Një vit pas marrjes së mandatit të dytë për të udhëhequr me Komunën e Tetovës, kryetari Bilall Kasami tha se mandati i marrë nga qytetarët është një përgjegjësi e madhe për të vazhduar ndryshimin dhe për të ndërtuar një qytet më funksional, më të zhvilluar dhe me më shumë mundësi për të gjithë. Duke u ndalur në projektet e realizuara, Kasami tha se në sferën e infrastrukturës është vazhduar investimet në rrugë, kanalizime atmosferike dhe fekale, si dhe në përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë. “Gjatë këtij viti kemi realizuar dhe avancuar gjithsej 43 projekte infrastrukturore, duke dëshmuar përkushtimin tonë për zhvillimin e qytetit dhe të vendbanimeve rurale.
Ndër projektet më të rëndësishme veçoj përfundimin e Bulevardit “V.S Bato“, përfundimin e Bulevardit “Bllagoja Toska“ në Drenovec, si dhe jemi drejt përfundimit të punimeve të Qarkores Lisec–Kodra e Diellit, një projekt me rëndësi të veçantë për përmirësimin e qarkullimit dhe lidhjen infrastrukturore të kësaj zone. Kemi punuar që investimet të mos përqendrohen vetëm në qendër, por të shtrihen në të gjitha lagjet dhe vendbanimet, sepse çdo pjesë e Tetovës meriton zhvillim të barabartë”, deklaroi gjatë një takimi me gazetarë Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Më tej, ai tha se një vëmendje të veçantë i është kushtuar edhe funksionimit të ndërmarrjeve publike dhe përmirësimit të shërbimeve komunale. “Në Ndërmarrjen Publike Komunale kemi siguruar pagesën e pagave dhe kontributeve pa vonesa, duke lënë pas një periudhë të gjatë të problemeve financiare dhe borxheve të trashëguara. Kemi punuar edhe në përmirësimin e pozitës së punonjësve dhe kushteve të tyre të punës. Rritja e pagave bazë me 7 për qind në vit, për tri vite, si dhe rritja prej 30 për qind për zjarrfikësit, janë dëshmi e përkushtimit tonë për të vlerësuar njerëzit që çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve”, theksoi Kasami.
Gjatë prezantimit të punës së tij njëvjeçare, Kasami foli edhe përmirësimin e transportit publik për fshatrat e Malësisë së Tetovës dhe infrastrukturës për personat e verbër.
“Në kuadër të politikave për barazi dhe qasje më të lehtë në shërbime, kemi vendosur transport falas në relacionin Brodec–Veshallë–Bozovcë, duke lehtësuar lëvizjen e banorëve të këtyre vendbanimeve. Kemi ndërmarrë gjithashtu masa për krijimin e një qyteti më të qasshëm për personat me aftësi të kufizuara, përmes semaforëve akustikë dhe përshtatjes së trotuareve. Për ne, Tetova duhet të jetë qytet për të gjithë, pa dallim dhe pa barriera. Paralelisht me investimet infrastrukturore, kemi vazhduar edhe procesin e modernizimit të administratës dhe digjitalizimit të shërbimeve. Synimi ynë është që qytetarët të kenë komunikim më të lehtë me institucionin, të marrin shërbime më shpejt dhe të kenë më shumë transparencë për mënyrën se si funksionon komuna dhe si shpenzohen mjetet publike”, nënvizoi Kasami.
Sipas tij, sfidat e mbetura dhe borxhet e trashëguara po tejkalohen hap pas hapi, ndërsa shfaqi shpresë se pasi që të shlyhen borxhet ndaj përmbaruesve Komuna e Tetovës mund të funksionojë më lehtë. /Koha/




