Biblioteka e Tetovës sa një bibliotekë shtëpie! Revoltohen lexuesit (Video)

    Së fundmi kanë reaguar edhe lexuesit e bibliotekës së Tetovës. Ata për Nistorin shprehen kundër dislokimit të bibliotekës dhe kërkojnë që politika të mos bëhet shkak për bibliotekën e vetme të qytetit.

    Bora Ramadani, vizitore e rregullt e bibliotekës për Nistorin thotë se, hapësira ku gjendet për momentin biblioteka është e pamjaftueshme, e lëre më të zhvendoset në një hapësir edhe më të vogël.

    “Ne si lexues nuk pajtohemi me dislokimin e bibliotekës së qytetit, duke filluar nga fakti se edhe kjo hapësirë ku gjendet për momentin biblioteka është e pamjaftueshme, e lëre më të zhvendoset në një hapësir edhe më të vogël. Kjo, jo vetëm që do ta dëmtojë bibliotekën, e cila është e vetmja që e kemi dhe nuk është aspak e mjaftueshme për lexuesit. Do ta dëmtojë edhe me numrin e lexuesve, përderisa hapësira është më e vogël, atëherë edhe librat të cilat do të mund t’i ofrojë biblioteka, nuk do të mund të përmbushë shijet e të gjithë lexuesve”, shprehet Ramadani.

    Të njëjtin mendim e ndanë edhe Lirona Bejtullai. Për atë hapësira në të cilën gjendet aktualisht biblioteka nuk mjafton për një lexues dhe nuk gjen rehati, andaj dislokimi në një hapësirë më të vogël është e papranueshme.

    “Sa i përket dislokimit të bibliotekës së qytetit, ne si lexues të rregullt, biblioteka nuk ka mjaftueshëm vend për librat, për shkak se hapësirat janë shumë të vogla, ndërkaq ne si lexues kemi nevojë për më tepër hapësirë. Për ne si lexues është më e përshtatshme të ulemi, domethënë të kemi vendet tona të posaçme, të kemi atë hapësirën që na duhet. Kjo pjesa e hapësirës që na mungon neve, ndikon negativisht te lexuesi, për shkak se lexuesi as nuk mund të fokusohet, por as nuk mund të gjejë rehati brenda bibliotekës së qytetit”, deklaron lexuesja Bejtullai.

    Donika Bakiu, studiues e gjuhës dhe letërsisë thotë se politika duhet duart t’i ketë larg bibiliotekës, pasi biblioteka është e lexuesve dhe vizitohet çdo ditë.

    “Kjo bibliotekë që është me këtë metër katror nuk mjafton, e lëre më ku dëshirojnë tani ta zhvendosin bibliotekën. Biblioteka ka lexues edhe me aftësi të veçanta, si mund një njeri me aftësi të veçanta të shkojnë te pjesa tjetër, ku mendojnë ta dislokojnë. Realisht ne të gjithë kemi menduar të bëhet biblioteka e re, të ketë si duhet kushtet e një Tetove, pasi jemi qytet me dy universitete, me shumë shkolla të mesme, paramendoni me këtë që tentohet të bëhet – realisht për mbyllje të një biblioteke, pasi nuk është e mundur funksionimi i një biblioteke në ato kushte që po i ofrohet. Politikat sa më larg lexuesve, sa më larg bibliotekës. Biblioteka vizitohet çdo ditë dhe ka mbi gjashtë mijë lexues aktiv”, shprehet Bakiu.

    Ajo thotë se në qoftë se ndodh që biblioteka të dislokohet në hapësira tjera, me të cilën nuk pajtohet askush, do të ndikojë negativisht në psikikën e lexuesve dhe vizitorëve, përkundrazi biblioteka duhet të ketë vendin e merituar që i premtohet me vite.

    Ndryshe, Mahi Murtezani për Nistorin u shpreh shkurt se është takuar me njerëz të Ministrisë së Kulturës, por nuk ka ndonjë epilog sa i përket dislokimit të bibliotekës.

    Ndryshe, biblioteka e Tetovës përballet me mungesë të kushteve elementare për punë, vitrina të librave, pjesa për arkivin, librat shtesë, të cilat po shkatërrohen çdo ditë e më shumë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Familjarët e viktimave të tragjedisë në Tetovë, nesër do të protestojnë në Shkup

    Lajmi i rradhës

    Kolesteroli i lartë dëmton kockat – Çfarë duhet të hani

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë