Tendenca e BDI-së për t’i ricikluar të “palarat politike” për 20 vite pushtet

    Gazetar | Adrian Kerimi

    Ambientalistët vlerësojnë se përçakemi programor i BDI-së “Për një të ardhme të gjelbër” është tallje me opinionin dhe trupin e tyre votues. Sipas tyre, Bashkimi Demokratik për Integrim për 19 vite ekzistencë ka bërë të kundërtën e asaj që promovoi ditë më parë, gjë që krijon pas për dyshime në sinqeritetin e tyre ndaj këtij përcaktimi. Aktivisti mjedisor dhe njëherit bashkëthemelues i “Eco Guerilla”, Arianit Xhaferi për Nistori thotë se BDI kishte shansin të dëshmonte punën e tyre pro gjelbërimit në çdo mandat të Qeverisjes saj.

    “Është një shaka e keqe dhe e pa kripë e këtij subjekti që vendos në këtë formë të tallet me qytetarët e vendit tonë. Ata kanë 19 vite ekzistencë dhe pjesën më të madhe të këtyre 19 viteve kanë qenë në qeveri të njëpasnjëshme, herë me parti të djathta e herë me të majta dhe gjithmonë kanë pasur pozita kyçe në sektorin e mjedisit, por mjedisi jetësor është degraduar vazhdimisht gjatë këtyre viteve”, deklaron Arianit Xhaferi.

    Fakti që BDI ka udhëhequr me Ministrinë e Ekologjisë për katër mandatet e fundit, sipas Xhaferit dëshmon hipokrizinë e tyre ndaj fushatës “Për një të ardhme të gjelbër”.

    “Hipokrizia është e qartë dhe e dukshme, sepse Ministria e Mjedisit është udhëhequr pothuajse kryekëput nga ana e kuadrove të BDI-së, dhe s’ka mbetur një komunë e vetme në vend, nga Likova deri në Strugë që s’ka deponi të egra, deponi pa standarde, probleme me menaxhimin e mbetjeve komunale, mungesë infrastrukturë për menaxhimin e mbetjeve inerte (të ndërtimtarisë)”, shton Xhaferi për Nistori.

    Fondi i Gjelbër Evropian do të ndan buxhet të majm për vendet e Ballkanit Perëndimorë me qëllim përgjigjen efikase ndaj sfidave klimatike. Xhaferi thotë se ky fond është nuhatur nga BDI e cila sipas tij nuk ka asnjë lidhje të përbashkët me ambientin e pastër dhe gjelbërimin.

    “Fushata e gjelbër e BDI-së me gjasë ka të bëjë me Fondin e Gjelbër Evropian i cili pritet që shteteve të Ballkanit Perëndimor (me këtë edhe RMV-së) t’i alokojë disa miliarda dollarë amerikanë, për t’u përgjigjur sfidave klimatike dhe për të arritur statusin “karbon neutral” të Evropës, sipas Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane”, thekson Xhaferi, aktivist.

    Dëshmi se BDI dhe partnerët e koalicionit nuk janë ata që paraqiten në raport me kujdesin ndaj mjedisit jetësor është edhe Ligji për planifikim urban përmes të cilit parashikohet legalizimi i objekteve pa leje. Xhaferi thotë se BDI nuk gëzon kredibilitetin politik për një fushatë të tillë për faktin se çdo komunë e cila udhëhiqet nga BDI ka probleme në çdo sferë të ambientit jetësor, duke filluar nga deponitë, hapësirat e gjelbra, uji i pijshëm etj.

    “BDI nuk gëzon kredibilitetin e duhur për të udhëhequr një fushatë të tillë. Një parti që menaxhon me komunat përplot deponi, me kaos urbanistik, pa hapësira të gjelbra nuk mund të ketë kapacitetin e duhur për të dhënë rezultate në mbrojtjen e mjedisit”, deklaron Xhaferi.

    Në përvjetorin e 19 të saj, BDI promovoi përcaktimin e ri programor për ambient jetësor kualitativ. Kjo datë përkon edhe me Ditën ndërkombëtare të ambientit jetësor. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti potencoi se pas 19 viteve ekzistencë politike, BDI ka mbyllur çështjet e përfaqësimit adekuat, ka zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, ka hapur universitete, shkolla dhe ka zyrtarizuar gjuhën shqipe pas çka pason lufta për ruajtjen e ambientit jetësor.

    Sa për rikujtim, gjatë mandateve të BDI-së komunat kryesisht shqiptare janë ballafaquar me deponitë e egra dhe mungesën e ujit të pijshëm, ndërsa Tetova ishte për disa vite ndër qytetet më të ndotura në botë. Ndonëse në çdo program zgjedhor ishte parapa zgjidhja e problemeve më mbeturinat, një gjë e tillë nuk dëshmohet në terren. Ndërkohë mbyllja e kombinatit të Jugohromit ishte bërë pas reagimeve të mëdha të qytetarëve dhe protestave disa mujore të banorëve të Pollogut. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Tragjedia e njeriut të letrave (FOTO)

    Lajmi i rradhës

    Konflikti në “Lagjen e trimave” | Do të ketë vendim të ri nga prokuroria?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë