TETOVARËT NË PROTESTA – Kundërshtojnë hapjen e kazinove në afërsi të institucioneve arsimore

    Sot në qytetin e Tetovës, nën organizimin e Lëvzijes Anti-bixhoz janë mbajtur protesta kundër hapjes së kazinosë, në afërsi të çerdhes “Rinia”, përcjell Nistori.

    Protestat u përkrahën nga qindra qytetarë, ndërsa organizatorët kërkuan që të mbyllet ajo kazino, si dhe ftuan deputetët dhe krerët shtetëror që të rregullojnë me ligj çështjen e lojërave të fatit, që janë në afërsi të institucioneve edukativo-arsimore, sipas shembullit të shteteve fqinje, shkruan Nistori.

    Jushi Emërllahu nga Lëvizja Anti-bixhoz, “pyeti ministrin e Financave për propozim-ligjin i cili kishte marrë të gjitha dritat jeshile, por humbi në labirintet e Kuvendit”.

    “U detyruam të tubohemi që me arsye të fortë e të shëndoshë, ta luftojmë këtë gangrenë të shoqërisë, bixhozin, që na ka mbërthyer si gjarpri gjahun përmes lojërave të fatit, kazinove dhe gjitha aktiviteteve që për bazë kanë kumarin. Pyesim ministrin e financave se nga e mori të drejtën për ligjin që kaloi gjitha filtrat por e humbi në labirintet e kuvendit, e që ishim shumë afër sjelljes së një Ligji i cili edhe pse nuk plotësonte gjitha kërkesat tona, megjithatë u la në harresë. Me të drejtë pyesim ku mbeti ai propozim Ligj, e në këtë Qeveri propozohet Ligj i ri që mbeti shumë larg kërkesave të lëvizjes anti bixhoz”, tha Jushi Emërllahu, Lëvizja Anti-bixhoz.

    Anëtari i kësaj lëvizje, Nuhi Ganija, theksoi se Maqedonia ka krizë në aspektin e funksionimit të shtetit ligjor.

    “Ju bëjmë apel atyre që duhet të mbrojnë interesat tona ekonomike sociale dhe atë bazë, familjes, ne e dimë se bixhozi shkatërron ekonomi por nuk siguron as perspektive dhe rinia na ikën drejtë perëndimit. Mos bëni politikë më, por qasuni me seriozitet, e nëse nuk dini si ta zgjidhni problemin e kumarit, ndiqeni Shqipërinë dhe Kosovën”, u shpreh Nuhi Ganija.

    Pjesëmarrës në protestën e sotme ishte edhe profesori Musa Musai, i cili theksoi se shoqëria në vend çdo ditë bëhet më e varët nga fenomeni i kazinove.

    “Atë që doja ta ndaja bashkë me ju është fakti se ndoshta secili nga ne qoftë mikun, qoftë familjarin, qoftë dikënd që e njohim mund të kemi persona që vuajnë dhe e paguajnë shtrenjtë faktin e varshmërisë së krijuar ndaj kësaj të keqe, ndaj këtij patetizmi shoqëror, ndaj këtyre fenomeneve sociale devijante që ne i shohim dhe dita ditës po vuajmë nga këto segmente. Iniciativat e tilla për të senzibilizuar situatën që objektet arsimore, çerdhet, shkollat sëpaku të mbrojtura edhe nga diçka që unë do ta them nga aspekti profesional. Një ndër teoritë më të shquara të psikologëve social siç është Albert Bandura është teoria e të mësuarit social dhe në atë teori vlejnë parimet ku thuhet: “Fëmijët, njerëzit, të rriturit, të moshuarit mësojnë nga modelet ekzistuese, këto modele egzistuese nëse janë të shfaqura përmes sjelljeve, përmes fenomeneve devijante siç është bixhozi dhe siç janë vendet në të cilat realizohet kjo e keqe e shoqërisë””.

    “Gjithsesi ne jemi këtu të pranishëm për të thënë se zëri jonë dhe qëndrimi jonë është i prerë dhe kategorik për ti thënë jo kësaj dhe për ti larguar ato në kuadër të përgaditjeve ligjore, në kuadër të vullnetit të kësaj shoqërie dhe këtyre njerëzve të cilët me praninë e tyre, me zërin e tyre, me opinionet e tyre gjatë gjithë kësaj kohe kanë bërë me dije se janë kundër një dhënie të lejes së këtyre objekteve që të jenë pranë institucioneve edukativo arsimore”, deklaroi profesori Musa Musai.

    Protesta e sotme u përkrah edhe nga Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët. Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i cili njëherit është edhe kryetar i Komunës së Tetovës, tha se do të shrfytëzojë ingerencat që i ka si kryetar komune për të parandaluar fenomenin negativ të hapjes së kazinove.

    Kurse deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, deklaroi se si deputetë opozitar do të ndërhyjnë me amendamente në propozim-ligjin për lojërat e fatit.

    Ndryshe, me propozim-ligjin i cili është në procedurë, hapja e lojërave të fatit lejohet 500 metra larg objekteve shkollore, por nuk përmenden çerdhet. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Gjoba për tregtarët që nuk do të respektojnë vendimin e qeverisë për t’i mbajtur çmimet nën kontroll

    Lajmi i rradhës

    IRL: Sekretet zvicerane (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë