Të rinjtë në Maqedoni i ikin blegtorisë

    Dibra dhe rajoni gjatë dekadave kanë patur një blegtori të zhvilluar. Pjesa perëndimore e vendit është përplot me kullosa verore por edhe kushte shumë të mira për dhentë gjatë sezonit dimëror. Pikërisht këta janë faktorët kryesor që në Dibër dhe rajon mund të jetohet nga blegtoria.

    Por viteve të fundit migrimi masiv i popullatës dhe kryesisht e të rinjve drejt për drejt ka ndikuar edhe në braktisjen në një pjesë të saj të blegtorisë, gjë që ka shkaktuar uljen e prodhimtarisë në këtë sferë. Problemi është prezent si në komunën e Dibrës ashtu edhe në komunën rurale Qendër Zhupë një territor i cili ka qenë më parë pjesë e komunës Dibër.

    Shoqatat e blegtorëve dibran Dashi disa herë ka debatuar rreth këtij problemi meqë ngec zhvillimi i blegtorisë. Është një sferë e cila është fitimprurëse, thonë nga shoqata “Dashi”, por migrimi i të rinjve ka shkaktuar telashe të blegtorëve. Krahu i punës është problem meqë të rinjtë jo vetëm ata që migrojnë por edhe ata që janë në vendlindje, nuk preferojnë angazhimin e tyre në sferën e blegtorisë. Një nga blegtorët dibran Skënder Ame për shkak të mungesës së krahut të punës ka ulur dukshëm numrin e kopeve të dhenve. Sipas tij pothuajse të njëjtat probleme i kanë edhe blegtorët të tjerë të Dibrës dhe të rajonit.

    “Vetëm për disa vite kemi ulje të numrit të dhenve nga 40 mijë në 30 mijë. Krahu i punës mungon. Mungojnë barinjtë por edhe mjeshtrit që përgatisin djathin e bardhë. Mbi katër dekada merrem me blegtori meqë jemi një familje blegtorësh dhe deri sot nuk kemi patur probleme kaq të mëdha me krahun e punës. Sot nuk kemi bari as nga viset kufitare të Shqipërisë me të cilët punonim deri para disa viteve. Migrimi i të rinjve por edhe interesi minimal për të punuar në këtë sferë është evident. Një situatë e këtillë drejtpërdrejt godet blegtorinë”, thotë Ame.

    Edhe anëtarët e tjerë të shoqatës së blegtorëve ankohen për mungesën e krahut të punës. Përveç migrimit të të rinjve, në këtë shoqatë thonë se jetohet bukur nga blegtoria por të rinjtë nuk preferojnë këtë degë. Asnjë i ri nuk dëshiron që të merret me blegtori. Probleme kanë edhe vet familjet e blegtorëve.

    Pothuajse të njëjtat probleme i kanë edhe blegtorët nga Zhupa të cilët poashtu ankohen se edhe pse ka pagesa të majme për mjeshtrit që përgatisin djathin e bardhë nuk mund të gjendet një mjeshtër i nivelit të lartë. Për shkak të situatës ka një ulje drastike të blegtorisë në përgjithësi. Ky rajon ka më pak dhen dhe më pak lopë.

    Duke marrë parasysh këta rrethana, fermerët janë të brengosur. Kjo ndikon edhe në uljen e prodhimeve të qumështit. Në krahasim me një vit më parë kur blegtorët dibran plasonin afro 2 ton qumësht lope në qumështoret e vendit, sot sipas shoqatës plasmani është ulur dhe është afro një ton e gjysmë. Blegtorët thonë se nuk ndikon as rritja e pagave për punëtorët në blegtori për të tërhequr krahun e punës. Ata shtojnë se nëse situata vazhdon e këtillë, rajoni më perëndimor i vendit do të vazhdoj të ulë numrin e bagëtisë meqë mungojnë punëtorët.

    Në bisedën që patëm me pronarët e disa qumështoreve u informuam se qumështi i lopës dhe i dhenve në Dibër dhe rajon ka një kualitet të lartë. Në qumështoren “Tërnica” ku plasohet pjesa më e madhe e qumështit potencojnë se janë të përgatitur të rrisin çmimin e qumështit por edhe t’ju mundësojnë investime për rritjen e bagëtisë të blegtorëve lokal por situata e mungesës së krahut të punës nuk mundëson realizimin e këtyre aktiviteteve./Koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    A duhet të peshoheni çdo ditë? – Këshillat që duhet të ndiqni

    Lajmi i rradhës

    5 llojet e ushqimeve dietike që duhet të blini

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë