Tetë muaj pas zjarrit në spitalin modular të Tetovës, ende nuk ka asnjë përgjegjësi

    Vitin e kaluar më 8 shtator u dogjën të gjallë 14 persona, 12 prej tyre pacientë, ndërsa prokuroria e Tetovës ende nuk ka vendosur se çfarë hapi do të ndërmarrë. Alsat së fundmi bëri të ditur se ndaj tre personave dhe një personi juridik është konstatuar përgjegjësi penale dhe ndaj tyre po përgatiten padi. Por, një hap i tillë ende nuk është ndërmarrë.

    “Vendimi i prokurorit publik është duke u përgatitur dhe pasi të merret, publiku do të njoftohet menjëherë për të gjitha detajet lidhur me përgjegjësinë e gjetur penale”, thonë nga Prokuroria Publike.

    E pyetëm prokurorinë se kujt i takojnë nënshkrimet në dokumentet që i kanë marrë nga spitali i Tetovës? Kush e firmosi pranim-dorëzimin e spitalit modular? A ka kërkuar marrëveshje me prokurorinë ndonjëri nga tre personat për të cilët ka elementë të veprës së kryer penale?

    “Për të mbrojtur prezumimin e pafajësisë dhe procedurën, Prokuroria Publike në asnjë rast nuk mund të zbulojë detaje të nismave të mundshme të marrëveshjeve, derisa ato të pranohen dhe konfirmohen nga gjykata kompetente”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.

    Nëse kërkohet një marrëveshje, nga prokuroria thonë se do të publikohet vetëm nëse ajo miratohet nga ata dhe gjykata. Prokuroria duhet të njoftojë edhe se me çfarë vepre penale do të ndiqen të dyshuarit, sepse tashmë kanë konfirmuar se është konstatuar vepra penale.

    Pas tragjedisë në spitalin modular të Tetovës, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij Ilir Hasani ofruan dorëheqje, por kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev nuk i pranoi. Megjithatë, ata nuk janë pjesë e qeverisë së re të Kovaçevskit. Edhe Florin Besimi dhe Artan Etemi, dhanë dorëheqje nga postet e drejtorit në spitalin e Tetovës. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Lija e majmunëve, KSI po e ndjek gjendjen në vend

    Lajmi i rradhës

    Ivanovska: Pa përgjegjësi dhe llogaridhënie nuk ka demokraci

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë