Tenderë me vlerë rekord në vit zgjedhor, mbi një e katërta e shumës te vetëm dhjetë kompani dhe 21 komuna ku një firmë e vetme siguron më shumë se gjysmën e vlerës së kontratave. Pas shifrës prej 356 milionë eurosh të prokurimeve komunale në vitin 2025, hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ) nxjerr në pah përqendrimin e kontratave dhe nevojën për konkurrencë më të madhe për paratë publike, shkruan gazeta Koha.
Qyteti i Shkupit dhe 80 komunat kanë lidhur gjithsej 4.300 kontrata për furnizime publike, në vlerë prej 21,9 miliardë denarësh. Sipas hulumtimit, vlera e tenderëve në vitin zgjedhor 2025 pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin 2024, duke arritur afërsisht shumën e dy viteve paraprake së bashku. Megjithatë, një dallim është thelbësor: bëhet fjalë për vlerën e kontratave të nënshkruara, që nuk nënkupton se e gjithë shuma është paguar gjatë vitit. Një pjesë e kontratave janë shumëvjeçare dhe krijojnë detyrime që do të mbulohen nga buxhetet pasuese.
TETOVA KRYESON, ÇAIRI I PARI PËR BANOR
Tetova renditet e para për vlerën e përgjithshme të prokurimeve publike, me 22,5 milionë euro. Ajo ka shënuar edhe rritjen më të madhe vjetore, prej rreth 20 milionë eurosh. Në anën tjetër, Strumica ka regjistruar rënien më të madhe, prej gjashtë milionë eurosh. Qyteti i Shkupit, i cili dikur kryesonte renditjen, ka zbritur në vendin e 14-të, me kontrata në vlerë prej 8,5 milionë eurosh. Por renditja ndryshon kur vlera e tenderëve llogaritet për banor. Sipas të dhënave të hulumtimit, Çairi kryeson me 2.381 euro për banor, i ndjekur nga Saraji me 1.703 euro. Më pas renditen Shtipi me 1.544 euro, Struga me 1.355 euro dhe Tetova me 1.273 euro për banor.
Në skajin tjetër ndodhet Qendra Zhupë, me vetëm 12 euro për banor. Qyteti i Shkupit figuron me 16 euro, ndërsa Çashka me 18 euro për banor. Mesatarja e përgjithshme ka arritur në 313 euro për banor, kundrejt 131 eurove në vitin 2024. Këto shifra tregojnë vlerën e kontratave në raport me popullsinë, jo një përfitim të drejtpërdrejtë financiar për secilin qytetar.
Komunat kanë lidhur kontrata me gjithsej 1.185 kompani. Megjithatë, më shumë se një e katërta e vlerës së përgjithshme të tenderëve lokalë është përqendruar te vetëm dhjetë firma. Në krye renditet “Zhikoll” nga Strumica, me kontrata në vlerë prej rreth një miliard denarësh, apo afërsisht 16 milionë eurosh. E dyta është “Lendi Grup” nga Shkupi, me 49 kontrata në vlerë prej rreth 864 milionë denarësh, përkatësisht 14 milionë eurosh. Kontratat kanë të bëjnë me ndërtimin dhe rikonstruktimin e rrugëve. Në vendin e tretë figuron “Stenton Gradba” nga Manastiri, me 27 kontrata në dhjetë komuna, në vlerë të përgjithshme prej rreth 722 milionë denarësh, apo 11,7 milionë eurosh.
NË SARAJ, 84 PËR QIND TE NJË FIRMË
Përqendrimi bëhet edhe më i dukshëm në nivel komunal. Në 21 komuna, një kompani e vetme ka siguruar mbi 50 për qind të vlerës së përgjithshme të prokurimeve. Saraji kryeson me 84 për qind të vlerës së kontratave te një firmë, ndërsa në Tearcë kjo pjesëmarrje arrin në 77 për qind. Në Rosoman, Qendër Zhupë dhe Radovish është nga 67 për qind. Në Makedonska Kamenicë, Zelenikovë, Pllasnicë dhe Strugë, pjesëmarrja e një kompanie është rreth 60 për qind. Përqendrimi, në vetvete, nuk dëshmon shkelje. Por ai e bën të domosdoshëm shqyrtimin e konkurrencës: sa kompani garojnë, si hartohen kushtet dhe nëse madhësia e tenderëve u lë hapësirë edhe operatorëve të tjerë.
QKQ thekson se publikimi i këtyre të dhënave synon t’i alarmojë autoritetet lokale që të nxisin konkurrencën dhe, kur është e mundur, t’i ndajnë tenderët në pjesë në vend që t’i bashkojnë në kontrata më të mëdha.
Vlera e kontratave të lidhura gjatë vitit 2025 ka arritur mesatarisht në 48 për qind të buxheteve të realizuara të komunave dhe Qytetit të Shkupit, niveli më i lartë i regjistruar deri tani. Në 36 komuna, ky raport tejkalon 50 për qind. Sipas hulumtimit, rritja lidhet në masë të madhe me financimin qeveritar për projekte infrastrukturore përmes të ashtuquajturës kredi hungareze. Për shkak të kontratave shumëvjeçare, një pjesë e detyrimeve do të paguhet nga buxhetet e viteve të ardhshme.
Ndërkohë, Qyteti i Shkupit dhe dhjetë komunat e kryeqytetit kanë lidhur kontrata me vlerë afro 105 milionë euro, rreth 47 milionë euro më shumë se një vit më parë. Pjesëmarrja e tyre në vlerën e përgjithshme të prokurimeve lokale është rreth 29 për qind. Shifrat dëshmojnë një zgjerim të madh të kontraktimit publik. Prova për komunat mbetet nëse këto kontrata do të kthehen në punë cilësore, të përfunduara në afat dhe me çmime të arsyeshme. Rekordi i tenderëve, i vetëm, nuk është rekord shërbimesh për qytetarët.




