Tetova “shpërblen” qytetarët pa borxhe: një orë parking falas brenda 48 orëve

    Komuna e Tetovës ka paralajmëruar se qytetarët të cilët i kanë të shlyera obligimet ndaj komunës do të mund që të shfrytëzojnë parkingun zonal një orë pa pagesë brenda 48 orëve. Kjo parashihet në ndryshimet të cilët pritet të fillojnë të zbatohen në të ardhmen pasi që kanë kaluar edhe në këshillin komunal. Edhe pse nuk ka datë të caktuar se kur kjo masë do të hyjë në fuqi, megjithatë kjo bëhet me qëllim që qytetarëve t`ju mundësohet që mund të kryejnë punë më shpejt nëpër institucione dhe mos enden duke kërkuar vendparkim. Këtë e deklaroi ditë më parë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

    “Të gjithë qytetarët e Tetovës të cilët i kanë të paguara detyrimet ndaj komunës, do të kenë mundësi që të parkohen një orë brenda ditës pa pagesë në parkingjet zonale. Me këtë ata do të kenë mundësi që të kryejnë punët e tyre nëpër institucione të ndryshme. Pasi që është rregullativë e re, jemi duke i përgatitur kushtet dhe mënyrat se si do të realizohet kjo në praktikë, prandaj edhe nuk mund të jepet afat”, deklaroi Kasami.

    Ndryshe, Komuna e Tetovës ka vendosur që t’u japë fund edhe kontratave me dy automjetet merimangë që operonin krahas asaj në pronësi të Ndërmarrjes Publike “Parkingu i qytetit. Një vendimi i këtillë është marrë si pasojë e mungesës së mbështetjes policore dhe efikasitetit të pamjaftueshëm në terren. Kasami paralajmëroi se komuna po shqyrton angazhimin e një operatori privat ose të një automjeti detektues për largimin e veturave të parkuara në kundërshtim me rregullat, sidomos me parkimin paralel që në Tetovë është mjaft i theksuar. 

    “Për momentin nuk ka në funksionim. Do të kthehet në funksion vetëm merimanga, automjeti merimangë që është në pronësi të Ndërmarrjes së Parkingut. Kurse të tjerave u janë ndërprerë kontratat dhe tani më do të vazhdojmë me bazë rregullores për rregullimin edhe të merimangave, edhe të bllokuesve. Në këtë rast, jo që nuk ka bashkëpunim me policinë, por realisht policia nuk ka kapacitet që në çdo pjesë të qytetit të ndërhyjë për largimin e veturave të parkuara pa leje”, thotë Kasami.

    Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë kanë thënë se katër policë rrugorë kanë qenë të angazhuar në dy ndërrime për t’i shërbyer merimangës. Por të njëjtët kanë qenë jashtë këtij shërbimi vetëm gjatë kohës kur ka pasur delegacione në rajonin që mbulon ky sektor. Deri më tani komuna e Tetovës i kishte angazhuar dy automjete merimangë nga kompani private, fillimisht përmes bashkëpunimit me përqindje dhe më pas me qira. Por sipas autoriteteve komunale, asnjëri prej këtyre varianteve nuk ka dhënë rezultatet e pritura në vendosjen e rendit në komunikacion. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Dyshime për nepotizëm/konflikt interesi në AKE: ish-punonjësi pretendon se drejtori punësoi djalin e baxhanakut

    Lajmi i rradhës

    Vota e Islandës për BE-në: një komb i ndarë për Europën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë