Të droguarit rrahin prindërit | Rastet e larta të dhunës në familje, viktimat janë gratë

    Herën e parë që u arrestua, Erblin, një përdorues droge akuzohej për dhunë ndaj të ëmës, një grua që nuk kishte mundësi ekonomike ta dërgonte 24-vjeçarin në një qendër rehabilitimi.

    Kur përfundoi dënimin, ai përfundoi sërish nën akuzë për posedim droge dhe për avokatin e tij, është çështje ditësh që e ëma të dorëzohet e të ngrejë sërish padi për dhunë.

    “Unë e kam marrë mbrojtjen, e kam marrë në shkallë të parë dhe në Apel dhe do t’a marr prapë, për shkak se është një moment që duhet të ndryshojë, duhet t’i kthehet shoqërisë normale, të heqë dorë nga lënda narkotike“, thotë avokati Sokol Tahiraj.

    Nga 2021 policia ka trajtuar 10435 raste të dhunës në familje, prej të cilave përqindjen më të lartë e zënë gratë e dhunuara. Por ajo që vërehet dy vitet e fundit është pikërisht dhunimi i prindërve nga fëmijë të droguar, apo një anëtar i familjes i alkoolizuar. Referuar dendësisë së popullsisë, numrin më të madh të denoncimeve e ka Tirana, Durrësi, Fieri dhe Vlora.

    Aktualisht, në burgjet shqiptare numërohen 134 shtetas të arrestuar, me statusin të burgosur dhe të paraburgosur, të cilët janë përdorues droge dhe trajtohen me metadon. Numrin më të lartë të tyre për kryerjen e një vepre penale, e zënë dhunuesit në familje kundër një anëtari të familjes, kryesisht prindërit dhe shkak i kësaj dhune sipas hetimeve që ka dërguar të dyshuarit në burg, ka qenë pikërisht kërkesa për para, me të cilat i dyshuari duhet të blinte dozat e drogës.

    “Rezulton që ka 30 për qind të çështjeve të regjistruara, që i përkasin kësaj kategorie. Akuzë dhe urdhra mbrojtjeje. Vihet re një rritje e këtij fenomeni, krahasuar me vitet e fundit”, shprehet kancelari Donald Xhelili.

    Një monitorim i qendrës “Fol” për Tiranën evidentoi vitin e kaluar se mesatarisht çdo ditë 5- 6 të rinj shoqëroheshin në komisariate me doza droge, kryesisht hashash dhe kokainë. Analizat e mjekësisë ligjore kanë provuar se ata janë përdorues dhe në rast se nuk kanë kryer një krim tjetër përveç mbajtjes së një doze drogë, ata lirohen nga gjykata dhe prokuroria që vendos mos fillim të çështjes. Por problemi vazhdon në familjet e tyre. /TCH/

    Lajmi Paraprak

    Kupchan: ShBA-të ta marrin me prioritet përkeqësimin e raporteve të sigurisë mes Kosovës dhe Serbisë

    Lajmi i rradhës

    Fatos Lubonja: Kurti ka sfiduar sistemin Rama-Thaçi-Vuçiç-ndërkombëtarë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë