“Te Gjermania mund të kesh besim”

    Gjermania sot përkujtoi fillimin e luftës kundër Ukrainës një vit më parë me një aktivitet në Pallatin Bellevue. Në fjalën e tij, presidenti gjerman Steinmeier premtoi ndihmë të konsiderueshme shtesë.

    Në përvjetorin e pushtimit rus të Ukrainës, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier i premtoi Ukrainës se do të vazhdojë të ofrojë solidaritet dhe mbështetje. “Gjermania është sot, edhe ushtarakisht, mbështetësi më i madh i Ukrainës në kontinentin evropian. E megjithë debatet polemike, nganjëherë të zjarrta unë jam i sigurtë: ne do të jemi edhe në të ardhmen të tillë”,  tha Steinmeier-i gjatë një ceremonie njëorëshe në Pallatin Bellevue në Berlin. Prandaj tha ai “edhe përballë asaj që kemi përpara vetes: Te Gjermania mund të kesh besim”. Duke iu drejtuar ambasadorit ukrainas Olkesii Makeiev, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në këtë ngjarje, Steinmeieri tha, në ukrainisht: “На Німеччину можна покластися”.

    Steinmeier-i e kishte bërë ftesën së bashku me Makeiev-in për ceremoninë e organizuar në Pallatin Bellevue me rastin e përvjetorit të pushtimit rus të Ukrainës. Ai me këtë rast bëri thirrje edhe për një minutë heshtje për viktimat e luftës. Në drejtim të Rusisë, Steinmeieri tha: “Putini dëshiron të fitojë, me gjithë fuqinë e tij – por e vërteta është: kushdo që lejon që të masakrohen dhe vriten njerëz, kushdo që lejon që Ukraina të shkatërrohet nga bombardimi, kushdo që shkatërron qytete dhe rrëmben fëmijë, ai që i lë edhe ushtarët e tij të gjakosen pa kuptim ditë pas dite, nuk do të dalë kurrë fitimtar përballë historisë, ai tashmë ka humbur”. Gjermania nuk është në luftë, tha Presidenti gjerman “por kjo luftë ka të bëjë me ne”.

    “Efekt i gjerë i çdo vendimi”

    Presidenti gjerman tha se “ne po dërgojmë armë në një zonë lufte, armë të rënda dhe po mbështesim Ukrainën në një masë të paprecedentë ushtarakisht, me përpjekje dhe seriozitet të madh.” Sipas tij, politikanët janë shumë të vetëdijshëm për implikimet e gjera të çdo vendimi. “Ata vlerësojnë dhe vendosin me përgjegjësi të plotë për vendin tonë, për aleancën tonë dhe për Ukrainën. Dua të them: ata meritojnë besim dhe respekt për këtë,” tha Presidenti Federal.

    Steinmeier ishte skeptik për aftësinë e Kinës për të luajtur një rol konstruktiv në përpjekjet për të arritur një paqe të drejtë. “Nëse është kështu, Kina në çdo rast duhet të bisedojë jo vetëm me Moskën, por edhe me Kievin”. Për më tepër, Kina duhet t’i bashkohet shumicës dërrmuese të shteteve në mbrojtjen e paqes nën mbikqyrjen e Kombeve të Bashkuara. Kina kishte bërë thirrje më parë për një armëpushim në luftën në Ukrainë dhe kishte paraqitur një dokument prej 12 pikash për këtë qëllim.

    Zelenski: Ne mund të ndalojmë agresionin e Rusisë këtë vit

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, iu drejtua të pranishmëve me video-mesazh. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski, i cili foli përmes videos e falënderoi qeverinë federale për mbështetjen e saj. “Gjermania na ndihmon të mbrojmë Ukrainën nga terrori rus. Gjermania do të jetë me ne në ditën e fitores së lirisë,” tha Zelenski. Në të njëjtën kohë, ai bëri thirrje për mbështetje të vazhdueshme për vendin e tij. “Ne jemi në gjendje t’i japim fund agresionit rus këtë vit,” tha presidenti ukrainas, sipas përkthyeses. Dhe atëherë, sipas Zelenskit, askush nuk do të rrezikojë më të ndërmarrë një agresion “kur e di se bota e lirë është mjaft e vendosur për të mbrojtur lirinë”.

    Ambasadori i Ukrainës në Berlin Oleksii Makeiev falënderoi Gjermaninë në Pallatin Bellevue për ndihmën e saj ushtarake dhe civile në luftën e agresionit rus. “Armët gjermane shpëtojnë jetë. Armët gjermane shpëtojnë Ukrainën,” vazhdoi Makeievi.

    Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas dhe Presidenti i Bundesratit Peter Tschentscher, si dhe anëtarë të kabinetit. Në galerinë e Pallatit Bellevue u hap një ekspozitë me foto të fotografëve ukrainas, me pamje nga viti i luftës në Ukrainë.

    Scholzi i bën homazhe vendosmërisë së ukrainasve

    Më herët gjatë ditës, Scholz-i nderoi vendosmërinë e ukrainasve dhe mbrojti linjën e qeverisë federale në një video-mesazh për përvjetorin. “Rusia po bën një luftë të pamëshirshme agresioni kundër Ukrainës”, tha Scholzi në videon e postuar në Twitter.

    Gjermania mbështet ukrainasit që mbrojnë lirinë e tyre me vendosmëri dhe guxim, aq fort dhe për aq kohë sa duhet, tha ai. “Kushdo që shikon prapa në vitin e kaluar e kupton: presidenti rus ka dështuar,” vazhdoi Scholz. “Putini u përpoq të ndante dhe arriti të kundërtën. Ukraina është më e bashkuar se kurrë.”

    BE është i bashkuar, vazhdoi Scholz. Gjermania do të qëndrojë e palëkundur me Ukrainën në të ardhmen. “Sepse nuk janë pikërisht dërgesat tona të armëve që e zgjasin luftën”. E kundërta është e vërtetë: “Sa më shpejt të kuptojë presidenti rus se nuk do ta arrijë qëllimin e tij imperialist, aq më të mëdha janë shanset për një përfundim të shpejtë të luftës. Putini e ka në dorë këtë. Ai mund t’i japë fund kësaj lufte. /DW/

    Lajmi Paraprak

    NEPOTIZMI DHE KORRUPSIONI PO “LULËZOJNË” | Kovaçevski: Nuk mund të luajmë rolin e gjykatësit

    Lajmi i rradhës

    RMV i ndjen efektet negative të luftës në Ukrainë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë