Testi i gjuhës angleze, më i kërkuari nga maturantët në RMV

    Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Qendra Shtetërore e Provimeve (QSHP), testi më i kërkuar nga maturantët është ai i gjuhës angleze, me gjithsej 13.457 aplikantë. Ndërkohë, 1.246 nxënës kanë zgjedhur të testohen në lëndën e matematikës. Për gjuhën gjermane janë paraqitur 73 kandidatë, për gjuhën frënge 24, ndërsa për lëndën e estetikës janë regjistruar 62 nxënës. Testi i filozofisë ka tërhequr vëmendjen e vetëm shtatë kandidatëve, ndërsa për gjuhën ruse janë regjistruar katër dhe për gjuhën italiane tre nxënës. Sa i përket gjuhëve mësimore, 9.969 maturantë janë paraqitur për testimin në gjuhën maqedonase, 4.339 në gjuhën shqipe, 292 në gjuhën turke dhe vetëm 10 nxënës në gjuhën serbe.

    Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, bëri të ditur dy ditë pas mbajtjes së provimit se dhjetëra nxënës janë përjashtuar për shkak të tentativave për kopjim me telefona. Sipas saj, ky numër është dukshëm më i ulët në krahasim me vitin e kaluar. “Procesi nuk është përfunduar ende, por numri i nxënësve që kopjuan është ulur ndjeshëm. Duke marrë parasysh se sa u larguan vitin e kaluar, besoj se ka përparim dhe pres që të bëhet gjithnjë e më mirë çdo vit”, tha Janevska.

    Sipas saj, për shkak të masave të forcuara të kontrollit, pret që numri të jetë edhe më i ulët gjatë dhënies së provimit të dytë ekstern. Ajo u bëri thirrje vlerësuesve që “të mos i mbyllin sytë ndaj parregullsive” dhe nxënësve që të mos përpiqen të kopjojnë dhe “të mashtrojnë sistemin sepse rrezikojnë të humbasin një vit të tërë të jetës së tyre – për të hyrë në tregun e punës ose për të vazhduar arsimin e tyre”.

    Për të mbikëqyrur procesin e provimit, QSHP po punëson rreth 2.000 vlerësues edhe këtë vit. Provimet zhvillohen në shkolla nëse ato plotësojnë kërkesat sipas Rregullores për Organizimin e Provimit të Maturës Shtetërore, dhe për nxënësit nga shkollat që nuk kanë kërkesa të tilla, provimet zhvillohen në amfiteatrot e fakultetit.

    Ndër të tjera Janevska u ka bërë apel shkollave që të mos shpërndajnë tekste të vjetra dhe të dëmtuara, por t’i raportojnë ato me kohë në sistemin elektronik, në mënyrë që të zëvendësohen deri në fillim të vitit shkollor 2025/2026. Në një konferencë për shtyp, ministrja Vesna Janevska tha se prindërit dhe nxënësit nuk është e nevojshme të zhgënjehen. “Nuk ka nevojë që nxënësit dhe prindërit të zhgënjehen. Shkollat kanë komisione që mund të përcaktojnë lehtësisht nëse një libër shkollor është i përshtatshëm për përdorim. Kopjet e dëmtuara nuk duhet të kthehen në koleksionin e bibliotekës, por duhet të raportohen në Shërbimin Pedagogjik”, u shpreh ajo.

    Janevska njoftoi se do të shtypen fletore pune të reja për klasat e para deri në klasë të tretë, ndërsa nxënësit e klasës së shtatë do të marrin tekste të reja me përmbajtje të përmirësuar, për shkak të ndryshimeve në kurrikul. “Më 1 shtator, të gjithë nxënësit do të kenë tekste shkollore të gjuhëve të huaja”, theksoi ajo.

    Disa nxënës të shkollave të mesme dhe të arsimit profesional do të marrin gjithashtu tekste të reja. Ministria ndan rreth 660 milionë denarë në vit për blerjen e tyre. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Një vit qeverisje, Qeveria ka përmbushur vetëm 13% të premtimeve

    Lajmi i rradhës

    Miliona euro humbje, hotelet e ELEM-it drejt rrënimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë