Edhe pse Tetova ka shumë klube sportive të suksesshme, infrastruktura sportive ende nuk i plotëson kërkesat dhe nevojat e tyre. Sportistët tetovarë shpesh janë ballafaquar me mungesë kushtesh për zhvillimin e aktiviteteve sportive, sidomos në sportet individuale, por edhe në ato kolektive. Situatën më të vështirë e ka ekipi i Shkëndijës, i cili ndeshjet në arenën ndërkombëtare i ka zhvilluar dhe pritet t’i zhvillojë edhe më tej në stadiumin kryesor në Shkup, pasi stadiumi i Tetovës nuk i plotëson kushtet e nevojshme.
Shpresat për përmirësimin e kësaj gjendjeje lidhen me stadiumin e ri që është në ndërtim e sipër, si dhe me kalimin nën menaxhimin e Komunës së Tetovës të sallës sportive në qendrën sportive të qytetit. Kjo sallë, e ndërtuar në vitet e ’80-ta, asnjëherë nuk është vënë plotësisht në funksion, përveç sallës së vogël, e cila vite më parë është shfrytëzuar për futboll të vogël. Pas vizitës së realizuar në këtë sallë sportive, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, shprehu shpresën se objekti do të rikonstruktohet, por pa dhënë afate konkrete dhe pa sqaruar se nga do të sigurohen mjetet financiare, pasi salla ka nevojë për ndërhyrje të mëdha dhe investime të konsiderueshme.
“Është duke u përgatitur projekti për rikonstruktimin e sallës dhe e njëjta të jetë në shërbim të sportit, duke i plotësuar të gjitha kriteret për lojëra ndërkombëtare për destinimin që e ka. Për basketboll, volejboll, hendboll dhe të gjitha sportet që zhvillohen në sallë. Besoj se shumë shpejt, përkrah stadiumit si një investim kapital për sportin tetovar, edhe salla sportive do të jetë në shërbim të sportistëve tetovarë”, deklaroi Kasami. Për dallim nga salla sportive në qendrën sportive, në stadiumin e qytetit në Tetovë vazhdojnë punimet ndërtimore. Këtë e bëri të ditur ditë më parë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, përmes rrjetit social Facebook, ku informoi se stadiumi i Tetovës po ndërtohet sipas standardeve të UEFA-s.
Ndryshe, aktivitetet e para për ndërtimin e stadiumit të qytetit filluan në muajin prill të vitit 2024. Punimet në stadiumin e ri kapin vlerën prej rreth 9.7 milionë eurosh. Projekti parasheh ndërtimin e një stadiumi afër qendrës sportive, si dhe të një terreni sportiv në fshatin Saraqinë. Sipas paralajmërimeve të mëhershme, punimet duhet të përfundojnë brenda tre viteve, përkatësisht në vitin 2027.
Këshilli i Komunës së Tetovës, më 15 mars 2023, ka sjellë vendim me të cilin jep garanci për realizimin e projektit “Ndërtimi dhe rikonstruktimi i objekteve sportive”, i cili menaxhohet nga Ndërmarrja Publike “Tetova Transport – Tetovë”. Sipas vendimit, nëse gjatë realizimit të projektit kapital paraqiten rreziqe financiare që nuk mund të mbulohen nga kjo ndërmarrje, atëherë Komuna e Tetovës do t’i marrë përsipër obligimet që burojnë nga marrëveshja e nënshkruar. Sipas informacioneve zyrtare, Komuna e Tetovës aktualisht menaxhon me shtatë stadiume dhe gjashtë salla sportive. Koha






