Të ardhurat e komunave në vend varen nga transferet e pushtetit qendror

    Deri në vitin 2024, do të rriten të ardhurat e komunave nga tatimi personal nga 12 në 26 milionë euro apo do të rriten nga 3 në 6 për qind. Njëherësh në vitet e ardhshme do të rriten edhe të ardhurat nga TVSH nga 45 në 60 milionë euro. Një zgjidhje e tillë ligjore e përgatitur nga ekzekutivit pritet të votohet edhe nga të zgjedhurit e popullit. Ish kreu i Komunës së Haraçinës dhe aktualisht deputet i Lëvizjes BESA, Bastri Bajrami, vlerëson se rritja e TVSH-së dhe tatimit personal është tejet e e mirëseardhur për komunat , dhe sidomos për ato rurale të cilat janë të varura nga buxheti qendror. Mirëpo, shton se duhet të mendohet për një rritje të mëtejshme të këtyre mjeteve në të ardhmen.

    “Po ashtu, mbaj mend që kur isha kryetar i Komunës së Haraçinës dhe anëtarë i BNJVL-së, kërkesa për nivelin e përqindjes ishte shumë më e lartë, kërkohej të ndahet së paku 10 për qind nga TVSH, dhe mbi 30 për qind nga Tatimi Personal, bazuar në shembujt e vendeve të rajonit dhe më gjerë ku të ardhurat nga këto dy burime janë shumë më të larta. Por, edhe kjo rritje do të zbut sadopak gjendjen me mjetet e pakta me të cilat disponojnë komunat për të mbuluar harxhimet operative dhe të mundet të investojnë në avancimin e shërbimeve për qytetarët”, thekson Bajrami. Sipas tij, përskaj kësaj rritje së përqindjes së tatimit që do të ndahet për komunat, edhe menaxhimi i vetë komunave nevojitet të shënojë një përmirësim të mëtejshëm. “Ajo që pritet nga komunat është të bëjnë përpjekje të grumbullojnë të hyra vetanake që sa më pak të varen nga transferet e pushtetit qendror, dhe kuptohet – të menaxhojnë në mënyrë racionale dhe transparente me mjetet nga buxheti komunal”, shton më tej Bajrami.

    KOMPONENTA E DOBËT ZHVILLIMORE

    Në ndërkohë, analizat e ndryshme tregojnë se të ardhurat e komunave në vend me gati dy të tretat në mesatare varen nga transferet e pushtetit qendror. “Në vetëqeverisjet lokale mund të vërehet edhe më tej komponenta zhvillimore që është e dobët si dhe harxhimet në një pjesë të madhe shpesh edhe joproduktive që ndonjëherë përfshihen edhe në shpenzime kapitale . Mirëpo edhe një reformë e tillë nuk garanton se këto mjete shtesë që të do pranojnë komunat do të orientohen ndaj komponentit së zhvillimit dhe jo të harxhohen për harxhime rrjedhës, punësime apo harxhime jopopullore si për vetura”, thotë Bllagica Petrevska nga Fajnens Think.

    Sipas saj, në suaza afatgjate mënyra e vetme që të kemi vetë qëndrueshmëri të komunave, është komponenti më i theksuar zhvillimor , për çka mund të kontribuojnë këto mjete shtesë që do të ndahen në të ardhmen. Në ndërkohë, ekzekutivi në kuadër të decentralizimit të mëtejshëm fiskal, premton më shumë fonde dhe të ardhura stabile të komunave, me qëllimin përfundimtar të shërbimeve më të mira dhe më efikase për qytetarët dhe zhvillim të përforcuar lokal. Reformat e paralajmëruara në pushtetin lokal, bazohen në tre shtylla: rritja e kapacitetit fiskal të komunave dhe rritja e të ardhurave të komunave, rritja e disiplinës financiare të komunave, zvogëlimi i borxheve dhe rritje e transparencës dhe llogaridhënies.

    Me zgjidhjen e re ligjore, komunat do të marrin më shumë të ardhura nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe nga norma e dotacionit nga TVSH -ja. “Për të forcuar kapacitetin fiskal të komunave, me këtë Ligj parashihet rritje graduale e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale nga 3 për qind në 6 për qind deri në vitin 2024, apo përqindja për vitin 2022 do të jetë 4 për qind, për vitin 2023, 5 për qind, dhe për vitin 2024, 6 për qind. Komunat i marrin këto të ardhura nga të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale nga pagat e personave fizik të paguara në komunën në të cilën ata janë regjistruar me qëndrim dhe adresë të përhershme”, thonë nga Ministria e Financave. Njëherësh, për të përmirësuar kapacitetin fiskal dhe për të rritur të ardhurat e komunave, Ligji propozon ndryshime për të rritur gradualisht normën e TVSH -së nga 4.5 për qind në 6 për qind. Reformat gjithashtu parashikojnë që në rast të mungesës së disiplinës financiare , ajo do të imponohet me ligj në bazë të kritereve të caktuara.

    NJË SISTEM OBJEKTIV DHE TRANSPARENT I FINANCIMIT

    Nuk synohet që të bllokohen komunat, por ato do të kenë në dispoziçion tre instrumente, apo mundësinë për të shfrytëzuar kredi me kusht nga Ministria e Financave, lëshimin e një obligacioni komunal për blerës të njohur dhe lëshimin e një lidhje strukturore nga Ministria e Financave. Në drejtim të rritjes së disiplinës financiare të komunave, uljes së borxheve, reforma parashikon masa për planifikim real të të ardhurave dhe shpenzimeve të komunave, racionalizim të operacioneve dhe zvogëlim të shpenzimeve të panevojshme, shërbim të rregullt të detyrimeve, disiplinë më të madhe financiare , procedura për deklarimin e mos-stabilitetit financiar, emetimin e obligacioneve komunale dhe analizën e detyrimeve ekzistuese të komunave dhe ndërmarrjeve publike. Gjithashtu, në drejtim të përforcimit të përgjegjësisë fiskale të komunave me ndryshimet ligjore, pritet të rritet transparenca e punës së komunave, e cila do të detyrojë komunat që të publikojnë të dhëna financiare në ueb-faqet e tyre në mënyrë transparente, gjithashtu si rritje e llogaridhënies në shpenzimet e të gjitha fondeve të ndara nga shteti.

    Ndryshe, kohë më parë, përfaqësuesit e komunave kanë kërkuar vendosjen e një sistem objektiv dhe transparent i financimit të komunave me qëllim të sigurimit të drejtë të mjeteve financiare, që vlen sidomos për komunat më të vogla dhe më të varfra e që në vazhdimësi kanë kapacitete të vogla tatimore, ndërsa kanë nevoja të mëdha financiare. Njëherazi kërkohej edhe rritja graduale e të ardhurave për komunat nga Tatimi i Vlerës së Shtuar nga 4.5 për qind në 10 për qind si dhe rritje e tatimit personal nga 3 në 50 për qind. Analizat tregojnë se pjesa më e madhe e të ardhurave të komunave, apo më shumë se 60 për qind – vijnë nga transferet e pushtetit lokal, që sipas kryetarëve të komunave paraqet bazë për të rrezikuar pavarësinë, andaj një gjë e tillë nevojitet të ndryshohet më shpejt. Vitet e kaluara, përskaj shlyerjes së gjysmës së borxheve të komunave apo ndihmës prej 50 milionë euro të vetëqeverisjeve lokale për servisimin e obligimeve, po punohet në revidimin e bllok-dotacioneve dhe modelet e reja të financimit të kompetencave në arsim, kulturë etj./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Gjatë pandemisë, qytetarët e RMV-së e kanë tepruar me antibiotikë dhe vitamina në mënyrë të pakontrolluar

    Lajmi i rradhës

    Drejtësia e re në rrezikun e minimalizmit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë