Teknologjia po shuan nocionin “familje” në RMV!

    Mënyra e re e jetesës dhe teknologjia çdo ditë e më shumë po bëhen kërcënim për nocionin e familjes, obsesioni me rrjetet sociale po i largon njerëzit brenda familjes. Përkufizimi i familjes si qeliza bazë nga ku ndërtohet shoqëria, duket se po humbet rëndësinë dhe kuptimin e saj. Sociologët, psikologët dhe njohësit e kësaj çështje pajtohet se nga gjitha ndryshimet që po ndodhin në botë, asnjë nuk është më i rëndësishëm se ai që po i ndodh familjes.

    Makedonka Raduloviq nga Instituti për Studime Familjare u shpreh se mënyra moderne e jetesës si dhe dinamikat e ndryshuara të shoqërisë po krijojnë një presion të madh në jetën familjare. Sipas saj, familjet të cilat sfidën më të madhe e kanë varfërinë po luftojnë për të ushqyer familjen dhe për të siguruar kushtet elementare, ndërsa nga ana tjetër familjes të cilat kanë të ardhura të rregullta po përballen me mungesë të kohës dhe po e kanë të vështirë të balancojnë punën dhe familjen.

    “Është fakt se familjet moderne çdo ditë e më shumë po ngjajnë me familjet ‘preke dhe shko’. Familja si burimi bazë i socializimit ka një rol parësor në krijimin e një sistemi vlerash i cili më pas shërben si udhërrëfyes  në jetë. Në mungesën e një sistemi vlerash po krijohen njerëz pa identitet, të cilët lehtë bëhen subjekt i manipulimit dhe dukurive devijuese”, tha Raduloviq.

    Ajo beson se përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale dhe celularëve ka një ndikim negativ tek fëmijët dhe bashkëshortët.

    “Së pari, imazhi joreal që paraqitet në internet dhe ne presim që jeta jonë të duket si ajo që na paraqitet. Kjo dërgon në zhgënjim dhe mllefosje sepse në thelb, ajo jetë është joreale. Së dyti për shkak të mungesës së kohës cilësore dhe komunikimit mes anëtarëve të familjes, gjë që çon në tjetërsim. Tjetërsimi, mungesa e vëmendjes, dashurisë dhe intimitetit sjellin pakënaqësi, grindje, dhe dhunë në familje, e cila për familjet tek ne po bëhet një barrë në rritje”, tha ajo. Sipas saj, rrjetet sociale nuk duhet të zëvendësojnë rolin e prindit, partnerit, apo të jenë model identifikimi.

    Nga shumë funksionet e familjes më i rëndësishëm konsiderohet ai edukativ socializues, që fatkeqësisht në vendin tonë shumë pak kujdesen për këtë rol, për promovimin e vlerave familjare dhe ndërtimin e personaliteteve të shëndosha humane, dhe vendosja e plotë e sjelljes shoqërore të njeriut edhe në fazat më të hershme të zhvillimit. Por, fatkeqësisht sot familja nuk po kuptohet si një vend “i shenjtë” për tu rritur, por si një “vend i domosdoshëm”, thuhet në një temë masteri ku analizohet ndikimi i familjes dhe sjellja agresive e nxënësve.

    Juliana Shumovska nga “SOS Fshati për Fëmijë” thotë se prindërit e kanë të vështirë të rrisin fëmijët në mënyrën moderne të jetesës. Sipas saj, shoqëria moderne kërkon shumë përfshirje nga prindërit dhe fëmijët, të cilët janë të përfshirë në një numër aktivitetesh jashtë shtëpisë, gjë që çon në mungesën e kohës cilësore brenda familjes. “Përveç kësaj, edhe teknologjia dhe zhvillimi teknologjik luajnë rol të veçantë në lidhjet familjare, në raportin prind-fëmijë, faktikisht ndikojnë në familje duke reduktuar kohën familjare, komunikimin dhe ndërveprimin ballë për ballë”, u shpreh Shumovska duke shtuar se përdorimi i teknologjisë në ditët e sotshme është i pashmangshëm por që e një rëndësie të veçantë sipas saj është vendosja e kufijve në përdorimin e saj, në përputhje me moshën e fëmijëve dhe zhvillimin e tyre. Shumica e njohësve ndër tjera theksojnë rëndësinë e rolit edukativ brenda familjes.

    Sipas Rozalina Popova-Koskarova nga Fakulteti Pedagogjik “Kliment Ohridski” në Shkup, ndikim të fortë në realizimin e funksionit edukativ ka bashkëjetesa vetëm prindërit me fëmijët, punësimi i dy prindërve, shtimi i numrit të divorceve.

    “Po bëhet gjithnjë e më e qartë se ky funksion është shumë më i vështirë për tu arritur në familjet moderne sesa në ato të mëparshme tradicionale. Kujtojmë kohën kur familja mblidhej çdo ditë për drekë në një kohë të caktuar, kur kishte respekt mes anëtarëve të familjes, kur problemet diskutoheshin në tryezë, kur vlerat ishin udhërrëfyes me të cilat rriteshin brezat e rinj. Fotoja e dhomës së ndenjes në të cilën janë ulur prindërit me tre fëmijë është ‘të gjithë së bashku por secili me celular ose pajisje tjetër në dorë’”, tha ajo. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Gjykatat në RMV pa gjykatës!

    Lajmi i rradhës

    Qytetarët e Ballkanit Perëndimor janë të zhgënjyer nga pritja shumëvjeçare për anëtarësim në BE

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë