Tensionet në veri | Begaj: Kosova një realitet i pakthyeshëm politik

    Presidenti i republikës, Bajram Begaj reagon mbi situatën e krijuar në veri të Kosovës.

    Begaj përshëndet autoritetet e Kosovës për maturinë e treguar, që në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë shmangën një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë për rajonin tonë pas agresionit rus në Ukrainë.

    “ Kosova tashmë është një realitet i pakthyeshëm politik, kontribues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe i konfirmuar jo vetëm nga mbi gjysma e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur atë, por edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, 11 vjet më parë,” u shpreh Kreu i Shtetit duke iu referuar anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

    Deklaratat Begaj i bëri gjatë takimit me Kryeministrin e Spanjës, Pedro Sánchez Pérez-Castejón, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

    Kreu i shtetit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që Spanja i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian.

    “Jam besimplotë se gjatë Presidencës spanjolle të Bashkimit Evropian, në 6-mujorin e dytë të vitit të ardhshëm, mbështetja e Kryeministrit Sanchez dhe e qeverisë së Spanjës do të jetë shumë domethënëse për procesin e negociatave të aderimit të Shqipërisë në BE” – nënvizoi Presidenti Begaj.

    Në takimin me kryeministri spanjoll, Presidenti Begaj shprehu besimin se qeveria spanjolle do të gjente modalitetet e duhura politike e diplomatike për ta lehtësuar e mundësuar praninë e Kosovës në organizatat e ndryshme evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe për lëvizjen pa viza të qytetarëve të saj në hapësirën e BE-së, ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit të Evropës Juglindore. /tch/

    Lajmi Paraprak

    Lista e lojtarëve që priten të largohen nga Barcelona

    Lajmi i rradhës

    Rustemi: Këtë vit nga pagesat rrugore planifikojmë të marrim mbi 50 milionë euro

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë