim me një qëndrim dhe të garojmë në zgjedhjet presidenciale me një kandidat për president, që pas vlerësimeve të përbashkëta që i bëm, doli që me kandidimin tim mund të arrihet që shqiptarët për herë të parë të kalojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni që është shumë me rëndësi sidomos simbolika e asaj që shqiptarët janë 30% në Maqedoni. Unë shpresoj që përveç votave shqiptare, mund të marrim edhe votat e etnive tjera” – tha Taravari.

    Taravari thotë se mendon që do të dalë i dyti në zgjedhjet presidenciale, sepse sipas tij do ta ketë përkrahjen e BDI-së.

    “Unë kam ftuar BDI-në që të na përkrahë, të kemi një kandidat shqiptar, me përkrahjen e BDI-së, sigurisht që shkohet në raund të dytë” – thotë Taravari.

    Por Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka bërë të ditur se Bujar Osmani do të jetë kandidat i kësaj partie për president në zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit.

    Taravari më tej ka thënë se i vjen keq që nuk mundën të dalin vetëm me një kandidat për president të gjitha partitë shqiptare.

    “Ne kemi biseduar edhe me BDI-në, por fatkeqësisht nuk mundëm të gjejmë një zgjidhje, pra ishte e pamundur të gjendet një kandidaturë e kapshme për të gjitha partitë” – ka thënë Taravari.

    Ai ka shpalosur edhe programin e tij presidencial për Maqedoninë e Veriut.

    “Do të hapim një debat mes dy etnive, shqiptarëve dhe maqedonasve, Maqedonia duhet të mbaj rrugën evropiane dhe të ndodhin ndryshimet kushtetuese për futjen e etnisë bullgare në Kushtetutë. Tjetra është tërheqja e 20%, që përdoret për gjuhën shqipe dhe propozimi im do të jetë që Maqedonia, sikur Kosova që presidentin ta zgjedhim njësoj”- tha Taravari.

    Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, nga lista e partisë opozitare ‘VLEN’, Arben Taravari, ka thënë se shqiptarët në këtë shtet kanë më pak të drejta se sa serbët në Kosovë.

    A duhet të formohet asociacion i komunave shqiptare në Maqedoni të Veriut, flet kandidati për president

    Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka shtuar se në Maqedoni duhet të kthehet kushtetuta e vitit 1974.

    “Shqiptarët në Maqedoni t’i kenë të drejtat njëjtë si serbët në Kosovë. Ne kemi shumë më pak të drejta ndonëse jemi 30% të popullatës se sa që kanë serbët në Kosovë që janë 4 apo 5%”, – tha Taravari.

    Ai shtoi se në Maqedoni duhet decentralizim i pushtetit.

    “1974 në Tetotvë p.sh, kryetari i komunës e zgjedhte drejtorin e spitalit, e zgjidhte kryesuesin e prokurorisë, të gjitha institucionet kulturore ishin në kompetenca të kryetarit të komunës. Sot asnjëra prej këtyre kompetencave nuk është” – tha tutje Taravari.

    Ai ka folur edhe për emrat e rrugëve në Maqedoni të Veriut që nuk janë në gjuhën shqipe, ndonëse është gjuhë zyrtare në këtë shtet.

    “Sipas ligjit është dashur që të jenë në dy gjuhë edhe në gjuhën shqipe, aty ku jetojnë më shumë se 20% popullatë shqiptare. Psh në Shkup janë mbi 20% shqiptar, por jo sjanë shenjat në gjuhën shqipe, disa komuna fatkeqësisht nuk e respektojnë ligjin edhe pse ka një agjencion që duhet ti dënoj”, – tha kandidati për president.

    Ai ka insistuar që duhet të ndrërrohet kushtetuta e këtij shteti, bashkë me këtë, të hiqet 20%-shi.

    Në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, shqiptarët përkufizohen si popull ‘20%’.

    “Është fyese është ofenduese sepse na llogarisin si numër apo si përqindje. Shkruani në vend të asaj 20%, gjuha maqedonase dhe gjuha shqipe” -thotë Taravari.

    Sipas tij maqedonasit e kanë kompleks dhe Maqedoninë e Veriut e konsiderojnë vetëm pronë të vetën.

    “Mendoj se te maqedonasit ka një kompleks disi s’mund ta pranojnë ose e konsiderojnë këtë shtet si vetëm të vetin. Shteti u takon qytetarëve e jo pronë e një etnie. Gabimi më i madh që mendoj se e kanë në subkoshiencën e tyre, bashkë qytetarët e tan maqedonas është pronësia dhe kompleksi qe nëse i jep të drejt një etnie tjëtër, ata do të humbin diçka, por ata asgjë nuk humbin dhe janë shumë më zemërgjërë” – tha tutje Taravari.

    Lajmi Paraprak

    Edhe kontabilistët në RMV i rritin çmimet

    Lajmi i rradhës

    Pritja e gjatë e termineve në shëndetësinë publike, “i përzë” pacientët drejt shëndetësisë private

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë